Në datat 7, 8 dhe 9 Shkurt 2025, Aleanca LGBTI solli për herë të parë në Tiranë Akademinë Queer-Feministe, një platformë e re dhe inovative që i ofron mundësinë të rinjve të eksplorojnë teoritë queer dhe feministe, të forcojnë zërin e tyre dhe të kontribuojnë në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Me pjesëmarrjen e lektoreve Lepa Mladjenović, Dr. Linda Gusia, Ebi Spahiu, Deni Sanxhaku, Doruntina Vinca, Blerta Kambo e Zhaklin Lekatari dhe me pjesëmarrjen e studentëve frymëzues të këtij edicioni, Akademia Queer-Feministe u kthye në një platformë të fuqishme për mësim, reflektim dhe organizim kolektiv.
Edicioni i parë i Akademisë, i organizuar me mbështetje nga Heinrich Böll Stiftung ka shërbyer si një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që kanë interes për këto çështje dhe dëshirojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe angazhimin e tyre shoqëror.
Duke ndërthurur dy qasje, ate feministe dhe queer, pjesëmarrësit patën mundësinë për të adresuar përvojat dhe nevojat e grupeve margjinalizuar. Gjatë tre ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të angazhoheshin në tema të rëndësishme si:
Solidariteti dhe Rezistenca Queer-Feministe: Si mund të ndihmojmë njëri-tjetrin për të krijuar lëvizje më të forta dhe më të qëndrueshme për barazi dhe drejtësi shoqërore?
Aktivizmi Feminist në Media: Diskutimi mbi mënyrën se si media mund të luajë një rol të fuqishëm në promovimin e barazisë gjinore dhe si mund të sfidojmë përfaqësimet e padrejta të grupeve të margjinalizuara.
Lëvizjet Anti-Gjini dhe Rreziku për Demokracinë: Hulumtimi i ndikimeve të lëvizjeve që sfidojnë strukturat tradicionale të gjinive dhe si ato ndikojnë në vlerat dhe përparimin demokratik.
Roli i Trupit dhe Puna e PaPaguar e Grave: Si mund të kuptojmë më mirë mënyrat se si politikat shtypëse ndikojnë në trupat dhe jetët e grave, duke i dhënë atyre mundësinë të fitojnë fuqizim dhe të ndryshojnë kushtet e punës?
Politikat e Vështrimit përmes Kamerës: Analiza e politikave dhe mënyrës se si ato ndikojnë në mënyrën se si shohim dhe përfaqësojmë individët dhe shoqëritë.
Të rinjtë e pranishëm gjithashtu sollën me vete ide dhe pasione të shumta, duke kontribuar në një diskutim të pasur dhe të frytshëm. Kjo ishte një mundësi për të krijuar lidhje të reja dhe për të fuqizuar njëri-tjetrin në rrugëtimin për të arritur një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
Akademia Queer-Feministe është vetëm fillimi i një lëvizjeje më të gjerë. Ky është një hap i rëndësishëm për të krijuar hapësira edukative dhe reflektive që sfidojnë normat hetero-patriarkale dhe promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale për të gjithë individët, pa marrë parasysh identitetin e tyre gjinor, seksual apo shoqëror.
Aleanca LGBTI dhe mbështetësit e tjerë janë të përkushtuar të vazhdojnë këtë rrugëtim, duke e bërë këtë akademi një platformë të fuqishme për solidaritet dhe veprim. Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit jo vetëm që morën dije të reja, por edhe u fuqizuan për të bërë ndryshime konkrete në jetën e përditshme dhe në shoqërinë e gjerë.
Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë! Shihemi në edicionin e rradhës!


