LGBT, përgjigje deklaratës së Komunitetit Musliman

Në Gazetën Shqiptare lexuam sot një deklaratë të pavend të Komunitetit Musliman.

Ky komunitet i kërkonte ministrit Eduard Halimi (po citojmë):  “të mos lejojë që pasionet e një individi apo edhe të një grupi të vogël njerëzish të shkaktojnë zemëratën e pjesës më të madhe të popullsisë, duke pasur parasysh propagandimin e devijimit seksual të këtij komuniteti”.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT janë të detyruara që për të disatën herë të bëjnë sqarimet e mëposhtme:

Në një vend demokratik nuk sakrifikohen të drejtat e minoriteteve, për asnjë arsye. Populli shqiptar ka zgjedhur tashmë të jetojë në një vend demokratik, ku njerëzit respektohen e ku të drejtat e kujtdo mbrohen me ligj. Thuhet në deklaratën në fjalë edhe se: “Totozani po eklipson probleme shumë më të mëdha të shoqërisë shqiptare”.

Ne i kujtojmë Komunitetit Musliman se në vende të qytetëruar në vitin 2013, nuk mund të bësh një hierarki të të drejtave. Të drejtat e njeriut janë njësoj e të panegociueshme, ashtu sicc, për shembull, ne mendojmë se edhe e drejta e femrës muslimane për të mbajtur shami është e panegociueshme.

Sigurisht, dikush mund të thoshte se “kemi problem të tjera”, por ne sërish mendojmë se po, kemi probleme shumë por edhe të drejtat e muslimanëve duhet të jenë pjesë e axhendës së debatit public dhe institucional në respect të të drejtave të shprehjes dhe lirisë së besimit.

I tërheqim vëmëndjen Komunitetit Musliman se nuk mund t’i drejtohet ministrit të Drejtësisë për t’u ankuar për Avokatin e Popullit. Ky i fundit është një institucion kushtetues, që do të thotë se edhe teorikisht edhe ligjërisht qëndron në një shkallë më të lartë në hierarkinë shtetërore dhe institucionale. Besojmë se kjo duhet të jetë një lapsus i pafalshëm për komunitetin musliman: Avokati i Popullit përgjigjet para Kuvendit, jo para ministrit.

Së fundi, i rikujtojmë Komunitetit Musliman se Shqipëria, ndryshe nga Irani, Arabia apo disa vende të tjera, është një vend laik, ku shteti nuk ndërhyn në ccështje të fesë me besimin se edhe feja nuk do të ndërhyjë në punë të shtetit dhe të institucioneve.

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com