Hapen Aplikimet – Akademia Queer Feministe

Facebook
Twitter
LinkedIn

Çfarë është Akademia Queer-Feministe?
Akademia Queer-Feministe, e organizuar nga Aleanca LGBTI, është një platformë edukimi dhe fuqizimi që synon të krijojë hapësira gjithëpërfshirëse për të rinj dhe të reja të interesuar në çështjet Queer dhe Feministe dhe ndërthurrjen e tyre. Kjo akademi ofron mundësinë për të eksploruar thellësisht teoritë feministe dhe queer, për të ndërtuar aftësi kritike, dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Çfarë duhet të kuptojmë me termin Queer?
“Queer” është një term që përdoret për të përshkruar tërësinë e identiteteve seksuale, gjinore dhe të tjera që sfidojnë normat tradicionale heteronormative dhe binare mbi gjininë, seksualitetin dhe më gjerë. Ky term përfaqëson një spektër të gjerë përvojash dhe përfshin njerëz që identifikohen jashtë kategorive tradicionale të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe stileve të jetesës.

Çfarë duhet të kuptojmë me termin Feminizëm?
Feminizmi është një lëvizje që kërkon të arrijë barazinë gjinore dhe të sfidojë strukturat patriarkale që shkaktojnë diskriminim ndaj grave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Feminizmi nuk kufizohet vetëm në barazinë ligjore, por përfshin edhe ndryshimet sociale, ekonomike dhe kulturore që garantojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

Pse të bashkoheni?
Akademia Queer-Feministe është vendi ideal për të rinjtë që:
• Duan të kuptojnë më mirë teoritë dhe praktikat queer dhe feministe.
• Synojnë të bëhen aktivistë ose profesionistë që mbështesin dhe punojnë në  fushën e barazisë gjinore dhe diversitetit.
• Dëshirojnë të angazhohen në një rrjet solidariteti dhe mbështetjeje për ndryshim pozitiv.
• Janë të interesuar të zhvillojnë aftësi përmes leksioneve teorike, punëtorive praktike dhe diskutimeve të hapura.

Struktura dhe Programi
Akademia do të zhvillohet gjatë një periudhe tre-ditore (7-9 shkurt) dhe do të përfshijë:
• Leksione teorike nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
• Punëtori interaktive që kombinojnë teori dhe praktikë.
• Diskutime të hapura për ndarjen e përvojave dhe reflektimin personal.
• Projekte praktike që synojnë kontributin në komunitete.

Temat dhe Lektorët

1. Punëtori Feministe nga Lepa Mladjenović

Punëtoria trajton mënyrën se si sistemet patriarkale detyrojnë gratë të brendësojnë mizogjininë dhe të pranojnë rolin e viktimës për të mbijetuar. Ajo thekson rëndësinë historike të grupeve të ndërgjegjësimit për gratë si një mjet për çlirim dhe organizim për veprim feminist.

Punëtoria një-ditore ndahet në tre drejtime kryesore, përkatësisht: Parimet dhe Vlerat Feministe: Diskutime mbi barazinë, solidaritetin, kujdesin për veten dhe parimet e punës në grup, siç janë konfidencialiteti dhe dëgjimi aktiv; Shkëmbimi i Përvojave: Pjesëmarrëset ndajnë përvoja personale mbi padrejtësitë për shkak të gjinisë; Lidhja midis Personales dhe Politikes: Lidhja e përvojave individuale me strukturat patriarkale, për të gjeneruar ide dhe dëshira për veprim feminist.

Punëtoria synon të ndihmojë pjesëmarrësit të njohin dhe identifikojnë shtypjen patriarkale brenda vetes dhe në shoqëri, duke i aftësuar për t’u organizuar në aksione feminist që adresojnë këtë shtypje.

Lepa Mladjenović është feministe lesbike, këshilluese për viktimat e dhunës dhe aktiviste e mirënjohur për të drejtat e grave në Serbi dhe më gjerë. Ajo është bashkëthemeluese e disa organizatave të rëndësishme feministe, siç janë Qendra Autonome e Grave në Beograd dhe Qendra për Studime të Gjinore. Për më shumë se tre dekada, Lepa ka punuar me gra që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe traumat e luftës. Ajo është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, duke përfshirë Çmimin për të Drejtat e Njeriut të Amnesty International dhe Çmimin Gjinor të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Lepa është gjithashtu autore dhe bashkautore e një sërë publikimesh mbi çështjet feministe, solidaritetin, dhe drejtësinë sociale.

2. Solidariteti Feminist – Praktikat dhe Përvojat nga Dr. Linda Gusia

Solidariteti feminist përfaqëson një praktikë politike emergjente që kërkon të lidhë vizione dhe strategji drejt një të ardhmeje me fokus në drejtësinë sociale. Ai na fton të studiojmë genealogjitë dhe politikat e angazhimeve të grave për të ndërtuar terrene të përbashkëta për mendim dhe veprim kolektiv. Gjatë kësaj ligjërate do të adresohet:

• Njohja e historisë së lëvizjes feministe lokale dhe globale.
• Ndërlidhja e solidariteteve nga e kaluara dhe e tashmja për të çmontuar pabarazitë e shumfishta dhe të ndërlidhura.

