Rubrika "Personazhi i ditës" - Edlira Mara

Edlira Mara është aktiviste e lëvizjes LGBT+ prej 10 vitesh dhe një feministe e flaktë. Është bashkëthemeluese e ProLGBT si dhe ka kontribuar në fillimet e portalit Historia Ime. Ajo është pjesë e  stafit të Strehës, shelterit të parë për personat LGBT+ në të gjithë Europën Juglindore që në vitin 2014 në pozicionin e outreach/koordinatore terreni. Ka mbaruar studimet Bachelor për Manaxhim Biznesi dhe është mbrojtëse e apasionuar e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Vizioni i Edlirës është integrimi më i gjerë i sa më shumë individëve nga komuniteti LGBT+, në një shoqëri më të lirë, të hapur, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për personat LGBT+. Edlira gjithashtu ka qënë koordinatore e projektit "Besim dhe Siguri 1" ku qëllimi ishte rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit LGBT+ për të denoncuar incidente kriminale me bazë homofobie dhe të informojnë forcat e policisë mbi format e diskriminimit kundër këtij komuniteti.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Kejda Jahja

Kejda Jahja është një ndër aktivistet e para në Shqipëri për të drejtat e komunitetit LGBTQI+. Ajo ka qënë një ndër nismëtaret e lëvizjes për të drejtat LGBTQI+ në Shqipëri. Në dokumentarin SkaNdal shfaqet se si Kejda takohet me Xhenin dhe fillojnë të hedhin hapat e para drejt një lëvizjeje të re shoqërore, e cila lufton për të drejta të barabarta për komunitetin.

Që në moshë të vogël ajo tregon se ka dal hapur te shoqëria dhe familja për orientimin e saj seksual: “Unë kam qenë e vetmja që në moshën 13­ vjeçare ia kam bërë të ditur si familjes sime, ashtu dhe shoqërisë që më rrethonte, faktin që unë jam lesbike, dhe se jam krenare që jam e tillë. Këto janë ndjenjat e mia, ndaj nuk mund të shtirem ndryshe. Jeni të lirë të më pranoni, ose të mos më pranoni!”

Përveç gjurmëve që ajo ka lënë në historinë e komunitetit LGBTQI+ në Shqiperi, nëpërmjet aksioneve dhe fushatave të ndryshme, ajo bashkë më të dashurën e vetë kanë qënë lesbiket e para që kanë marr pjesë në Big Brother. Pjesëmarrja e saj në Big Brother u prit me shumë polemika nga shoqëria, por pavarësisht polemikave, Kejda arriti të sillte kauzën LGBTQI+ në ekranet e çdo shtëpie shqiptare.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Erjon Tela

Erjon Tela është aktivist shqiptar i cili në fund të vitit 2011 ishte pjesëtar i grupit që themeloi organizatën Pro LGBT. Po atë vit ai nisi të shkruajë në Facebook dy histori të ndara në pjesë të shkurtra për komunitetin LGBT. Duke qënë se komuniteti LGBT portretizohej përmes stereotipeve këto histori shërbyen për të motivuar ata qindra vetë që nuk e gjenin veten në median tradicionale. Këto ishin fillesat e asaj që më vonë u quajt Historia Ime, platforma që u lançua në 2012 edhe vazhdon të mbetet portali i vetëm në shqip për komunitetin LGBT në të gjithë rajonin.

Ai mundi në ato kohë ti bënte një intervistë Vladimir Luxurias, politikanes komuniste, shkrimtares dhe deputetes së parë transgjinore italiane, intervistë që i dha më shume vizibilitet faqes Historia Ime. Erjoni nuk ka qënë një mediatik në aktivizmin e tij por ai ka qënë pas çdo nisme kryesore të dekadës së fundit në Shqipëri. Pjesëmarrës në paradën e parë të krenarisë në prill të 2012, nismëtar edhe pjesëmarrës i cdo aksioni që nga viti 2010.

Ai  ka qënë bashkëthemelues i qendrës Streha (vazhdon të jetë anëtar i bordit të saj) dhe ka qënë menaxheri operacional I saj në momentin kyç, të ngritjes së saj në shtator 2014. Erjoni ka qënë instrumenti kryesor përmes të cilit organizata rinore ndërkombëtare IGLYO ka shtrirë aktivitetin e saj në Shqipëri. Aktualisht jeton në Vankuver të Kanadasë, ku studion biznes në Kwantlen, universitet politeknik publik në British Columbia. Ai vazhdon aktivizmin edhe në Kanada dhe ka fituar për këtë edhe një çmim nga Cher Vancouver, një organizatë rinore queer.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Anxhela

Anxhela është një nga anëtaret më të njohura në Shqipëri, të komunitetit LGBTQI+ për shkak të historisë së saj të mbushur me momente të dhimbshme e të lumtura. Është e vështirë të përmbledhësh historinë e Anxhelës në pak paragrafë kështu që do përmendim disa momente kyçe nga jeta e saj.

