Sot vendosa të mos i përgjigjem një faktori të jashtëm provokues me instinktin “fight or flight”, por të ndalem, të lutem e të marr frymë thellë, dhe ky moment qetësie më hapi një dialog të brendshëm që më rikujtoi humanitetin tim të plotë e të patjetërsueshëm, prej nga buroi edhe teksti i mëposhtëm. – Amar
Së fundmi, Koalicioni i Urrejtjes i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që të afirmojë se njerëzit si unë, pra komuniteti LGBTIQ+, janë qytetarë të dorës së dytë dhe se fati i tyre duhet të negociohet sikur të ishte një lojë ping-pongu, ku topi kërcet sa majtas, sa djathtas, dhe një publik i hipnotizuar ftohet të bërtasë “po” ose “jo”. Koalicioni i Urrejtjes i ka banalizuar bashkëjetesën dhe emancipimin tonë kolektiv human në dy thasë të vegjël të një pazari peshku, ku dikush blen levrek e tjetri kocë.Koalicioni i Urrejtjes vë mizorisht në pikëpyetje nëse komuniteti im ka të drejtë të ekzistojë, të dashurojë, të jetë prind dhe edukues.
Koalicioni nuk vë thjesht në pikëpyetje të drejtat tona, por kërkon të vërë nën hekura lirinë dhe të ardhmen tonë. Përgjigjja ime është një JO e madhe: jo urrejtjes së tyre, jo frikës së tyre, jo fshirjes nën kthetrat e tyre. Kjo e imja është një thirrje për t’u bashkuar rreth Koalicionit të Dashurisë, që i fton njerëzit të jetojnë me dinjitet, në paqe dhe në dashuri. Këto emocione dhe këtë thirrje më duhet ta racionalizoj, sepse mendoj se përballë urrejtjes arma më e fortë është kombinimi çudibërës i logjikës me dashurinë.
Megjithë përpjekjet shpesh vetësakrifikuese të minoriteteve për t’u prezantuar paqësisht në shoqëri, si përgjigje dhe në mënyrë reaksionare do të ketë gjithmonë forca të errëta që do t’i instrumentalizojnë këto minoritete, rëndom për të përfituar politikisht dhe ekonomikisht. Qëllimet transparente-meskine i vendosin tinëzisht minoritetet seksuale dhe gjinore përballë gjykimit të pamëshirshëm kolektiv. Kjo situatë nuk është aq e vështirë për t’u kuptuar nëse përdorim dialektikën hegeliane, e cila e shpjegon ndryshimin përmes një procesi të kontradiktave, shpesh të përmbledhur si tezë–antitezë–sintezë.
Nëse marrim për bazë modelin e dialektikës hegeliane për të shpjeguar prezantimin dhe emancipimin shoqëror-politik-ligjor të komunitetit LGBTIQ+ në realitetin shqiptar (dhe atë global), atëherë ajo do të dukej si më poshtë:
Komunitetet LGBTIQ+, që nënkuptojnë personat lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, interseks dhe queer, paraqiten në shoqëri me argumente që në thelb shpjegojnë se asgjë nuk justifikon përjashtimin e tyre nga të drejtat dhe detyrimet që gëzon çdo qytetar tjetër (pavarësisht orientimit të tyre seksual (LGB), identitetit gjinor (T) apo karakteristikave të seksit (I)).
Shtypja e tyre sistemike dhe historike është e padrejtë dhe e pajustifikuar. Kjo kërkesë bazohet te principet dhe vlerat universale të barazisë, të cilat parashtrojnë se “të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lira në dinjitet dhe të drejta. Ato janë të pajisura me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëra-tjetrës në frymën e vëllazërisë.” Ky është, në fakt, Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, i miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948 (edhe nga Shqipëria), nën rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Ky nen madhështor pasohet nga qindra e mijëra nene të tjera ndërkombëtare dhe kombëtare që afirmojnë të drejtat dhe liritë e të gjithëve ne.
Nën këto principe, vlera dhe ligje, komunitetet LGBTIQ+ kanë parashtruar vit pas viti autenticitetin dhe legjitimitetin e kërkesave të tyre, të bazuara gjithmonë në logjikën humaniste, ligjore, biologjike dhe sociale. Në mënyrë koherente, brilante dhe kreative, ata dhe aleatët e tyre kanë parashtruar argumente që kërkojnë barazi përpara ligjit, mbrojtje nga padrejtësitë, mosdiskriminim dhe pajtim e pranim shoqëror. Këtu aktorë janë lista e pafundme e mjekëve, psikologëve, juristëve, filozofëve, studiuesve, aktivistëve e shumë grupeve dhe disiplinave të tjera që, me fakte dhe logjikë, kanë çmontuar çdo paragjykim kundër komunitetit LGBTIQ+.
