Nga Kristi Pinderi*
Sa e dhimbshme ishte dje të shikoja Opinionin, ku priftërinj, a gra që kanë studiuar për arte merrnin përsipër të shpjegonin gjëra që nuk i dinë, ose në raste të tjera të gënjenin me qëllim për të hutuar njerëzit që nuk kanë informacion.
Ndjeva një lloj trishtimi të lidhur me një ndjesi dorëzimi. Por ndonëse ndjej edhe një lloj lehtësimi pak egoist që nuk më duhet të përballem më me një realitet që të mbyt e të dërrmon nga injoranca aq e thellë, më duket e padrejtë mos ta bëj edhe një përpjekje të fundit për të sqaruar disa nga marrëzitë që u thanë pa filtër në emisionin e Fevziut.
Po shkruaj më poshtë një mini-fjalor për të shpjeguar konceptet bazë të seksit, gjinisë, orientimit seksual dhe karakteristikave të seksit.
Po e bëj këtë sepse hipoteza Sapir-Whorf, apo e quajtur ndryshe hipoteza e relativitetit gjuhësor, thotë që mënyra si flasim – pra struktura e gjuhës sonë – e ndikon ose e kufizon mënyrën si e perceptojmë dhe e kuptojmë botën. Njerëzit mendojnë se botëkuptimi i tyre formon fjalët me të cilat ata shprehen. Në fakt është e kundërta: fjalët që ne përdorim janë ato që e formësojnë botëkuptimin tonë.
Cfarë është seksi?
Seksi është pjesë biologjike e trupit të njeriut.
A e përcakton seksin vetëm vagina dhe penisi?
Njerëzit mendojnë se penisi apo vagina janë ato që e përcaktojnë seksin e njeriut. Kush është doktor e di shumë mirë se kjo nuk është e vërtetë. Mashkull apo femër nuk na bën vetëm penisi apo vagina. Seksi lidhet me kromozomet, hormonet dhe organet riprodhuese. Realiteti biologjik është shumë më kompleks dhe përfshin variacione të shumta, jo vetëm te njerëzit por kudo në natyrë. Kur biologët duan të përcaktojnë seksin ata shikojnë karakteristikat seksuale primare dhe dytësore. Ndonjëherë as ato vecc e vecc apo bashkë nuk e përcaktojnë dot seksin. Në ato
raste biologët mund të përpiqen ta përcaktojnë atë përmes gjenetikës. Shpesh as a gjenetika vetë nuk mjafton. Ndaj do i marr hap pas hapi në mënyrë të thjeshtë.
Çfarë janë karakteristikat seksuale parësore?
Janë ato me të cilat lindim: organet riprodhuese (p.sh. penisi, skrotumi, vezoret, mitra, vagina).
Çfarë janë karakteristikat seksuale dytësore?
Ato shfaqen gjatë pubertetit dhe janë të lidhura me ndryshimet hormonale. Për shembull, zhvillimi i gjoksit, ndryshimi i zërit, shpërndarja e qimeve trupore, forma e trupit, etj.
Po organet riprodhuese?
Ato janë si më poshtë:
- Vagina – organ i brendshëm që shërben si kanal lindjeje dhe pjesë e sistemit riprodhues femëror.
- Mitra (uterus) – organ i brendshëm ku zhvillohet shtatzënia.
- Vezoret (ovaries) – gjëndra ku prodhohen qelizat vezë dhe hormonet si estrogjeni.
- Penisi – organ riprodhues mashkullor dhe njëkohësisht organ i urinimit.
- Skrotumi – lëkura që mban testikujt.
- Testikujt – gjëndra mashkullore që prodhojnë spermatozoide dhe testosteron.
