Mbi 45 organizata të shoqërisë civile, së bashku me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i janë bashkuar thirrjes publike kundër gjuhës së urrejtjes drejtuar komuniteti LGBTI+ në Shqipëri.
‘Zëri ynë kolektiv dërgon një mesazh të qartë: gjuha e urrejtjes duhet të ndalohet dhe dënohet, si dhe ne jemi të bashkuar në përpjekjet tona për të promovuar barazinë, respektin dhe të drejtat e njeriut për të gjithë.’
Aleanca LGBTI falenderon publikisht të gjithë organizatat mbështetëse dhe mbetet e vendosur për të çuar përpara kauzën për drejtësi dhe barazi për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri.
Në vijim deklarata e plotë:
Thirrje publike për Ndalimin e Gjuhës së Urrejtjes Kundër Komunitetit LGBTI+ në Shqipëri
Duke marrë shkas nga ngjarjet e ditëve të fundit, rritja e retorikës diskriminuese dhe e gjuhës së dëmshme ka arritur nivele shqetësuese, duke paraqitur një kërcënim të konsiderueshëm për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit LGBTI+ dhe mbështetësve të tyre. Ndaj ne, organizatat nënshkruese, solidarizohemi në thirrjen tonë për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri.
Gjuha e urrejtjes, në çdo formë, e nxitur nga kushdo, është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me vlerat themelore të barazisë, respektit dhe përfshirjes që Shqipëria aspiron të mbrojë. Përdorimi i saj përjetëson diskriminimin, nxit dhunën dhe krijon një mjedis frike dhe përjashtimi për personat LGBTI+ apo ndaj kujdo që përdoret.
Kjo është e papranueshme në një shoqëri që synon të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes minon strukturën bazë të shoqërisë duke nxitur ndarjen dhe mostolerancën. Ndaj, kur pikëpamjet paragjykuese nxiten dhe lejohen të përhapen të pakontrolluara, siç ka ndodhur së fundmi në vendin tonë, ato kontribuojnë në një kulturë përjashtimi dhe armiqësie që prek të gjithë, dhe jo vetëm për komunitetin LGBTI+.
Kjo përçarje dobëson kohezionin social dhe pengon përparimin e një shoqërie që vlerëson diversitetin dhe barazinë. Për të parandaluar këtë, i bëjmë thirrje çdo individi të raportojë rastet e gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit LGBTI + apo kundër çdokujt tjetër që përdor gjuhën e urrejtjes, tek autoritetet përkatëse.
Duke raportuar këto padrejtësi, ne mund të mbajmë qëndrim kolektiv kundër diskriminimit dhe të mbrojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Qytetarët munden gjithashtu të raportojne rastet e gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe dezinformimit në platformat e rrjeteve sociale dhe portalet mediatike, në platformën www.isigurt.al.
Ne u bëjmë thirrje, autoriteteve të marrin masa të shpejta dhe efektive kundër autorëve të gjuhës së urrejtjes për të garantuar përgjegjësi dhe për të parandaluar shkeljet e ardhshme. Ne mund të krijojmë një Shqipëri më të sigurt, më gjithëpërfshirëse për të gjithë.
#FundGjuhësSëUrrejtjes
#LGBTI+Barazi
#TëDrejtatENjeriutPërTëGjithë