Pandemia e shkaktuar prej Sars-Cov2 duket se ka përqëndruar të gjithë burimet e sistemit tonë shëndetësor në trajtimin e rasteve të të prekurve nga virusi dhe gjurmimin e tyre për të ndaluar përhapjen e mëtejshme në komunitet.
Por me kapacitetet e strukturave të shëndetit publik drejt mbingarkesës dhe vëmendjen e të gjithë publikut të përqëndruar te koronavirusi i ri, rreziku i mostrajtimit të sëmundjeve të tjera kronike, midis tyre dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme sa vjen e shtohet.
Sipas të dhënave të shoqatave së personave me sëmundje kronike, ekzistojnë rreth 300.000 pacientë në të gjithë vendin, që po penalizohen nga përqëndrimi i kapaciteteve shëndetësore në luftën kundër Covid19, e cila në një vështrim afatgjatë, mund të shkaktojë edhe më shumë viktima.
Në një reagim për mediat Olimbi Hoxhaj, përfaqësuese e 6 shoqatave të pacientëve me sëmundje kronike, (shoqata e hemofilisë, talasemisë, shoqata e personave me hepatite, shoqata e personave që jetojnë me HIV/AIDS, shoqata e personave me diabet, shoqata e personave me dëmtime të shtyllës kurrizore) deklaroi se aktualisht kjo kategori nuk ka asnjë vend se ku të marrë shërbimin.
Muajt e parë ishte e kuptueshme të kishim mungesa në marrjen e shërbimit dhe ne nuk kemi reaguar, por aktualisht, 6 muaj pas fillimit të pandemisë është absurde të mos mendohet për sëmundje të tjera, përveçse Covid
“Për të sëmurët me HIV/AIDS u mbyll shërbimi në spitalin infektiv dhe nuk ka askund tjetër ku mund të trajtohen këta pacientë.”
Sipas znj. Hoxha, gjatë pandemisë ka pasur një rast, kur një pacient u identifikua me HIV në fazën e fundit të sëmundjes dhe u dërgua në shtëpi, pasi nuk mund të shtrohej në spitalin infektiv.
Por pavarësisht situatës së vështirë, në rrjete sociale vijon fushata për informimin dhe parandalimin e virusit HIV, si dhe informimi i personave të prekur nga ky virus për nxitjen e mirëqenies së tyre. Përmes llogarisë së HIV AIDS Albania (Facebook, Instagram), personat e interesuar mund të indormohen dhe përditësohen për mundësitë e parandalimit, të testimit falas për HIV dhe sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme dhe mund të ndihmojnë në mbështetjen psikologjike të njëri-tjetrit online.
Në një postim në llogarinë e tyre, dalin në pah dhe të dhëna mbi situatën e të sëmurve me HIV në Shqipëri gjatë muajve të pandemisë.
Sipas një vrojtimi të kryer nga Grupimi Evropian për Trajtimin e SIDA #EATG në Shqipëri gjatë fazës së mbylljes testimi për HIV dhe IST është ndikuar ndjeshëm, duke pësuar mjë ulje drastike ashtu sikurse edhe kërkesat për shërbime për çështje të lidhura me këto shërbime.
Arsyet përfshijnë orarin e kufizuar të punës, mungesën e masave paraprake dhe protokolleve, mungesën e kërkesës në lidhje me frikën e marrjes së COVID-19 dhe mungesën e besimit në masat e mbrojtëse të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Por pavarësisht kapaciteteve të kufizuara, testimet mbi HIV dhe SST e tjera vijojnë të kryhen falas pranë Aleanca LGBT, me një rezultat të shpejtë brenda 5 minutash.
Njëkohësisht në platformën online www.soslgbt.al, ju mund të konslutoheni anonimisht mbi HIV dhe të flisni rreth shëndetit tuaj seksual, cdo të premte në orarin 20:00 – 21:00.
Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar ngarkesë të madhe psikologjike për të gjithë ne dhe ka fokusuar të gjithë kapacitetet shëndetësore në luftimin e saj, por kujdesi për tu mbrojtur e për të marrë kurimin e duhur për personat me sëmundje kronike dhe ata që vuajnë nga HIV/SIDA dhe të tjera SST, duhet të jetë një prioritet i gjithmonshëm i yni dhe strukturave tona shëndetësore.
Për informacion më të detajuar në anglisht, mund të referoheni në këtë lidhje.
Burimi i fotos: Pixabay