Arsyeja pse po i përmend këto ka lidhje me një fakt të thjeshtë. Shumë fëmijë lindin sot me një organ që nuk dallohet qartë se çfarë është. Mjekët gjinekologë e dinë shumë mirë këtë. Në shumicën dërrmuese këto lindje janë të zakonshme dhe natyrale dhe fëmijët të shëndetshëm. Megjithatë për shkak të pritshmërive të forta kulturore dhe sociale ky lloj ambiguiteti është vrastar. Kështu që doktorët u bëjnë fëmijëve ndërhyrje kirurgjikale pasi i kanë pyetur prindërit se çfarë seksi duan për fëmijën e tyre. Por siç thashë edhe më lart, seksin nuk e përcakton dot vetëm penisi apo vagina. Për të duhen edhe karakteristikat seksuale dytësore, që janë të lidhura ngushtësisht me hormonet dhe përbërjen e kromozomeve.
Çfarë janë kromozomet?
Shumica e njerëzve kanë kromozome XX (zakonisht të kategorizuar femra) ose XY (zakonisht të kategorizuar meshkuj). Por edhe këtu gjëra komplikohen ndonjëherë – ka edhe shumë variacione të tjera të njohura dhe krejt natyrale. Ato janë pjesë e pasurisë dhe larmisë gjenetike të njeriut.
Mes tyre, biologët përmendin:
- XXY (sindroma Klinefelter)
- XYY
- XO (sindroma Turner)
Mozaicizëm (kombinime të ndryshme në qeliza të ndryshme)
Këto tregojnë se seksi biologjik nuk është thjesht mashkull apo femër. Shpesh është edhe mashkull, edhe femër, brenda të njëjtit trup.
Variacionet interseks
Disa njerëz lindin me kombinime të karakteristikave seksuale që nuk përshtaten me normat tipike mashkull/femër. Kjo quhet interseks. Nuk është sëmundje, por një variacion natyral i diversitetit njerëzor.
A ka interseks në Shqipëri?
Po, vetëm se ne nuk i shohim. Një doktor mund të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale estetike ndaj organit seksual të fëmijës, por shpesh ajo ndërhyrje e përciptë nuk i alternon dot organet riprodhuese te brendshme dhe as përbërjen e mëpasme hormonale të njeriut, e sigurisht as përbërjen gjenetike. Shpesh, ajo ndërhyrja kirurgjikale kur fëmija sapo ka lindur përbën një krim të cilin individi do e vuajë gjatë pubertetit. Ne nuk i shohim në Shqipëri personat interseks sepse stigma jonë shoqërore i vret dhe i bën ata të padukshëm…
Gjinia
Gjinia nuk është e njëjtë me seksin biologjik. Gjinia lidhet me përjetimin e brendshëm dhe identitetin personal. Studimet thonë që fëmijët janë në gjëndje ta kuptojnë gjininë që u caktohet atyre që në moshë fare të vogël, që 4 vjeç.
Ndoshta e vutë re që përdora fjalët “gjinia që u caktohet”. U shpreha ashtu sepse gjinia ka edhe një dimension të fortë kulturor dhe shoqëror. Prindërit e përforcojnë këtë dimension shpesh që kur fëmija akoma nuk ka lindur. Madje edhe dhoma e fëmijëve lyhet me bojëra të ndryshme në varësi të gjinisë së supozuar të fëmijëve.
Mbi këto konstrukte shoqërore dhe kulturore ndaj gjinisë, njerëzit mësojnë ta performojnë gjininë e tyre, me mënyrën si vishen, si shprehen, si sillen. Shoqëria pra e ndërton gjininë përmes pritshmërive që përcakton ndaj burrit ose ndaj gruas. Simon de Beauvoir, një ndër autoret më të rëndësishme të sudimeve kulturore dhe feministe të shekullit të kaluar thotë në mënyrë postulare se grua bëhesh, nuk lind.
Kështu njerëzit mund të etiketohen e pastaj edhe të vetidentifikohen – që 4 vjeç apo më herët – përgjithësisht si gra apo si burra. Por jo të gjithë e shikojnë dhe e vetidentifikojnë veten e tyre ashtu si shoqëria i shikon ata. Ka njerëz që nuk ndihen as burra as gra, por ndonjëherë ndihen edhe burra edhe gra – më shumë për këtë pak më poshtë.
