Komuniteti LGBTI+ dhe zgjedhjet e 11 majit: Vota për dinjitet dhe të drejta

Facebook
Twitter
LinkedIn

Për herë të tretë, raporti Mendo Politikisht ofron një analizë të detajuar të programeve dhe premtimeve të partive politike në Shqipëri në lidhje me të drejtat dhe nevojat e komunitetit LGBTI+. Publikuar në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit 2025, ky raport synon të informojë dhe fuqizojë votuesit LGBTI+ dhe aleatët e tyre për të marrë vendime të vetëdijshme dhe të informuara në kutinë e votimit.

Edhe këtë herë, tabloja nuk është shumë ndryshe nga e kaluara: mungesa e përfshirjes konkrete, premtime të vagëta dhe një hezitim i dukshëm për t’u angazhuar hapur me të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Raporti vë në dukje se pjesa më e madhe e partive politike vazhdojnë të injorojnë ose të trajtojnë në mënyrë sipërfaqësore çështjet që lidhen me komunitetin LGBTI+. Shprehje si “barazi”, “përfshirje” apo “të drejta të njeriut” janë të pranishme në disa programe, por ato rrallëherë shoqërohen me masa konkrete që do të përmirësonin realisht jetën e personave LGBTI+. Kjo tregon për një mungesë vullneti politik për të adresuar në mënyrë serioze diskriminimin dhe përjashtimin që komuniteti përjeton.

Aty ku përmendet “barazia” apo “përfshirja”, ajo vjen si pjesë e një liste të gjatë premtimesh të përgjithshme, pa ndonjë plan konkret, pa një masë të matshme, dhe, më së shumti, pa një zë të vërtetë që përfaqëson realitetin dhe nevojat e komunitetit. Kjo heshtje politike nuk është e re, por është zhgënjyese. Në një kohë kur persona LGBTI+ në Shqipëri vazhdojnë të përballen me diskriminim, izolim dhe pasiguri, mungesa e angazhimit politik është një dështim që nuk mund të fshihet pas fjalëve të bukura.

Vota si mjet ndikimi

Megjithatë, Mendo Politikisht nuk është vetëm një kritikë, është një thirrje për veprim. Raporti u bën thirrje votuesve LGBTI+ të mos heqin dorë nga fuqia që kanë përmes votës. Sepse edhe nëse partitë heshtin, komuniteti nuk duhet ta bëjë këtë.

Vota mund të jetë një akt politik, por për shumë persona LGBTI+ në Shqipëri është edhe një akt mbijetese dhe dinjiteti. Të votosh me vetëdije, të kërkosh llogari për premtimet dhe të ngresh zërin për përfaqësim është mënyra më e drejtpërdrejtë për të sfiduar një sistem që shpesh të injoron.

Ju ftojmë të lexoni raportin Mendo Politikisht dhe të ndiqni postimet tona në rrjete sociale, për një vendimmarrje sa më të mirëinformuar dhe që mund të ndikojë në përmirësimin e realitetit për personat LGBTI+ në katër vitet e ardhshme. Edhe pse alternatvat janë të pakta, vota është mjeti jonë i vetëm për të kujtuar partitë politike dhe kandidatët se pesha e komunitetit tonë nuk mund të anashkalohet. Vota jonë është zë, është rezistencë dhe kërkesë për barazi. Edhe kur nuk na përmendin, ne jemi këtu, dhe kërkojmë të jemi pjesë e vendimmarrjes.

Scroll to Top