Nga: Dea Nini. Në muajin Tetor 2023, shteti Shqiptar ju nënshtrua procesit të rishikimit të 5-të nga Komiteti për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave sa i përket implementimit të Konventës për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën në fjalë në Maj të vitit 1994 dhe protokollin e saj opsional në Qershor 2003, duke u angazhuar drejt mbrojtjes së të drejtave të të gjitha grave nga çdo formë diskriminimi.
Në kuadër të procesit të rishikimit të shtetit shqiptar nga Komiteti CEDAW, Aleanca LGBTI dorëzoi pranë komitetit një raport paralel ku trajtohen me detaje aspekte të implementimit të konvetës në fusha si aksesi në shërbime, edukim, sistemin shëndetësor dhe njohjen ligjore për gratë lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks në Shqipëri, ku u propozua një seri rekomandimesh dhe kërkesash konkrete në këto drejtime.
Në datën 31 Tetor 2023, Komitetit CEDAW publikoi vëzhgimet e tij përfundimtare ndaj Qeverisë Shqiptare, ku pranoi rekomandimet e Aleancës LGBTI në realizim të të drejtave të grave LBTI në Shqipëri. Rekomandimet fokusohen në fusha jetike për mirëqenien dhe ekzistencën e dinjitetshme të grave lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks në Shqipëri, duke përfshirë nevojën për edukim publik mbi të drejtat dhe liritë themelore të këtyre grave si të drejta dhe liri themelore të njeriut, nevojën për të organizuar fushata publike ndërgjegjësimi në këtë drejtim, ngritjen e mekanizmave monitoruese të implementimit të rekomandimeve respektive dhe nevojën për të edukuar nëpunësit e drejtësisë drejt referimit të standardeve dhe jurisprudencës ndërkombëtare në vendimarrjet e tyre.
Në fushën e edukimit, Komiteti CEDAW shprehu shqetësim mbi ekzistencën e dhunës dhe diskriminimit në mjediset e edukimit ndaj grave LBTI si dhe mosnjohjen e procedurave të raportimit nga këto gra. Në këtë drejtim Komiteti i kërkoi Qeverisë Shqiptare që gjatë pesë viteve të ardhshme të punojë për adoptimin e politikave kombëtare kundër bullizmit në shkolla për të siguruar dhe promovuar mjedise edukuese të sigurta dhe gjithëpërfshirëse dhe për të nxitur hetimin efektiv dhe dënimin maksimal kundër dhunës, diskriminimit dhe bullizmit në sistemin arsimor.
Sa i përket fuqizimit ekonomik të të gjitha grave, Komiteti CEDAW nënvizoi në vëzhgimet përfundimtare nivelet jo proporcionale të varfërisë dhe aksesin e limituar në burime me referencë te gratë që u përkasin grupeve të disavantazhuara, duke përmendur shprehimisht gratë lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks. Rekomandimet kryesore ndaj shtetit Shqiptar në këtë drejtim për 5 vitet e ardhshme fokusohen drejt marrjes së masave efektive për të reduktuar nivelet e varfërisë për gratë LBTI si gra të disavantazhuara në shoqërinë shqiptare; promovimin e aksesit të këtyre grave ndaj kredive të buta pa kolateral; iniciativave sipërmarrëse dhe zhvillimit të aftësive profesionale.
Në dallim nga ciklet e tjera të rishikimit të implementimit të Konventës CEDAW nga shteti shqiptar, vëzhgimet përfundimtare të Tetorit 2023 përmbajnë një seksion të veçantë për gratë lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks. Komiteti CEDAW i kërkoi shtetit shqiptar që brenda afatit 5-vjeçar të mbrojë efektivisht të drejtat dhe liritë themelore të grave LBTI në të gjitha fushat e konventës CEDAW dhe të ndërmarri fushata publike ndërgjegjësimi për të luftuar stigmatizimin shoqëror të tyre edhe në kuadër të implementimit korrekt të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI+ (2021-2027). Një rëndësi të veçantë mbartin rekomandimet e Komitetit CEDAW ndaj shtetit shqiptar në drejtim të dënimit publik të diskursit homofobik dhe dhunës me bazë gjinore ndaj grave lezbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks. Komiteti CEDAW rekomandoi që Shqipëria të sigurojë ngritjen e detyrueshme dhe të vazhdueshme të kapaciteteve për gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe zyrtarët e tjerë të zbatimit të ligjit, që të referojnë efektivisht në vendimarrjen dhe aktivitetin e tyre standardet ndërkombëtare mbi krimet dhe gjuhën e urrejtjes.
Komiteti CEDAW, në një praktikë të ndryshme nga ajo e deritanishme vendosi edhe 2 masa të përkohshme për shtetin Shqiptar në lidhje me gratë LBTI, për të adoptuar masa specifike në kuadër të nenit 4 (1) të Konventës, për të përshpejtuar arritjen e barazisë thelbësore për të gjitha gratë dhe specifikisht për gratë LBTI, të cilat mbeten të papërfaqësuara dhe të disavatazhuara sidomos në jetën publike dhe politike, në edukim, punësim dhe shëndetësi. Shteti Shqiptar duhet të marrë masa efektive dhe të raportojë mbi realizimin e këtyre rekomandimeve brenda 2 viteve të ardhshme.
Një nga reflektimet dhe rekomandimet më të rëndësishme të Komitetit CEDAW për shtetin shqiptar mbetet ai për të njohur ligjërisht martesat e të njëjtit seks dhe partneritetet e regjistruara nën të drejtën private ndërkombëtare si dhe mundësimin e adoptimit të fëmijëve dhe të drejtave prindërore për gratë në marrëdhënie de-facto mes tyre.