Dr. Gusia është sociologe dhe feministe që udhëheq Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka themeluar Programin Universitar për Studime Gjinore dhe ka publikuar librin Gratë në Lëvizje: Aktivizimi i Grave gjatë viteve të 1990.

3. Lëvizjet Anti-Gjini nga Ebi Spahiu

Tema trajton lëvizjet anti-feministe dhe anti-LGBTQ+ si mjete për promovimin e autoritarizmit politik në Evropën Juglindore.

Ebi është aktiviste feministe dhe këshilltare politike pranë Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Ajo ka përvojë të pasur në të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe analiza mbi dhunën politike.

4. Rolet Gjinore dhe Puna e Papaguar e Grave nga Deni Sanxhaku

Ligjërata eksploron marrëdhëniet midis roleve gjinore dhe barrës së pabarabartë të punës së papaguar, e cila bie kryesisht mbi gratë. Përmes një lente feministe dhe queer, analizohet ndikimi i këtyre dinamikave në riprodhimin e pabarazive sociale dhe ekonomike.

Deni Sanxhaku ka një përvojë të pasur në shoqërinë civile dhe studimet gjinore. Pas përfundimit të studimeve në SOAS, ajo kombinon aktivizmin me praktikat shëruese për transformim të qëndrueshëm.

5. Politikat e Trupit dhe Rezistenca Feministe nga Doruntina Vinca

Kjo ligjëratë analizon mënyrën se si sistemet shtypëse kanë kontrolluar dhe përcaktuar trupat e grave dhe grupeve të margjinalizuara. Përmes teorive feministe, synohet të sfidohen narrativat tradicionale mbi gjininë, seksualitetin dhe autonominë e trupit.

Doruntina Vinca është shkrimtare dhe studiuese me ekspertizë në antropologji dhe shkenca politike. Ajo është bashkëthemeluese e grupit feminist të leximit Radical Sense.

6. Politikat e Vështrimit përmes Kamerës nga Blerta Kambo

Blerta do të lidhë përvojën e saj artistike me analizën e politikave të vështrimit heteronormativ mashkullor në kulturën popullore dhe kinematografi. Ajo eksploron fotografinë si një veprim të qëllimshëm për të përfshirë dhe përjashtuar, duke trajtuar narrativat feministe dhe ekofeministe.

Blerta Kambo është artiste vizuale dhe pjesë e Kolektivit Feminist në Shqipëri, e specializuar në fusha si ekofeminizmi, migrimi dhe antropoceni.

7. Aktivizmi Feminist në Media nga Zhaklin Lekatari

“Si do të dukej bota pa zërat e grave në media?” Ky leksion eksploron fuqinë e grave në formësimin e narrativave për ndryshim shoqëror.

Përmes shembujve si lëvizja #MeToo dhe sfidave të përditshme të censurës apo dhunës digjitale, diskutojmë se si aktivizmi feminist përdor median si një mjet për të luftuar patriarkatin dhe për të amplifikuar zërat e heshtur.

Leksioni përfundon me një ushtrim praktik, ku pjesëmarrëset krijojnë një fushatë feministe, duke aplikuar teknika storytelling dhe strategji efektive për të adresuar sfida konkrete.


Zhaklin Lekatari është gazetare, aktiviste dhe themeluese e platformës tabu.al, e njohur për qasjen e saj të guximshme në trajtimin e temave të ndjeshme. Me vizion dhe krijimtari, ajo ka sfiduar normat shoqërore dhe ka promovuar barazinë gjinore përmes shkrimeve, fushatave dhe iniciativave të ndryshme.

E angazhuar thellësisht në çështjet e të drejtave të grave, Zhaklina përdor median dhe artin si mjete për të luftuar paragjykimet dhe për të nxitur dialogun shoqëror. Në punën e saj, ajo adreson dhunën, stigmat dhe stereotipet, duke krijuar hapësira për zëra të rinj dhe ide të reja në fushën e aktivizmit feminist.

Temat dhe lektoret e Akademisë Queer Feministe.

Si të aplikoni?
Dërgoni aplikimin tuaj në adresën email: queerfemacademy@gmail.com deri më 15 Janar 2025.

Në aplikim përfshini:
• Motivimin tuaj për të marrë pjesë në Akademi.
• CV-në tuaj
• Një numër kontakti

Kush mund të aplikojë?
Të rinj dhe të reja (18-30 vjeç) të interesuar në feminizëm, barazi gjinore, dhe të drejtat queer.

Përfitimet e pjesëmarrjes
• Përvojë gjithëpërfshirëse në një mjedis mbështetës dhe frymëzues.
• Mundësia për të ndërtuar rrjete profesionale dhe personale.
• Aftësi dhe njohuri që mund të përdoren për të kontribuar në komunitetin tuaj.
• Do të pajiseni me një certifikatë që dokumenton njohuritë e fituara.

Feminizmi nuk sjell ndryshime vetëm për gratë; ai ka të bëjë me eliminimin e dominimit dhe rezistencën ndaj çdo sistemi që na privon nga e drejta për të qenë të lirë.

– Bell Hooks


Në këtë frymë, ju ftojmë të bëheni pjesë e Akademisë Queer-Feministe, për të mësuar, reflektuar dhe ndërtuar një shoqëri ku çdo person mund të jetojë me dinjitet dhe liri.
Aplikoni tani dhe bëhuni pjesë e ndryshimit!

Scroll to Top