Për herë të parë në Shqipëri, është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, një protokoll Mjekësor për Vlerësimin e Fëmijëve me Zhvillim Gjenital Atipik, ose personat interseks.
Kjo është një ndër arritjet më të mëdha të organizatave për Mbrotjen e të Drejtave të Njeriut, dhe organizatave që mbrojnë specifikisht fëmijët dhe personat me Zhvillim Gjenital Atipik, në Shqipëri.
Tanimë në bazë të protokollit të firmosur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, vendi ynë bashkohet me dhjetëra vende të tjera, ku ndalohet kategorikisht ndërhyrja kirurgjikale tek fëmijët interseks.
Deri më sot në Shqipëri, mjaftonte që prindi të ishte dakord për ndërhyrjen, dhe mjekët e realizonin, por tanimë sipas protokollit, kjo gjë nuk mund të ndodhë pa një procedurë ligjore, dhe ndaj fëmijës mund të ushtrohet ndërhyrje kirurgjikale, vetëm nëse është e nevojshme nga ana shëndetësore.
Anisa Metalla, juriste pranë Tirana Legal Aid Society (TLAS) , një organizatë që është marrë vazhdimisht me personat interseks, dhe ka qenë më e zëshmja për miratimin e këtij protokolli, shprehet se kjo është një arritje e madhe dhe e domosdoshme për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
“Sipas këtij prtokolli, ndërhyrjet kirurgjikale, ose qasja mjekësore duhet të jepet vetëm në ato raste kur ka nevojë për të, dhe ndërhyrjet duhet të bëhet sipas protokollit dhe jo si vendosnin prindërit, e dua djalë apo vajzë” –shprehet Anisa Metalla
“Në ato raste kur prindërit nuk veprojnë sipas udhëzimit të mjekëve, ka një procedurë strikte, mblidhet një grup multidisiplinar, që të informohet prindi dhe është e detyrueshme të thirret Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve (NMF) që është në nivel Bashkie si strukturë e posaҫme për të përcaktuar një plan mbrojtje për fëmijët kur ka rreziqe për këto ta dhe kjo gjë është një risi në këtë protokoll. Më tej, përcaktohet qartasi në gjuhën shqipe, se ҫfarë është kjo gjendje, dhe shpjegime nga ana ligjore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh të shëndetësisë, që tregojnë se ҫfarë do të thotë kjo në gjendjen shëndetësore. Eshtë shumë e rëndësishme dhe qasja psiko-sociale që është dhënë në këtë protokoll”-shprehet më tej juristja Anisa Metalla.
“Nje protokoll i tillë miratohet për herë të parë dhe më në fund do të jap një mbrojtje të munguar ndaj fëmijeve interseks në Shqipëri, të cilët i nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale të panevojshme dhe të pakthyeshme, përballeshin me medikalizim të panevojshëm, mungesë informacioni dhe pamundësi për të marrë pjesë në vendime që preknin identitetin e tyre trupor.”-shkruan në një njoftim publik Tirana Legal Aid Society (TLAS) / HistoriaIme