Kejda Jahja është një ndër aktivistet e para në Shqipëri për të drejtat e komunitetit LGBTQI+. Ajo ka qënë një ndër nismëtaret e lëvizjes për të drejtat LGBTQI+ në Shqipëri. Në dokumentarin SkaNdal shfaqet se si Kejda takohet me Xhenin dhe fillojnë të hedhin hapat e para drejt një lëvizjeje të re shoqërore, e cila lufton për të drejta të barabarta për komunitetin.
Që në moshë të vogël ajo tregon se ka dal hapur te shoqëria dhe familja për orientimin e saj seksual: “Unë kam qenë e vetmja që në moshën 13 vjeçare ia kam bërë të ditur si familjes sime, ashtu dhe shoqërisë që më rrethonte, faktin që unë jam lesbike, dhe se jam krenare që jam e tillë. Këto janë ndjenjat e mia, ndaj nuk mund të shtirem ndryshe. Jeni të lirë të më pranoni, ose të mos më pranoni!”
Përveç gjurmëve që ajo ka lënë në historinë e komunitetit LGBTQI+ në Shqiperi, nëpërmjet aksioneve dhe fushatave të ndryshme, ajo bashkë më të dashurën e vetë kanë qënë lesbiket e para që kanë marr pjesë në Big Brother. Pjesëmarrja e saj në Big Brother u prit me shumë polemika nga shoqëria, por pavarësisht polemikave, Kejda arriti të sillte kauzën LGBTQI+ në ekranet e çdo shtëpie shqiptare.