Ditën e shtunë, mes emocionesh dhe surprizash, u zhvillua konkursi i shumëpritur i bukurisë, Miss Trans Albania 2019.
Eventi i organizuar nga Aleanca LGBT dhe Streha LGBT, promovon bukurinë e vajzave transgjinore dhe rrit vizibilitetin e komunitetit trans në vendin tonë, duke u dhënë mundësinë këtyre vajzave të guximshme, për të festuar bukurinë dhe individualitetin e tyre në shoqëri.
Këtë vit në Miss Trans Albania morën pjesë 10 vajza të cilat konkuruan në 3 sfilata. Sfilatat u ndërthurën me performanca të shumta nga të ftuarat dhe me humorin e dy moderatoreve, Klea dhe Hirushja.
Ami, Roksana, Megi, Fiona, Luana, dhe Ishtari ishin finalistet e zgjedhura nga votimi i jurisë, ndërkohë që verdikti i anëtarëve të jurisë shoqërohej me duartrokitjet dhe brohoritjet e publikut.
Në spektakël nuk munguan as mesazhet drejtuar shoqërisë për të qenë më pranuese ndaj individëve të komunitetit LGBTI dhe gjithashtu u shpreh dhe mirënjohje për organizatorët dhe përkrahësit e eventit. Prej vitesh tashmë, Aleanca dhe Streha LGBT janë përkrahja kryesore për një pjesë të madhe të komunitetit LGBTI në Shqipëri dhe në vitin e pestë të organizimit të Miss Trans Albania duket se përkrahja institucionale dhe shoqërore për komunitetin është ende shumë e ulët.
Midis vajzave finaliste, juria përzgjodhi sërish dy vajza dhe në fund prej brohoritjeve të publikut fituese doli Ishtari, vajza e cila përvec bukurisë doli në pah dhe për vetëbesimin që kishte në vete.
Në ndryshim nga edicioni i kaluar i Miss Trans Shqipëria, këtë vit vajzat janë ndjerë më të sigurta për tu ekspozuar ndaj aparatit fotografik. Përkrahja dhe duartrokitjet e publikut i kanë ndihmuar ato për tu ndjerë më komode dhe në një mjedis miqësor ndaj komunitetit.
Miss Trans Albania është një aktivitet i organizuar në kuadër të projektit PRIDE Albania*.