DEKLARATË PUBLIKE: Mbi Procedurat për Identifikimin, Marrjen në Mbrojtje dhe Sistemimin e Luana Myrtos në Qendrën “Streha”

Facebook
Twitter
LinkedIn

Me anë të kësaj deklarate Qendra “Streha” dhe Aleanca kundër Diskriminimit LGBT ofrojnë një përmbledhje të dokumentuar të procesit institucional të ndjekur në vitin 2015 për të adresuar rastin e Luana Myrtos, rast për të cilin ka pasur spekulime në mediat tradicionale dhe sociale.Shumë elemente të këtij rasti janë bërë publike në mënyrë të përsëritur në televizion dhe mediat sociale nga vetë Luana Myrto, duke përfshirë faktin që në vitin 2015 ky person ishte i mitur. Ne kemi zgjedhur të ndajmë me kujdes vetëm informacionin e domosdoshëm për të shpjeguar procesin e ndjekur, pa dhënë detaje që bien ndesh me ruajtjen e konfidencialitetit dhe të integritetit të personit të përfshirë, pra, të Luanës.Çdo hap i shpjeguar në vijim është ndërmarrë në bazë të vendimeve të institucioneve shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj të miturve, me të cilat Aleanca kundër Diskriminimit LGBT ka bashkëpunuar për këtë rast.

Procesit i marrjes në mbrojtje dhe kujdes në vazhdim për të miturin në fjalë, përfshin:

(1) Identifikimin e rastit;

(2) Marrjen në mbrojtje;

(3) Strehimin e përkohshëm; dhe

(4) Sistemimin afatgjatë.

Identifikimi fillestar:

1. Rasti u identifikua fillimisht në shkollën X në Durrës, ku psikologia e institucionit u njoftua nga i mituri për problematika shqetësuese në familje dhe komunitet. Psikologia njoftoi menjëherë Koordinatoren e një organizate jofitimprurëse vendore, e cila zhvilloi takime me të miturin dhe nënën e tij.

2. Në dhjetor të vitit 2014, Koordinatorja e kësaj organizate e referoi zyrtarisht rastin në Drejtorinë e Shërbimit Social pranë bashkisë Durrës.

3. Më pas, Specialistja për Dhunën në Familje në bashkinë Durrës njoftoi sektorin përkatës dhe Punonjësen për Mbrojtjen e Fëmijëve në këtë bashki, sipas procedurës standarde të referimit, në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 10 347, datë 04.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 334, datë 17.02.2011 dhe VKM nr. 265, datë 12.04.2012.

4. Në shkurt të vitit 2015, i mituri u paraqit vullnetarisht pranë Aleancës kundër Diskriminimit LGBT (‘Aleanca’), ku vetëdeklaroi situatën e vështirë, në të cilën ndodhej, faktin që ishte larguar nga shtëpia dhe faktin se po jetonte me njerëz të panjohur. Pas vlerësimit formal, u konstatua se ky i mitur ishte në situatë të jetesës në rrugë dhe në rrezik të lartë për jetën dhe shëndetin. Aleanca informoi menjëherë prindërit e të miturit dhe e referoi këtë rast te Zyra e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Drejtoria e Shërbimit Social të bashkisë Durrës.

5. Në vijim, Punonjësja për Mbrojtjen e Fëmijës (PMF) pranë bashkisë Durrës thirri mbledhjen e Grupit Teknik Multidisipinar (GTM), një mekanizëm ndërinstitucional në nivel të pushtetit lokal, i mandatuar me VKM Nr. 265, datë 12.04.2012 “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit të tij”. GTM ftoi Aleancën që të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Identifikimi formal:

  1. I mituri u paraqit i shoqëruar për të kryer denoncimin përkatës në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë. Bazuar në faktet e paraqitura gjatë kallëzimit penal, Oficeri i Policisë Gjyqësore vendosi marrjen në mbrojtje të të miturit.
  2. GTM konkludoi se i mituri ishte në rrezik të lartë dhe duhej marrë në mbrojtje të menjëhershme dhe hartoi Planin e Punës për adresimin e këtij rasti.
  3. Organizata ARSIS plotësoi Aneksin 9.12, sipas VKM nr. 582/2011, duke e kategorizuar rastin si Viktimë e Mundshme e Trafikimit dhe e referoi atë në Autoritetin Përgjegjës shtetëror.

