Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Shqipërinë 2026, duke vlerësuar progresin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Raporti evidenton përparime në disa fusha, por njëkohësisht nënvizon se zbatimi i reformave, forcimi i institucioneve dhe garantimi i të drejtave themelore vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme.
Shqipëria ka hapur grupkapitullin e fundit të negociatave dhe ka përmbushur disa prej kritereve të ndërmjetme të grupkapitullit të parë, që lidhet me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Megjithatë, Komisioni thekson nevojën për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, forcim të dialogut politik, rritje të transparencës dhe përmirësim të konsultimit publik.
Të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi: përparim ligjor, por zbatim i pamjaftueshëm.
Një prej problematikave të evidentuara është hendeku mes përmirësimit të kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij në praktikë. Pavarësisht ndryshimeve në legjislacionin kundër diskriminimit, kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për barazinë mbeten të pamjaftueshme. Personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim, qëndrime negative dhe gjuhë urrejtjeje.
Shqipëria ende nuk njeh dhe nuk mbron ligjërisht çiftet e të njëjtit seks dhe nuk ka një kuadër ligjor për njohjen e identitetit gjinor.
Për më tepër, zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTIQ+ 2021–2027 nuk ka shënuar përparim, përtej miratimit të protokollit të parë mjekësor për terapinë hormonale afirmuese të gjinisë.
Një shqetësim i veçantë lidhet me mospërputhjen e legjislacionit shqiptar me standardet dhe jurisprudencën e gjykatave evropiane. Komisioni Evropian thekson se Shqipëria ende nuk ofron njohje dhe mbrojtje ligjore për çiftet e të njëjtit seks, në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Po ashtu, mungon një kuadër ligjor për njohjen e identitetit gjinor, çka nuk përputhet me jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe ngre shqetësime edhe për përputhshmërinë me praktikën përkatëse të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDBE). Kjo tregon se Shqipëria jo vetëm që ka mbetur pas në garantimin e të drejtave të personave LGBTIQ+, por edhe nuk ka ndërmarrë ndryshimet e nevojshme ligjore për të përmbushur standardet evropiane. Ndërkohë, pavarësisht miratimit të protokollit të parë mjekësor për terapinë hormonale afirmuese të gjinisë, zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTIQ+ 2021–2027 ka mbetur praktikisht në vendnumëro, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe burimeve financiare.
Gjithashtu, gjatë vitit 2025, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi trajtoi 26 raste të pretenduara të gjuhës së urrejtjes, kryesisht për shkak të identitetit gjinor dhe orientimit seksual. Në dy prej tyre u konstatua gjuhë urrejtjeje. Ndërkohë, në polici u raportuan 25 raste të krimeve të urrejtjes gjatë vitit 2025 dhe 17 të tjera vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.Shqetësime mbeten edhe për të drejtat e komuniteteve rome dhe egjiptiane, personave me aftësi të kufizuara dhe pakicave të tjera. Raporti kërkon më shumë burime, masa konkrete kundër diskriminimit dhe zbatim efektiv të politikave për përfshirjen e tyre.
Dhuna me bazë gjinore dhe të drejtat e fëmijëve
Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje mbeten problem serioz. Sipas raportit, 47% e grave dhe vajzave deklarojnë se kanë përjetuar dhunë nga partneri intim. Mekanizmat e referimit në nivel vendor, shërbimet e specializuara dhe mbështetja për viktimat kanë nevojë për financim dhe kapacitete më të qëndrueshme. Edhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve mbetet e pamjaftueshme. Vetëm 64% e masave të Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021–2026 janë zbatuar plotësisht. Abuzimi, shfrytëzimi, neglizhimi dhe dhuna ndaj fëmijëve, përfshirë atë në internet, vijojnë të përbëjnë shqetësime serioze.
Shoqëria civile dhe liria e shprehjes nën presion
Raporti evidenton një mjedis vetëm pjesërisht mundësues për civile. Organizatat dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, veçanërisht ata që punojnë për të drejtat e grave dhe personave LGBTIQ+, janë përballur me narrativa negative dhe fushata denigruese në internet. Mungojnë mekanizmat e posaçëm për mbrojtjen nga intimidimi dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gjithashtu, strategjia qeveritare për mbështetjen e shoqërisë civile ka përfunduar në vitin 2023 dhe ende nuk ka shenja për hartimin e një strategjie të re. Financimi publik dhe stimujt fiskalë për organizatat mbeten të kufizuar.
Edhe liria e medias përballet me sfida, përfshirë përqendrimin e pronësisë, ndikimin politik dhe ekonomik, presionin ndaj gazetarëve dhe kushtet e pasigurta të punës.
Procesi i integrimit evropian duhet të përkthehet në përmirësim të jetës së qytetarëve dhe garantim të të drejtave të tyre.
Barazia, përfaqësimi i drejtë, njohja ligjore dhe mbrojtja e personave LGBTIQ+ dhe të gjitha pakicave nuk janë çështje dytësore apo objektiva që mund të shtyhen për më vonë. Ato janë pjesë e vlerave dhe standardeve evropiane dhe duhet të jenë të panegociueshme në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Burimi: Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026, publikuar më 4 nëntor 2026. Raporti mbulon periudhën 1 shtator 2025 – 1 shtator 2026.
