Shqipëria refuzon 5 nga rekomandimet e OKB mbi të drejtat LGBTI

Facebook
Twitter
LinkedIn

Në këtë seancë, shtetet anëtare të OKB rishikojnë praktikat e e njëri-tjetrit në zbatimin e të drejtave të njeriut, duke dhënë rekomandimet e tyre, pas një raportimi të institucioneve përgjegjëse dhe organizatave të shoqërisë civile. Rishikimi i Shqipërisë u mbajt më 6 maj 2019. Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga Zëvendës Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme znj. Artemis Dralo.

Gjatë dialogut interaktiv, 66 delegacione dhanë deklarata dhe Shqipëria mori gjithsej 197 rekomandime, 14 prej tyre ishin rekomandime në fushën e SOGIESC (orientimi seksual, identiteti gjinor, shprehitë gjinore dhe karakteristikat e seksit). Ky është një numër dukshëm më i lartë në krahasim me ciklin e mëparshëm të UPR, kur vendi ynë mori vetëm 3 rekomandime në fushën e SOGIESC.

Katër organizata, përkatësisht: Aleanca Lgbt, Pro-LGBT, Ambasada Pink dhe Streha, me ndihmën e ERA bënë të mundur në Maj shtimin e rekomandimeve të shteteve anëtare të OKB për Shqipërinë, një veprim i cili nxjerr në dukje mangësitë e legjislacionit dhe u jep një mundësi institucioneve tona për përmirësimin e tij dhe avancimin e mëtejshëm në fushën e të drejtave të njeriut dhe atyre LGBTI.

Në total vendi ynë mori 197 rekomandime për përmirësimin e qasjes në fushën e të drejtave të njeriut.

Përgjigja e Shqipërisë
Gjatë javës së shkuar, në sesionin e 42-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ju përgjigj pozitivisht 9 rekomandimeve nga fusha SOGIESC. Duke përshëndetur veprimin pozitiv të autoriteteve tona, sërish shprehim keqardhje dhe shqetësim për refuzimin e 5 rekomandimeve të rëndësishme, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit të Familjes, një nga pikat e parashikuar dhe në strategjinë kombëtare për komuniteti LGBTI.

Në reagimin zyrtar të Shqipërisë në sesionin e 42-të të Këshillit shkruhet: “Në lidhje me ndryshimet e Kodit të Familjes për të siguruar njohje ligjore
për partneritetin dhe bashkimin civil të personave të seksit të njëjtë siç thuhet konkretisht në rekomandimet e mësipërme, Qeveria e Republikës së Shqipërisë aktualisht nuk po planifikon (për 4 vitet e ardhshme) propozime për të përfshirë këto ndryshime në Kodin e Familjes.”
Në një reagim zyrtar gjatë seancës së Këshillit, përfaqësues së Shoqatës Ndërkombëtare të Gejve dhe Lezbikeve ILGA, organizatë partnere e jona dhe kolegëve tanë në Shqipëri, adresuan reagimin e Shqipërisë, duke vendosur theksin sërish te zbatimi i ndryshimeve në Kodin e Familjes, si një hap i cili do të përmirësonte ndjeshëm situatën e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Situata e personave LGBTI në Shqipëri mbetet shqetësuese. Mos-miratimi i ndryshimeve të Kodit të Familjes, duke prezantuar partneritetin brenda të njëjtit seks, është në kundërshtim me Planin Kombëtar të Veprimit 2016-2020 për personat LGBTI në Shqipëri, duke lënë partnerët e të njëjtit seks në boshllëk ligjor dhe pasiguri dhe duke ndikuar në jetën e tyre të përditshme. Projektimi dhe implementimi i një mekanizmi të integruar të mbrojtjes institucionale për këtë Plan Veprimi mungon dhe nuk ka rritje të niveleve të raportimit të diskriminimit, dhunës dhe ngacmimit ndaj komuniteteve LGBTI.”, thuhet në deklarimin e ILGA.
Shqetësues për ta dhe për organizatat tona në Shqipëri mbetet dhe ngacmimi i fëmijëve dhe të rinjve LGBTI, i cili është duke vazhduar dhe nuk ka masa mbështetëse psikologjike për të zvogëluar nivelet e braktisjes së të rinjve LGBTI nga familjet e tyre.

Ende nuk ka njohuri ligjore gjinore në dispozicion në vend dhe asnjë shërbim shëndetësor për personat transgjinorë. Personat interseks mbeten ligjërisht të padukshëm dhe të pambrojtur, dhe nuk ka të dhëna të përshtatshme në dispozicion për këtë komunitet.

Aleanca LGBT, Pro-LGBT, Streha, Ambasada Pink dhe të gjithë organizatat e tjera partnere në vend do të vijojnë punën për adresimin e mëtejshëm të këtyre shqetësimeve në bashkëpunimin me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve tanë ndërkombëtare, për të siguruar një përmirësim të kushteve të jetesës së individëve LGBTI në vend dhe adresimin e problematikave të përditshme të tyre./k.j

(Burimi:Historia-ime.com)

Scroll to Top