Parada vazhdon

Facebook
Twitter
LinkedIn

Në vitin 2012, kur disa njerëz të guximshëm vendosën të sfidojnë frikën për të pedaluar për herë të parë edhe publikisht në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, për ta dhe për shumë individë të tjerë të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, izolimi social ishte jo vetëm realiteti i përditshmërisë së tyre, por edhe një armë për të mbijetuar.

Izolimi kishte forma të ndryshme.
Disa, e kishin të pamundur të përqafoheshin. Për disa të tjerë ishte e vështirë edhe të dilje nga muret e shtëpisë. Ndërsa ne e përfytyrojmë shtëpinë si vendin më të sigurt në botë, për shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ jeta familjare ishte shpesh edhe më e rrezikshme, për shkak të dhunës sistematike që ndodhte brenda atyre mureve.

Për shumë prej nesh që jetuan një jetë të fshehur, dhe të formësuar nga izolimi social, frika ishte aq e madhe sa edhe përshëndetja me veten në pasqyrë mund të ketë qenë një mision i vështirë. 8 vjet më pas, ne kemi mundësinë të ndalojmë pak, edhe të vlerësojmë rëndësinë e guximit të njerëzve si Xheni, Kristi, Erjoni, Adela, Vasilika, Marsi, Migeli, Keo, Armando, Alba, Eda, Kei, Blerta edhe të tjerë, jo për t’u përhumbur në kujtime, por për të kuptuar se roli ynë sot është ta vazhdojmë betejën për ta shembur murin që na izolon nga vetja, nga njëri tjetri dhe nga shoqëria.

Të jesh LGBTI+ do të thotë shumë më tepër se ngjyra që të përfaqëson në flamurin e diversitetit, se gjinia apo orientimi seksual, yti apo i partnerit që ti zgjedh.

Të jesh LGBTI+ sot, do të thotë të kesh përgjegjësinë për ta mbajtur të gjallë guximin, edhe për të kuptuar se fatkeqësi kalimtare si një pandemi virale, nuk mund të na ndalojë për të luftuar për një të ardhme të plotë, për këdo.
Prandaj ne kemi vendosur jo që ta anullojmë paradën e sivjetshme, por ta ripërfytyrojmë atë.

Sepse parada nuk është një event, por një pikëtakim i yni me të kaluarën dhe me të ardhmen tonë të përbashkët.

Parada nuk është një ngjarje, por një proçes që fillon fillimisht nën dhunën e izolimit personal, dhunë që na mban për vite të frikësuar dhe të izoluar brenda vetes, për të shpërthyer pastaj, më në fund, në formën e një proteste shoqërore dhe si i tillë, ky proçes nuk matet dot me orë, as me ditë, e as me javë.

Parada nuk është një moment në kalendar, por zemreku i një solidariteti shoqëror që nuk ka mekanizëm izolimi ta ndalojë së ecuri përpara.

Parada nuk është vetëm një marshim, por frymë. Atë nuk e mban gjallë numri i njerëzve që parakalojnë, por mendjet tona që kanë mundësinë ta rikrijojnë.
Ndaj Pride vazhdon … #PrideON.


Më datë 15 Maj, do të realizojmë për herë të parë Paradën e Krenarisë virtualisht, ku do japim mesazhet dhe do ngremë zërin për të drejtat tona e të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.

Për të marrë pjesë në Paradën virtuale, drejtojuni lidhjes në vijim ku mund dhe të rregjistroheni për të marrë kredencialet e futjes në Tirana #PrideON:
https://forms.gle/ETgVqekuwZriMFaN6

Parada virtuale #PrideOn do të transmetohet në rrjetet tona sociale më datë 17 Maj, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.

Scroll to Top