Raportimi i Aleancës LGBTI në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më 30 Gusht 2024, në sallën XXIV të Përfaqësisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë u mbajt seksioni i rishikimit të përgjithshëm periodik të shtetit dhe qeverisë shqiptare.

Rishikimi i Përgjithshëm Periodik (Universal Periodic Review – UPR) është një mekanizëm unik i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e të drejtave të njeriut në secilin prej vendeve anëtare. Çdo shtet anëtar i OKB-së kalon në një rishikim të tillë çdo pesë vjet, ku vlerësohet përparimi i bërë në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe përmirësimin e kushteve të tyre brenda vendit.

Rishikimi i përgjithshëm periodik është mekanizmi më i rëndësishëm i sistemit të Kombeve të Bashkuara sa i përket vlerësimit ndërkombëtar të situatës së të gjitha të drejtave të njeriut në vend dhe përmbushjes së detyrave të shtetit në raport me garantimin e tyre gjatë 5 viteve të fundit.

Në një deklaratë dedikuar problematikave kryesore në lidhje me të drejtat e komuniteteve LGBTI+ në Shqipëri, sot Aleanca LGBTI i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të nxisë shtetin shqiptar:
1: Të njohë ligjërisht bashkimet e çifteve të të njëjtit seks, të drejtat prindërore, të drejtat trashëgimore dhe civile që rrjedhin nga martesa apo bashkëjetesa ligjore;
2: Te njohë ligjërisht identitetin gjinor të personave transgjinorë bazuar mbi parimet e vetëidentifikimi;
3: Të forcojë parashikimet ligjore mbi gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes te motivuara mbi bazat e orientimit seksual dhe identitetit gjinor mes adoptimit të një ligji specifik apo mes shtimit të dispozitave penale specifike;
4: Te krijojë mjedise të sigurta shkollore përmes programeve kombëtare kundër bullizmit mbi bazat e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, kurrikulave gjithëperfshirese dhe ngritjes se kapaciteteteve të stafit arsimor;
5: Te ofrojë shërbime mjekësore cilësore dhe te dedikuara për personat LGBTI, sidomos për personat transgjinorë dhe të ngrejë kapacitetet e sistemit shendetësor në lidhje me çështjet LGBTI+;
6: Të sigurojë implementimin efektiv te planit kombëtar të veprimit për personat LGBTI 2021-2027 mes alokimit të resurseve të dedikuara dhe përmiresimit të mekanizmave zbatuese dhe monitoruese.

Deklarata e Aleancës LGBTI gjatë rishikimit periodik në Gjenevë thekson sfidat e vazhdueshme që komuniteti LGBTI+ përballet në Shqipëri dhe rëndësinë e përparimeve konkrete në garantimin e të drejtave të tyre. Duke bërë thirrje për njohjen ligjore të bashkimeve të të njëjtit seks, të drejtave të personave transgjinorë dhe forcimin e mbrojtjes kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, nënvizojmë nevojën për angazhim të fuqishëm nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar.

Ndërhyrje të tilla synojnë krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë të mbrojtura dhe të respektuara në mënyrë të plotë dhe të barabartë.

Deklarata e ekspertes ligjore Dea Nini gjatë Rishikimit të Përgjithshëm Periodik.


Scroll to Top