Autoritetet publike duhet të hetojnë urgjentisht shfrytëzimim e një fëmije për të nxitur urrejtje dhe krime ndaj komunitetit LGBTI+.
DEKLARATË PUBLIKE
Në datën 14 Tetor 2024, në programin “Xhadat” të televizionit MCN, u shfaq një emision që, sipas gazetarëve, përmblidhte gjetjet e një investigimi mbi kulturat banalizuese të futura në tregun shqiptar nga komuniteti LGBTI+ që synojnë fëmijët shqiptarë. Argumenti kryesor për këtë akuzë ishte pjesëmarrja e një fëmije 9-vjeçar në eventin në fjalë.
Në fakt, si vetë lajmi i publikuar për këtë rast nga ana e MCV TV (Titulli i lajmit: “Xhadat” fut në aktivitetin e LGBT 9-vjeçarin, policia nuk ndërhyn) , ashtu edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë të mjedisit, të cilat janë vendosur në dispozicion të institucioneve përkatëse, rezulton se fëmija, që mund të jetë i moshës 9-11 vjeç, është futur në eventin përmbyllës të Queer Film Marathon një event i përvitshëm i OMSA, në Tulla Culture Center, nga gazetari Ersid Karaj në orën 19:06, rreth 1 orë përpara fillimit të eventit. Pavarësisht kësaj, vetë gazetari në emision deklaroi se fëmija ishte sjellë aty nga persona të rritur që po ndiqnin eventin – me synimin e qartë për të provokuar një skandal të rremë, të pabazuar dhe mbi të gjitha dizinformues.
Aktiviteti kulturor i OMSA, që u organizua me respekt të plotë për privatësinë dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, u shënjestrua në kundërshtim me ligjin dhe standardet e gazetarisë, duke shfrytëzuar në kundërshtim me ligjin një fëmijë 9-vjeçar, si dhe duke rrezikuar jetën e të gjithë pjesëmarrësve, me qëllimin e vetëm për të nxitur urrejtjen dhe krimet e bazuar tek urrejtja kundër personave LGBTIQ në Shqipëri.
Ky “investigim” i stisur, që nuk ka asgjë të përbashkët me investigimet profesionale të gazetarëve profesionistë që shpesh rrezikojnë jetën e tyre për të gjetur të vërtetën, shkel rëndë të gjitha standartet e gazetarisë dhe të drejtave të njeriut, që mbrohen nga ligji shqiptar dhe ai ndërkombëtar, prandaj meriton vëmendjen dhe denoncimin maksimal të publikut dhe të autoriteteve shqiptare.
Kodi Penal, në nenin 124/b parashikon se: “Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja dhe përdorimi i të miturit për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin mendor dhe/ose fizik të fëmijëve”. Kjo vepër penale dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 128 i Kodit Penal thotë se: Rekrutimi, shitja, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike të të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.”
Neni 36 i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve i mbron ata pa kurrfarë kufizimi nga çdo formë shfrytëzimi. Stafi i gazetarëve dhe televizioni MCN, në mënyrë flagrante dhe me vetëdije të plotë kanë shkelur çdo garanci ligjore në dëm të fëmijës, duke e future atë në një mjedis të destinuar për të rritur, pa autorizim dhe duke e përdorur si mjet për të ndërtuar një ngjarje tepër të rrezikshme, që mund të shpjerë në krime kundër individëve LGBTIQ.
Ky abuzim i rëndë i etikës gazetareske nuk kufizohet vetëm në këto shkelje ligjore. Emisioni në fjalë ka vijuar me nxitjen e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ, duke i portretizuar ata si rrezik për fëmijët dhe shoqërinë shqiptare dhe si përçues të një kulture banale. Sipas nenit 265 të Kodit Penal Shqiptar, nxitja e urrejtjes për shkak të orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjen e përmbajtjeve të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Gjithashtu, ky “investigim” i fabrikuar përbën shkelje të nenit 121 të Kodit Penal, i cili përcakton se vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Ligji Nr. 9887/2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, në nenin 7 përcakton se përpunimi i të dhënave sensitive të personave ndalohet rreptësisht perveçse me pelqimin e shprehur të subjekteve të këtyre të dhënave, pëlqim që mund të revokohet në çdo çast.
Siç shihet nga ky parashtrim, gazetari dhe televizioni në fjalë, me këtë akt të rëndë, kanë kryer 4 vepra penale të parashikuara në Kodin Penal, si dhe janë në shkelje të hapur të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Ligjit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Nisur nga ky incident, që mund të kishte prodhuar pasoja të paimagjnueshme si ndaj fëmijës ashtu edhe komunitetit LGBTIQ, ne i bëjmë thirrje autoriteteve publike, atyre ligjzbatuese dhe të drejtësisë, që të hapin urgjentisht një hetim të plotë mbi këtë ngjarje, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ligjore ndaj të gjithë subjekteve që shfrytëzuan një të mitur, shkelën të drejtat e privatësisë, nxitën urrejtje e frikë të pabazuar ndaj një komuniteti të margjinalizuar, shpifën dhë cënuan imazhin e aktivistëve dhe organizatave LGBTIQ në vend.
Ky precedent i rrezikshëm, që shkel rëndë dhe disa herë kuadrin ligjor shqiptar nuk duhet të mbetet pa dënim. Si persona LGBTI, me të drejta të barabarta si çdokush tjetër, për të jetuar jetët tona të lirë nga dhuna, urrejtja dhe diskriminimi, ne qëndrojmë të vendosur në mbrojtje të dinjitetit, të drejtave njerëzore dhe sigurisë së çdo individi në vendin tonë, përkundër përpjekjeve kriminale për të minuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Kjo deklaratë mbështetet nga këto organizata:
- OMSA Shqipëri
- Aleanca për Mbrojtjen nga Diskriminimi
- Ambasada PINK
- Streha
- Pro LGBT
- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri
- Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët – ALO 116-111
- Qendra Aleanca Gjinore per Zhvillim
- Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)
- Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
- Muzeu i Grave
- Bash ART
- Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Vlorë
- Rrjeti AWEN
- Civil Rights Defenders
- Koalicioni për Arsimin në Shqipëri
- FuturAL
- Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
- Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
- Nisma për Ndryshim Shoqëror
- Qendra AMAD
- Qendra “Instituti për Zhvillim Strategjik”
- Përtej Barrierave
- Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare
- Në Dobi të Gruas Shqiptare
- Qendra e Gruas “Hapat e Lehtë”
- Qendra Konsumatori Shqiptar