Çdo vit, më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, has të njëjtën pyetje: Pse vajzat dhe gratë lezbiket duhet të jenë të dukshme në këtë ditë? Si një aktiviste feministe që kam kaluar vite duke luftuar për barazi dhe duke sfiduar paragjykimet, kjo pyetje më trishton. Ajo sugjeron se lezbiket janë disi të shkëputura nga lufta më e gjerë për të drejtat e grave, një mendim që mohon përvojat tona të jetuara dhe kontributet tona si vajza dhe gra. Për mua, dhe për këdo që kupton rrënjët e feminizmit, përgjigjja është e qartë: feminizmi, në thelbin e tij, është për ndërthurjen, gjithëpërfshirjen dhe drejtësinë.
Gratë lezbike duhet të jenë të pranishme në çdo diskurs dhe hapësirë sepse barazia nuk mund të arrihet duke përjashtuar asnjë vajzë dhe grua. Teoricienet feministe si Kimberlé Crenshaw dhe Bell Hooks kanë ndikuar shumë në mënyrën si e shoh aktivizmin feminist. Puna e tyre më ka dhënë mjetet për të kuptuar pse prania ime dhe prania e të gjitha grave të margjinalizuara ka rëndësi.
Nuk bëhet fjalë vetëm për përfaqësimin; bëhet fjalë për të kujtuar se përvojat e grave janë të ndryshme dhe se askush nuk është i lirë derisa të jemi të gjitha të lira.
Koncepti i feminizmit të ndërthurur, ndryshoi mënyrën si e mendoj rolin tim si grua lezbike. Sfidat që përjetoj si grua lesbike; qoftë urrejtja homofobike, diskriminimi apo nevoja e vazhdueshme për të justifikuar familjen time, nuk janë të ndara nga sfidat që përjetojnë gratë në tërësi, ato janë të ndërthurura. Kur marshoj më 8 Mars, mbaj me vete jo vetëm përvojat e mia, por edhe ato të grave të tjera që jetojnë në kryqëzimin e shtypjeve, vajza e gra lesbike, biseksuale, trans, gra Rome, gra me aftësi të kufizuara dhe gra të klasës punëtore. Ne nuk përshtatemi në një kornizë të vetme dhe as feminizmi nuk duhet të përpiqet të na vendosë në një të tillë.
Nuk do ta harroj kurrë herën e parë që lexova librin ‘’Feminizmi është për Të Gjithë’’ të Bell Hooks. Fjalët e saj rezonuan thellësisht me mua, sepse flisnin drejtpërdrejt për përjashtimin që shpesh kam ndjerë si grua lezbike. Hooks thekson qartë se feminizmi nuk është vetëm për gratë heteroseksuale të klasës së mesme por është një lëvizje për t’i dhënë fund të gjitha formave të shtypjes, për të gjitha gratë. Pikërisht për këtë arsye kam vendosur të jem kaq e zëshme për dukshmërinë e grave lesbikeve. Vajzat dhe gratë lesbike sfidojnë idetë tradicionale të feminitetit dhe i rezistojnë normave patriarkale që na thonë se kemi vlerë vetëm nëse jemi të lidhura me burra ose ndërtojmë familje në mënyra heteronormative.
Marrëdhënia ime me partneren time, Livian, është një akt radikal dashurie në një shoqëri që gratë si ne kërkon t’i fshijë dhe heshti. Prania jonë në cdo hapësirë fizike dhe kibernetike si dhe në marshimin e 8 Marsit i kujton të gjithëve se feminizmi duhet të jetë gjithëpërfshirës ose përndryshe rrezikon të bëhet i pakuptimtë.
Për mua, dhe vajza të tjera të komunitetit tonë të jemi të dukshme në të gjitha hapësirat dhe diskursin feminist nuk ka të bëjë me marrjen e hapësirës, por ka të bëjë me ndarjen e drejtë të saj. Lezbiket dhe gratë LBTI+ sjellin perspektiva unike në lëvizjen feministe. Ne jemi gra, jetët, dashuritë dhe luftërat e të cilave janë të ndërthurura thellësisht me betejën për barazi. Si dikush që ka kaluar 15 vite duke mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTI dhe duke sfiduar paragjykimet, mund ta them me bindje të plotë se: feminizmi nuk është feminizëm nëse nuk përfshin të gjitha gratë.
Xheni Karaj