Përkrah lëvizjeve të tjera për barazi, veçanërisht atyre për liritë ekonomike dhe politike, të drejtat e grave dhe njerëzve me ngjyrë, aktivistët LGBTIQ+ kanë kontribuar edhe në diçka tjetër thelbësore: i kanë ofruar shoqërisë një pasqyrë reflektimi. Shoqëria (ose më saktë sistemi) ka marrë doza të forta kritikash; dogmat e ngurta shekullore, patriarkati, hierarkitë gjinore, mizogjinia dhe shtypja e vajzave dhe grave, e shumë lloje të tjera padrejtësish, janë vënë në “bankën e të akuzuarit” me një “prokurori” që, rrjedhshëm e bindshëm, shpjegon pasojat shkatërrimtare të këtij sistemi autoritar.
Në këtë akuzë dhe konfrontim legjitim, patriarkatit dogmatik (dhe institucioneve që ushqehen e mbahen në këmbë prej tij) i është vënë në dukje hipokrizia, padrejtësitë dhe, kësisoj, i janë sfiduar themelet e pushtetit (mbi të gjitha ato politike dhe ekonomike). Të jemi të qartë: po flasim për supremaci, një “e drejtë” “e dhënë drejtpërdrejt nga Zoti”, e kultivuar ndër shekuj me emërtime të shumëllojshme narciziste; për shembull, Luigji i XVI i Francës që vetëdeklarohej “L’État, c’est moi” (Shteti jam unë). Sa burra janë ekzaltuar të vetëkënaqur me të tilla deklarata afirmuese pushteti të palimituar? “Supremaci” është fjalë shumë e goditur, them unë, sepse fjala “pushtet” është shumë e butë për të përshkruar dominimin mijëravjeçar të sistemit patriarkal që, me forcën e shpatës, pushkës, ligjit dhe burgut, ka vendosur pas hekurave ose ka vënë nën turrën e zjarrit këdo që e ka kundërshtuar.
Prania, artikulimi, dukshmëria dhe kërkesat e komunitetit LGBTIQ+ kanë sjellë një kundërreagim, një reaksion të fuqishëm, të pamëshirshëm, të dhunshëm, të armatosur deri në dhëmbë (lexo: fonde), me të gjitha mjetet (politike dhe ekonomike) që synojnë, e para, të ruajnë status quo-në e supremacisë së patriarkatit (si universal, të pakrahasueshëm në vlera dhe virtyte, si një realitet pa alternativë); e dyta, të modelojnë realitetin njerëzor si pasqyrë të këtij modeli (bota është e ndërtuar në versionin “marsian”, e udhëhequr nga burrat dhe për burrat, gratë si inkubatorë që prodhojnë fëmijë për fabrikat, qendrat tregtare dhe luftërat gjeopolitike); dhe e treta, për t’ia prerë hovin që në gjenezë kujtdo që sfidon, qoftë edhe nominalisht, këtë status quo; këtu pozicionin e nderit e kanë feministet, gratë e revoltuara, homoseksualët, transgjinorët… lista është shumë e gjatë.
Narrativa është shumë e dobët intelektualisht dhe akoma më e dobët moralisht; ideatorët e kësaj shtypjeje deklarojnë se identitetet LGBTIQ+ janë të kundërnatyrshme, familja nukleare është vetëm për një burrë dhe një grua, njerëzit janë ose burrë ose grua, dhe kjo është e patjetërsueshme, komuniteti LGBTIQ+ është kërcënim për më të vegjlit etj. Pavarësisht kundërargumenteve që hedhin poshtë këto anakronizma, idhtarët e antitezës përdorin mekanizma shumë inteligjentë: pseudoshkencën, manipulimin, frikën, emocionin dhe “urgjencën e çështjes”.
Nga Rusia në Hungari e në SHBA, ata po korrin suksese të njëpasnjëshme: për gjithnjë e më shumë njerëz, komuniteti LGBTIQ+ është një rrezik që duhet eliminuar. Për ata që jetojnë të hipnotizuar nën efektin e patriarkatit (dhe autoritetin ndëshkues të priftit, mësuesit, policit…), këto mesazhe hutojnë, trembin, përçajnë. Në një pjesë të publikut, frika i ka zënë vendin dialogut dhe mirëkuptimit, shpifjet i kanë zënë vendin fakteve dhe informimit të përgjegjshëm; lufta “ne kundër atyre” i është kundërvënë vizionit humanist për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe të emancipuar, ku të qenurit “ndryshe” nga të tjerët nuk justifikon shtypjen dhe keqtrajtimin.