Ajo është braktisur në moshën 9 vjeçare dhe është rritur në jetimore. Që herët sistemi e ka lënë në harresë Anxhelën duke mos i siguruar të mirat bazike që asaj si qytetare e Shqipërisë i takojnë. Gjatë gjithë jetës së vetë ka përjetuar diskriminim dhe dhunë, por këto nuk e kanë ndalur atë.

Vitin e kaluar, Anxhela marshoi krah më krah me gratë e tjera të cilat kishin organizuar protestën e 8 Marsit. Gjatë marshimit ajo mori dhe fjalën dhe rrëfeu historinë e jetës së saj. Gjithashtu vitin e kaluar për herë të parë marshuan në paradën e përvitshme vajza nga komuniteti transgjinor në Shqipëri. Anxhela kryesoi marshimin me thirrje e këngë për të drejtat e munguara ndër vitet të komunitetit transgjinor.

Anxhela është një frymëzim për të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri!

Rubrika "Personazhi i ditës" - Bekim Asani

Bekim Asani është aktivist nga Tetova për komunitetin LGBTI+ në Maqedoni. Ai është themelues dhe drejtues i organizatës "LGBT Junajted Tetovo", e cila promovon integrimin e personave nga ky komunitet në shoqërinë maqedonase.

Gjatë lobimit të tij si aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, Bekimi është përpjekur vazhdimisht të gërshetojë këto të drejta me lëvizje të tjera si të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve dhe të komunitetit Romë. Gjithashtu përpjekjet e tij bazohen dhe mbi diversitetin gjuhësor, linguistik si dhe kontekstin fetar.

Bekim është fokusuar në të punuarit me komunitetin LGBTI+ në qytete të ndryshme si Tetova, Gostivari, Struga dhe Kumanova. Në vitin 2017 Bekimi u nderua me Çmimin francezo-gjerman për të drejtat e njeriut për punën e tij në luftën kundër diskriminimit nga Ambasada franceze në Maqedoni.

Gjatë punës së tij si një ndër aktivistët e paktë që ka dal hapur e ka lobuar për të drejtat LGBTI në Maqedoni, Asani është ndeshur me ofendime, gjuhë diskriminuese dhe kërcënime me jetë. Bekimi ka qënë i pari që ka organizuar "Queer Iftar" me organizatën "LGBT Junajted Tetovo", pra një iftar për të gjithë personat e komunitetit LGBTI+ në Tetovë që i përkasin besimit fetar mysliman.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Lola

Lola është një nga vajzat e guximshme transgjinore, 25 vjeçare dhe një nga aktivistet më me zë të komunitetit trans në Shqipëri. Lola doli hapur për identitetin e saj gjinor gjatë periudhës të gjimnazit. Për shkak të bullizmit me të cilin ajo u përball, u detyrua që ta braktiste gjimnazin.

Ajo shprehet që mungesa e informacionit rreth komunitetit LGBTQI+  është një prej arsyeve nga buron homofobia. Faktorë të tjerë që sipas Lolës ndikojnë në nivelin e lartë të homofobisë në shoqërinë shqiptare janë edhe feja dhe patriarkalizmi. Feja sipas saj nuk është faktor shumë i rëndësishëm por gjithsesi ngelet faktor. Përsa i përket patriarkalizmit Lola mendon se partiarkalizmi e vështirëson situatën e djemve gay dhe personave transgjinor, sepse të qënit gay ose trans shihet si “përdhosje” e burrërisë. Ajo është optimiste dhe mendon se situata edhe pse me ritme të ngadalta ka filluar të ndryshoj për komunitetin LGBTQI+.

Në një intervistë për Trans Magazine, ku ajo tregon për historinë e jetës së saj, ajo tregon se si ndihen fëmijët transgjinor: “Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të jem dikush që nuk dua të jem, mos më nxirr nga ajo vatër hyjnore ku dashuria të ngroh, të rrit dhe të ushqen. Ajo është e imja ashtu si e vëllezërve dhe motrave të mia. Ndoshta unë nuk jam djali që ti doje, por mund të jem vajza që do të të bëj krenare.”

X