Foto-reportazh: Bosnje-Hercegovina mban të parën Paradë të Krenarisë

Facebook
Twitter
LinkedIn

 

Qindra vetë marshuan në rrugët e Sarajevës, në Bosnje-Hercegovinë gjatë së dielës, për të shënuar paradën e parë të krenarisë në vend, duke e bërë kështu Bosnjen vendin e fundit të Ballkanit që mbajti eventin e përvitshëm të komunitetit LGBTI.

Parada u mbajt nën masa të rrepta sigurie për shkak të grupeve konservatore myslimane që u përpoqën ta pengonin atë duke mbajtur një anti-protestë.

Më shumë se 1.000 oficerë policie garantuan mbarëvajtjen e ngjarjes, duke rrethuar zonën e paradës me hekura dhe blloqe betoni. Mbi ndërtesat kryesore të qendrës së kryeqytetit boshnjak ishin vendosur njësitë snajper.

Aktivistë dhe mbështetës të të drejtave të njeriut nga Ballkani dhe Europa iu bashkuan marshimit të cilësuar si historik për të shprehur solidaritetin e tyre me komunitetin LGBTI në Bosnje.

Marshuesit brohoritën gjatë parakalimit që zgjati dy orë thirrje si “Dashuroj më shumë nga ç’kam frikë” dhe “Ka një mënyrë për të dalë haptazi”.

 

Parada përfundoi në mënyrë paqësore, pavarësisht frikës për dhunë të nxitur nga propaganda agresive e përhapur “online” në një vend ku homofobia shprehet publikisht në jo pak raste.

Bosnje-Hercegovina është vendi i fundit në Ballkan që zhvillon një paradë të komunitetit LGBT, që shihet si një test tolerance ndaj të drejtave të pakicave, ndërkohë që vendi kërkon të hyjë në Bashkimin Europian. Diplomatë europianë dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnje, i cili është gjithashtu një homoseksual, iu bashkuan marshimit në mbështetje të personave gay.

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave thelbësore të të gjithë qytetarëve në Bosnje-Hercegovinë, përfshi këtu edhe personat e komunitetit LGBTI, të cilët kanë të drejtë të jetojnë pa diskriminim, abuzim apo kërcënime”, shkroi në Twitter Johannes Hahn, komisioner i Zgjerimit dhe Fqinjësisë në BE.

 Marrë nga Historia Ime.

Scroll to Top