Tirana Pride 2024

Facebook
Twitter
LinkedIn

Sot, qëndroj para jush me një mesazh dashurie, pranimi dhe uniteti. Mendoj se kemi nevojë për të, kemi shumë nevojë…

Kemi dëgjuar këto ditë të na thonë se jemi “kërcënim”. E thonë këtë ca politikanë. A ndonjë pastor. A ca imamë! Ose ndonjë gazetar.

Ata nxisin dhunë përmes urrejtjes së tyre, por thonë se e bëjnë këtë për të mbrojtur familjen!

Po nga kush do e mbrojnë ata familjen?!

Nga dy njerëz që duhen?!

Nga dy njerëz që respektohen?!

Nga dy njerëz që kujdesen për njëri tjetrin?! Që kalojnë sakrifica të paimagjinueshme vetëm pse duan të jetojnë të qetë me familjet e tyre?!

Ne nuk jemi kërcënim.

Ne jemi bija, jemi bij. Jemi prindër. Jemi motra, vëllezër. Jemi fqinj. Jemi mësues, doktorë. Ne jemi artistë. Jemi shitësja e bukës në marketin e lagjes. Jemi rrobaqepësja afër shtëpisë që qëndis rrobat, e shkurton pantallonat. Jemi shoferi i taksisë, kamarieri dhe kamarieria që servirin kafen e mëngjesit. Jemi parukieret dhe make up artistët!

Ne jemi qytetarë. E ne jemi kudo!  

Ndaj meritojmë të jetojmë të lirë dhe me dinjitet, si çdo qytetar tjetër.

Ne jetojmë në të njëjtin vend të varfër, e të korruptuar. E në këtë vend që është edhe vendi ynë, ne jemi sot për t’i rikujtuar njëri tjetrit lidhjet e pathyeshme që na bëjnë bashkë.

Na lidh njerzillëku. Na mban bashkë ëndrra për një jetë më të mirë, më të sigurtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.

Na lidhin aspiratat e përbashkëta për një të ardhme më të mirë! E këto që na lidhin i kapërcejnë etiketat, identitetet dhe dallimet.

Mes urrejtjes apo dashurisë, ne zgjedhim dashurinë. Mes zymtësisë së paragjykimeve, errësirës mesjetare të dhunës, apo dritës së demokracisë, ne zgjedhim demokracinë!

Ndaj sot teksa marshojmë, le të mos e harrojmë kurrë fuqinë e dashurisë. Dashuria për veten, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për një botë ku çdo individ mund të jetojë i lirë.

Që ne të dorëzohemi, do të thotë të fshihemi. Ndaj ne nuk do të dorëzohemi sepse ne kemi vendosur të mos fshihemi më!

Ne do të vazhdojmë të luftojmë pa frikë, e pa u lodhur derisa ne të jemi të barabartë para ligjit, e ligji të jetë i barabartë për ne.

Nuk mund të ketë asnjë, edhe asnjë forcë që të na ndalë së festuari të drejtën e gjithsecilit për të jetuar.

Ne do të vazhdojmë të marshojmë!

Do të marshojmë në çdo hapësirë publike derisa dashuria jonë të mos përdoret nga askush si një arsye për të urryer.

Po e mbyll me vargjet e Meduzës poetes së komunitetit tonë:

 

E vshtir asht me u ba ni fryt i amel,

Ni fryt i hidhun, 

Din me ken cdo kush,

 

Xheni Karaj

Scroll to Top