Raporti i Zgjerimit i BE-së 2025 për Shqipërinë: Nevojë për më shumë veprim në fushën e të drejtave të njeriut

Facebook
Twitter
LinkedIn

Çfarë është Raporti i Zgjerimit dhe pse ka rëndësi?

Raporti i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një dokument vjetor i Komisionit Evropian, që vlerëson përparimin e vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Ai analizon situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në secilin vend kandidat, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Ky raport është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi tregon qartë se në cilat fusha vendi ka përparuar dhe ku nevojiten përmirësime konkrete për t’u përafruar me standardet evropiane.

Gjetjet mbi barazinë gjinore, diskriminimin dhe komunitetin LGBTI

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin, theksohet se Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e barazisë gjinore dhe të drejtave të personave LGBTIQ+.

Korniza ligjore për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore mbetet vetëm pjesërisht e përafruar me acquis të BE-së dhe Konventën e Stambollit, ndërsa zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 mbetet i dobët. Gratë në zonat rurale, gratë rome dhe egjiptiane, si dhe personat LGBTIQ+, vazhdojnë të përballen me diskriminim të shumëfishtë.

Korniza ligjore për luftimin e dhunës me bazë gjinore nuk është ende e përafruar me Konventën e Stambollit dhe me acquis të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me të drejtat e LGBTIQ+, raporti vëren se shumica e masave të Planit Kombëtar të Veprimit 2021–2027 nuk janë zbatuar, për shkak të mungesës së burimeve dhe vullnetit politik. Ligjet për krimet dhe gjuhën e urrejtjes janë në përputhje me standardet e BE-së, por zbatimi dhe ndërgjegjësimi publik – sidomos në zonat rurale – mbeten sfidë.

Komisioni bën thirrje për forcim të zbatimit të ligjeve ekzistuese, mbledhje më gjithëpërfshirëse të të dhënave dhe angazhim më të madh institucional për të garantuar mbrojtje efektive dhe barazi për të gjithë qytetarët.

Reformat në letër nuk mjaftojnë

Gjetjet e raportit përfshijnë edhe fusha të tjera të rëndësishme të të drejtave të njeriut, si liria e shprehjes, mbrojtja e minoriteteve etnike dhe zbatimi i ligjit, të cilat mbeten sfida të vazhdueshme për Shqipërinë. Edhe pse janë ndërmarrë disa hapa për përmirësim, mangësitë në zbatim dhe mungesa e përgjegjshmërisë institucionale tregojnë se progresi është ende i brishtë dhe jo i qëndrueshëm.

Klikoni këtu për raportin e plotë (në anglisht).

Scroll to Top