Një rrugë e mesme (që nuk e shfaros patriarkatin, por nuk shfaros as LGBTIQ+) duhet gjetur, edhe pse patriarkati supremacist është në grahmat e tij të fundit, dhe këtë nuk e them unë sepse më shkon për shtat. Dominimit të tij 2000+ vjeçar po i vjen fundi. Botës së tashme i duhet një tjetër sistem dhe unë mendoj se, ndër të tjera, asaj i duhet një pajtim i energjive sublime mashkullore dhe femërore. Patriarkati tashmë duhet të negociojë me matriarkatin. Kjo ose do të jetë luftë e përgjakshme, ose do të kërkojë një diskutim të paqtë ku termat negociohen me forcën e fjalës dhe mendimit, nën rrezatimin e energjisë së dashurisë dhe të ardhmes së përbashkët.
Komuniteti LGBTIQ+ është pjesë integrale e kaleidoskopit të shoqërisë njerëzore dhe nuk është kurrsesi në konflikt me dy energjitë sublime femërore dhe mashkullore. Përkundrazi, manifestimi i energjive femërore dhe mashkullore është shumë më kompleks, më i bukur dhe i mrekullueshëm sesa binariteti autoritar që imponon patriarkati. LGBTIQ+ jo vetëm që kanë kapacitetin të lulëzojnë në potencialin e tyre të plotë njerëzor, por kanë misionin historik që të jenë pasqyrë – gati magjike, e monokromatizmit dhe daltonizmit patriarkal.
Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese do të qeshë me disa nga pyetjet e parashtruara nga Koalicioni i Urrejtjes dhe do t’u përgjigjet shumë seriozisht pyetjeve që synojnë të minojnë dhe zhdukin nga hapësira publike (dhe sidomos nga librat e ligjit) komunitetin LGBTIQ+. Kushtetuta dhe ligji shqiptar janë në një stad shumë të emancipuar, ku të drejtat dhe liritë themelore mbrohen fuqishëm nga më shumë se një nen apo klauzolë. Misioni i Shqipërisë postkomuniste është, për mendimin tim, dekada larg mendësisë së kalbur të botës së viteve 1930. Mos qofsha i gabuar!
Por unë jam dakord me motrat dhe vëllezërit e mi queer që sugjerojnë se kërkesa për referendum nuk është qëllimi final i Koalicionit të Urrejtjes. Misioni i tyre është përçarja, paniku dhe polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë. Ata kanë për mision t’i ndajnë shqiptarët në LGBTIQ+ dhe jo-LGBTIQ+, dhe interesi i tyre primar është urrejtja dhe togfjalëshi imperialist ‘divide et impera’ (përça e sundo).
Koalicioni i Urrejtjes dëshiron t’i bindë shqiptarët se një person si unë nuk meriton të jetë prind, se një person transgjinor nuk meriton të jetojë me liri dhe dinjitet, se edukata dhe dija janë armiq të fëmijëve dhe të rinjve. Energjitë dhe paratë e harxhuara nga Koalicioni i Urrejtjes më duken paradoksalisht kaq shumë të shkëputura nga problemet madhore nga të cilat vuan sot shoqëria jonë: korrupsioni endemik, polarizimi politik, krimi i organizuar, largimi i të rinjve, një shoqëri që po plaket dhe dobësohet; shto këtu edhe një botë shumë më të pasigurt, gjithmonë e më të predispozuar drejt dhunës dhe konfliktit. Kush po e financon (dhe përse) këtë polarizim dhe përçarje?
Kjo është një thirrje për këdo që i lexon këto fjalë, qoftë LGBTIQ+ ose jo, qoftë shqiptar ose i huaj: Nëse je një person LGBTIQ+: mos ki frikë, mos ki turp, mos u mposht. Ekzistenca jote autentike është rezistencë. Suksesi yt në çdo fushë të jetës është fitore. Për çdo qytetar të ndërgjegjshëm, për çdo gjyqtar dhe jurist: i thuaj jo kësaj farse dhe dritëshkurtësie. Për çdo prind, mësues, lider: predikoni dashurinë, predikoni pjekurinë, predikoni paqen. E ardhmja do t’ju gjykojë me energjinë që i kushtuat dashurisë dhe jo me përllogaritjet meskine të pazareve të momentit.
Amarildo Fecanji / reporter.al
