Ditët e fundit jemi përballur me reagime të forta publike mbi një propozim në projektligjin “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, i cili e përkufizon “gjininë” si një koncept në përputhje me parimet e mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore të individëve.
Është koha të jemi të qartë: përkufizimi i gjinisë në projektligjin për barazinë gjinore nuk është “shpikje” që i shërben kaosit nga dezinformimi, por një garanci minimale dhe e pastër ligjore. Ky përkufizim nuk ndryshon biologjinë, as seksin, nuk shpik gjini të reja, nuk ndryshon faktin se në Shqipëri personat transgjinorë nuk njihen ligjërisht, apo faktin se çiftet e së njëjtës gjini nuk mund të kenë bashkëjetesë apo martesë ligjore, pavarësisht standardeve të të drejtave të njeriut në këto fusha, të cilat duhet të jenë objekti i diskutimeve të tjera të informuara. Përkufizimi i gjinisë në projektligjin në fjalë siguron që çdo njeri, vajzë apo djalë, grua apo burrë, person interseks e person transgjinor, pa dallim të gëzojë të njëjtat të drejta dhe të trajtohet me të njëjtin respekt dhe dinjitet njerëzor, për faktin e thjeshtë se është njeri.
Ky përkufizim gjithëpërfshirës është interpretuar gabimisht dhe dashakeqësisht si një hap drejt “70 gjinive” në Shqipëri, apo si një legjitimim i identifikimit të njerëzve me kafshë. Këto pretendime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe nuk kanë lidhje me realitetin juridik.
Sqarojmë se ky projektligj nuk ka se si ta “ndryshojë” biologjinë. Në biologji ekzistojnë sekset femra, meshkuj dhe persona interseks (të lindur biologjikisht me karakteristikat e dy sekseve). Kjo është një e dhënë mjekësore dhe realitet biologjik i pranuar ndërkombëtarisht.
Përkufizimi aktual i gjinisë në ligj nuk ka të bëjë me këtë realitet, pasi në asnjë moment nuk përmend seksin biologjik. Gjinia si një kategori sociale dhe juridike, lidhet me mënyrën se si individët e jetojnë dhe shprehin veten dhe identitetin e tyre në shoqëri. Qëllimi i propozimit ligjor është i thjeshtë: askush të mos diskriminohet për këtë arsye, në përputhje me kuadrin ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi dhe kuadri ligjor ndërkombëtar i detyrueshëm për Shqipërinë.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 18, ndalon diskriminimin e padrejtë. Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (2010) e ka përfshirë qartë identitetin dhe shprehjen gjinore si karakteristika të mbrojtura. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur vazhdimisht se identiteti gjinor mbrohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe se çdo trajtim i pabarabartë mbi këtë bazë është i ndaluar. Po kështu, Karta e të Drejtave Themelore të BE-së dhe jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së e konsiderojnë diskriminimin mbi bazën e identitetit gjinor si diskriminim mbi bazë gjinie.
Për Shqipërinë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe vend që ka ratifikuar të gjitha konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kjo nuk është zgjedhje, por detyrim. Harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare mbi barazinë dhe mosdiskriminimin është kusht i panegociueshëm. Në këtë kuptim, përkufizimi i gjinisë nuk është një imponim dashakeqës që rrezikon të fusë shoqërinë në kaos, por një detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i respektit, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut, pa dallim për çdo individ.
Në një kohë ku do të duhet të diskutonim mbi atë çka vërtet parashikon ligji, arritjen e barazisë kuptimplotë gjinore në shoqëri pa kurrfarë diskriminimi, diskursi publik shpërndahet drejt skenarëve apokaliptikë të “shkatërrimit kombëtar”. Këto janë narrativa që nuk e ndihmojnë shoqërinë tonë, por e mbajnë të bllokuar në frikë.
Në vend që të ushqehemi me frikëra imagjinare, le të pranojmë se respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i barazisë është jo vetëm një detyrim ligjor i Shqipërisë, por edhe një vlerë themelore për një shoqëri demokratike që dëshiron të ecë përpara.