Në muajin e krenarisë LGBTI, qyteti ynë u mbush me ngjyra, art dhe zëra të fuqishëm që treguan histori autentike dhe frymëzuese. Aktivitetet nisën më 17 maj me një lexim kolektiv te Hana Corner Café, organizuar nga grupi Radical Sense. Së bashku, pjesëmarrësit lexuan “Midis përgjithmonë & kudo ku je” nga xtian w, një reflektim i thellë mbi trans poetikën jo binare dhe përvojën queer.
Më 20 maj u hap ekspozita fotografike “Kolazh 2.0” te Tulla Culture, duke ofruar një rrugëtim vizual që pasqyronte spektrin e përvojave LGBTI+. Çdo fotografi tregonte një histori autentike, duke theksuar krijimtarinë dhe diversitetin e komunitetit.
Në vijim, më 21 maj, te Qendra e Artit Agimi, shfaqja teatrale “Molla s’ka qenë aksident” solli historinë e një çifti vajzash lezbike. Performanca nga aktoret Arlinda Morina dhe Uresa Ahmeti ndriçoi fuqinë e dashurisë dhe të rezistencës përmes trupave dhe ndjenjave të tyre.
Më 22 maj, Tirana Pride ofroi mundësinë për të bërë një tatuazh queer në Tulla Culture, duke shtuar një tjetër kujtim të qëndrueshëm nga kjo periudhë.
Java e krenarisë kulmoi me një mbrëmje poetike të veçantë, ku poezia u gërshetua me tingujt e violinës, performuar nga Meduza dhe Blini. Kjo mbrëmje përfshinte edhe lançimin e edicionit të dytë të Librit me Poezi Queer, ku të pranishmit lexuan nga skena poezitë e preferuara.
Këto aktivitete e bënë muajin e krenarisë një festë të paharrueshme të solidaritetit dhe frymëzimit për të gjithë komunitetin dhe aleatët e tij.