Marrja në mbrojtje dhe strehimi emergjent i sigurt:

  1. Policia aktivizoi mekanizmin e referimit sipas VKM nr. 582/2011, njoftoi shërbimin emergjent të organizatës ARSIS dhe mori të miturin në mbrojtje emergjente.   
  2. Në përfundim të strehimit emergjent dhe në zbatim të planit të punës së GMT-së për të adresuar këtë rast, në shkurt 2015, të dy prindërit e të miturit firmosën një Deklaratë Noteriale Dakordësie për Akomodimin e të Miturit në Institucione të Përkujdesjes Shoqërore, sipas VKM nr. 425, datë 27.06.2012 dhe VKM nr. 839, datë 03.12.2014.
  3. Në Planin e Punës së GTM-së ishin parashikuar tri alternativa strehimi: organizata“Tjetër Vizion”, Fshati SOS dhe Aleanca me shërbimin “Streha”. Meqenëse “Tjetër Vizion” dhe Fshati SOS nuk mund ta akomodonin të miturin, Punonjësja për Mbrojtjen e Fëmijës e bashkisë Durrës miratoi akomodimin e përkohshëm të të miturit në shërbimin Streha të Aleancës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

Strehimi i përkohshëm:

  1. Nga muaji shkurt deri në muajin maj 2015, i mituri ka qenë i akomoduar në shërbimin Streha të Aleancës, ku ju ofrua strehim, mbështetje psiko-sociale dhe aktivitete të edukimit joformal. Theksojmë, se shërbimi Streha nuk ofron asnjë shërbim shëndetësor, por i referon rastet në sistemin shëndetësor publik.  Për sa i përket arsmimit të rastit, në mars 2015 Aleanca i kërkoi Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) në Tiranë regjistrimin e këtij të mituri në shkollë.
  2. Gjatë tre muajve kur rasti qëndroi në shërbimin Streha, Aleanca vazhdoi komunikimin institucional me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror për strehimin afatgjatë të të miturit. Ndërkohë, nga takimet e zhvilluara me familjarët rezultoi se nuk ishte i mundur rikthimi në familje apo tek të afërmit.
  3. Gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në qendrën Streha nuk ka patur asnjë ankesë dhe/ose shqetësim të ngritur nga i mituri apo nga familjarët mbi cilësinë dhe kushtet e shërbimit në Strehë.
  4. Në maj të vitit 2015, i mituri zhvilloi intervistën formal Policinë e Shtetit dhe u plotësuan Anekset 9.2, 9.3 dhe 9.4, në zbatim të procedurave standarde të përcaktuara në VKM nr. 582, datë 27.07.2011 “Për miratimin e procedurave standarde të veprimit për identifikimin dhe referimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit”. Në përmbyllje të intervistës u konkludua formalisht se i mituri ishte Viktimë e Mundshme e Trafikimit.

Strehimi afatgjatë:

  1. Në maj të vitit 2015, i mituri u transferua zyrtarisht në strehimin afatgjatë të organizatës  “Tjetër Vizion”, proces i dokumentuar përmes Aneksit 9.8 “Deklaratë e marrjes në kujdes të të miturit nga institucionet e përkujdesjes”. Me këtë veprim institucional përfundoi edhe akomodimi i këtij të mituri në shërbimin Streha.

Në përfundim, theksojmë se rasti i të miturit në fjalë është trajtuar në përputhje të plotë me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi, me procedurat zyrtare shtetërore dhe me standardet kombëtare e ndërkombëtare të mbrojtjes së të miturve. Çdo insinuatë që sugjeron të kundërtën, bie ndesh me dokumentacionin zyrtar, me bashkëpunimin institucional të ndjekur dhe me çdo provë të administruar në dosje. Përdorimi i këtij rasti në mënyrë të shtrembëruar dhe speculative, përbën jo vetëm keqinformim të publikut, por edhe dhunim të dinjitetit, integritetit profesional dhe institucional të të gjithë aktorëve të përfshirë.

Shënim: Procedurat e përshkruara në këtë dokument mbështeten tërësisht në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi gjatë periudhës shkurt – maj 2015, kur i mituri në fjalë ka marrë shërbime nga Streha, duke respektuar standardet e përcaktuara në:

  • Ligjin nr. 10 347, datë 04.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”;
  • VKM nr. 334, datë 17.02.2011 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe mënyrën e procedimit të tij”;
  • VKM nr. 265, datë 12.04.2012 “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit të tij”;
  • VKM nr. 582, datë 27.07.2011 “Për miratimin e procedurave standarde të veprimit për identifikimin dhe referimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit”;
  • VKM nr. 425, datë 27.06.2012 “Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror” dhe VKM nr. 839, datë 03.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 425, datë 27.06.2012”;
  • Udhëzimi nr. 10, datë 25.02.2015 “Për mënyrat, format e bashkëpunimit dhe procedurat e ndërhyrjes në ndihmë të fëmijëve në rrezik për institucionet dhe strukturat kryesore përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës”.

Scroll to Top