Në perëndim në shumë hapësira publike, ligjore, politike, akademike, kulturore, shëndetësore, etj, përdoret termi gjini jo-binare (binare sipas imazhit të shinave, pra dy drejtime paralele, ose burrë ose grua), ose me terma të tjerë. Kultura të ndryshme në botë kanë terma të ndryshme për të njohur këto realitete që janë të vjetra sa njerëzimi. Në Kanada, në bregun perëndimor ku unë jetoj, për mijëra e mijëra vjet – shumë vite para se të bardhët të zbarkonin – jetonin Indigjenët e Bregdetit Salish (kjo pjesë e bregdetit të Paqësorit quhet edhe sot deti Salish). Indigjenët përdorin termin Two-Spirit (Dy Shpirtra). Në Indi për mijëra e mijëra vjet është përdorur termi Hijra.
Po burrneshat e Shqipërisë?
Ne kemi patur fenomenin e burrneshave që ndonëse ndryshon nga koncepti më lart i Indigjenëve ka diçka që i bashkon: ideja që gjinia është një konstrukt social, shoqëror e kulturor.
Rasti i burrneshave (në janë ato transgjinore apo jo ka pak rëndësi) tregon se kultura shqiptare ka qenë historikisht elastike dhe kreative – siç në fakt janë të gjitha kulturat që kanë arritur t’u përshtaten kushteve të kohës e të mbijetojnë. Ndaj shqiptarët kanë qenë të aftë për kompromise sociale për të zgjidhur probleme të caktuara dhe për t’u dhënë përgjigje kërkesave të kohës. Që në mesjetë ne e kemi konsideruar gjininë një konstrukt – social, ligjor, kanunor, etj, – që mund të negociohet në varësi të konteksteve të ndryshme. Gjinia si konstrukt social, ligjor, kulturor a kanunor është qartazi, në rastin e burrneshave, krejtësisht e shkëputur nga seksi biologjik.
Po identiteti gjinor?
Siç edhe e thashë identiteti gjinor është mënyra se si një person e përjeton dhe e quan veten: burrë, grua, asnjëra nga të dyja, të dyja, apo diçka tjetër. Ky identitet – që formësohet te fëmijët që në moshën 4 vjeçare apo më herët – nuk mund të përcaktohet nga të tjerët, por vetëm nga vetë personi.
Shprehja gjinore
Mënyra se si një individ shfaq veten në shoqëri përmes veshjes, gjuhës së trupit, zërit, flokëve etj. Kjo nuk është domosdoshmërisht e lidhur me seksin biologjik apo identitetin gjinor.
Orientimi seksual
Lidhet me tërheqjen emocionale, romantike dhe/ose seksuale të një personi:
- Heteroseksual – tërheqje ndaj gjinisë tjetër.
- Homoseksual (gej/lezbike) – tërheqje ndaj të së njëjtës gjini.
- Biseksual – tërheqje ndaj më shumë se një gjinie.
- Panseksual – tërheqje pavarësisht gjinisë.
- Aseksual – mungesë ose pak interes seksual.
Kështu pra, nuk mjafton penisi, vagina, toni i zërit, qimet në lëkurë, apo edhe pastor Akil Pano, bashkë me gruan e tij për të përcaktuar seksin, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, apo shprehjen gjinore të askujt.
*Pinderi ka qenë gazetar dhe aktivist për të drejtat e LGBT+ në Shqipëri. Prej vitit 2017 ai jeton në Kanada, ku ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master për punë sociale në The University of British Columbia (UBC), në Vankuver. Pinderi punon në Ministrinë e Zhvillimit të Fëmijëve dhe Familjes, Qeveria e Kolumbisë Britanike, ku ka përvojë si punonjës social në mbrojtjen e fëmijëve, si dhe si klinicist i shëndetit mendor për fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre. Ai ka publikuar kërkime mbi politikën e kujdesit ndaj fëmijëve dhe ka zhvilluar kërkim shkencor mbi përvojat e të rinjve Two-Spirit/LGBTQ+ që janë rritur në kujdestarinë e shtetit.