Agjenda 2030, ka hyrë në dekadën e saj të fundit të veprimit. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë kthyer në pika referimi për zhvillimin e politikave afatgjata e të qëndrueshme që sigurojnë mirëqenie dhe gjithëpërfshirje të qytetarëve në të gjithë botën.
Edhe Shqipëria, përkrah që në fillesat e saj Axhendën 2030 dhe objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, por në kontektin shqiptar si po zbatohen këto objektiva dhe cili është rezultati që ato po prodhojnë?
Aleanca LGBT, mbështetur nga Swedish RSFL dhe nën kujdesin e juristes Dea Nini, kanë kënaqësinë të ndajnë me publikun e gjerë raportin RISA, mbi implementimin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm, në një perspektivë LGBTI+ në kontekstin e Shqipërisë.
Raporti RISA vjen në kuadër të Platformës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe synon të hedhë dritë mbi nivelin aktual të implementimit të Agjendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga perspektiva e komunitetit LGBTI+, duke përfaqësuar raportin e parë shqiptar të të njëjtit lloj.
Agjenda 2030 dhe 17 objektivat e saj, si një plan unik veprimi me shtrirje globale, mbartin mundësinë dhe potencialin e të qenit faktorë ndryshimi social dhe llogaridhënieje në benefit të kauzave sociale.
Para së gjithash ky raport u krijua si një mjet informimi dhe advokimi në duart e vetë komunitetit LGBTI+ dhe profesionistëve të të drejtave të njeriut në këtë dekadë të fundit të implementimit të Agjendës 2030, por edhe si një përgjigje ndaj Rishikimit të vetëm Vullnetar të paraqitur nga Qeveria Shqiptare gjatë Forumit të Lartë Politik- New York 2018.
“Në kohën që po jetojmë, të dhënat që raportohen për situatën e të drejtave të
njeriut në përgjithësi duket të jenë jo brenda kontureve të pritshmërive në drejtim të avancimit dhe realizimit progresiv. Pandemia që Bota po përjeton rishtazi, qartësisht ka ndikuar dhe me gjasë do të ndikojë të drejtat themelore në rend regresiv në të ardhmen veçanërisht në vende me demokraci të brishta si Shqipëria dhe sfidat e shumëfishta që këto vende do të duhet të përballojnë.”, shkruhet në hyrje të raportit.
“Është themelore në procesin e avancimit progresiv, të respektimit, mbrojtjes e përmbushjes së të drejtave themelore, kryerja e kërkimeve sistematike si dhe mbledhja e të dhënave lidhur me intolerancën dhe diskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, përfshirë sondazhet për qëndrimin dhe qasjet e vetë komunitetit LGBTI+.”
Raporti analizon në detaje zbatueshmërinë e objektivave dhe potencialin e tyre në krijimin e një shoqërie më të drejtë e tolerante ndaj komunitetit LGBTI+.
Për më shumë detaje, po ndajmë me ju dhe raportin e plotë në lidhjen e mëposhtme.