Ejani me 24 Maj në Tirana Pride!

Facebook
Twitter
LinkedIn

Çdo maj, në shumë vende të botës, komunitetet LGBTI+ ngrihen për të festuar identitetet e tyre, për të kërkuar barazi dhe për të sfiduar sistemet që i kanë shtyrë në margjinë. Në Shqipëri, Tirana Pride është më shumë sesa një ngjarje vjetore, është një moment i fuqishëm rezistence, kujtese dhe shprese. Një thirrje publike për dukshmëri, për dashuri pa kushte dhe për të drejtën për të qenë të lirë, pa frikë dhe pa dhunë.

Pse është e rëndësishme Tirana Pride?


Në Shqipëri personat përballen ende me paragjykim, dhunë, izolim dhe mungesë të mbështetjes institucionale. Situata për komunitetin LGBTI+ duket se po përkeqësohet në shumë vende të botës. Prandaj, në një kohë kur komunitetet tona po përballen me urrejtje dhe diskriminim, ne zgjedhim të qëndrojmë Krah për Krah. Tirana Pride është një akt i guximshëm. Është një hapësirë ku komuniteti dhe aleatët e tij dalin në rrugë për të thënë: “Jemi këtu. Nuk do të fshihemi. Kemi të drejtë të jetojmë të lirë dhe të barabartë.”

Për shumë njerëz queer në Shqipëri, Pride nuk është vetëm festë. Është ndoshta i vetmi moment i vitit ku ndihen të mbrojtur dhe të pranuar ashtu siç janë.

Tirana Pride nuk është thjesht një marshim, është rezistencë. Është zë. Është dashuri

Aktivitetet e Majit të Krenarisë

Përpara paradës më 24 maj, Aleanca LGBT dhe partnerët e saj kanë organizuar një seri aktivitetesh që sjellin në qendër historitë, talentet dhe realitetet e komunitetit LGBTI+. Ky muaj nuk është vetëm për të marshuar, është për të reflektuar, për të mësuar, për të lidhur ura dhe për të ndërtuar një komunitet më të fortë.

Kalendari i Aktiviteve për Majin e Krenarisë

  • 19 Maj – Ekspozita “Lule Maji”
    Një ekspozitë që sjell ngjyrat dhe zërat e komunitetit në qendër të Tiranës.
    @Destil, ora 19:00
  • 21 Maj – Queer Got Talent
    Një spektakël për të festuar talentin dhe kreativitetin queer.
    @Tulla Culture Center, ora 19:00
  • 22 Maj – Panele dhe Performanca në Vila 31
    “Lëvizjet Anti-Gjini” (ora 17:00) dhe “Pride Has Many Colors” (ora 18:00) – një hapësirë reflektimi për lëvizjet feministe dhe queer në rajon.
  • 22 Maj – Shfaqje e filmit ‘Lesvia’
    Mbi 40 vite histori lezbike midis përplasjeve për njohje dhe liri.
    @Vila 31, ora 18:15
  • 23 Maj – Ekspozita “Pas Perdes”
    Dy perspektiva ballkanike që flasin për intimitet, sfida dhe identitet.
    @ZETA Gallery, ora 19:00
  • 24 Maj – TIRANA PRIDE
    Parada e Krenarisë në qendër të Tiranës.
    @Reja, ora 11:00
    Në mbrëmje: Drag Queen Party @Tulla Culture Center, ora 20:00
  • 25 Maj – Ekspozita “Dashuria është e njëjtë” nga Blerta Kambo
    @Piramida, ora 19:00

Nëse je me ne për barazi, drejtësi sociale dhe liri, tregoje!
Marsho me ne për dukshmëri, për të drejtat tona, për një shoqëri më të drejtë.

Krah për Krah – Sepse e ardhmja u përket atyre që guxojnë!

Tirana Pride nuk është vetëm një ditë. Është një ndjesi, një frymë, një përqafim i hapur për të gjithë ata që ndihen të ndryshëm, që kanë dashur ndonjëherë në heshtje, që janë ndjerë vetëm, apo që janë lodhur duke luftuar për të qenë vetvetja. Mos prit të jesh “gati”, mos prit të ndihesh “mjaftueshëm i sigurt”. Thjesht eja! Me shokë, me familje, me partner/e, ose vetëm, sepse në Tirana Pride asnjëherë nuk je vetëm.

Më 24 maj, në zemër të Tiranës, ejani të festojmë dashurinë dhe lirinë. Ora 11:00 te Reja. #KrahPërKrah

Scroll to Top