Qeveria shqiptare ka bërë përparime në luftën kundër diskriminimit të personave LGBT, por ende nuk po arrin të sigurojë zbatimin e plotë të ligjeve dhe politikave në praktikë.
Ky ishte një nga konkluzionet e vizitës së Graeme Reid në Tiranë, i cili në cilësinë e Ekspertit të Pavarur për mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor u angazhua për të vlerësuar situatën e të drejtave të personave LGBT në Shqipëri dhe për të bërë rekomandime për përmirësimin e respektimit të këtyre të drejtave në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Reid theksoi se personat LGBT vazhdojnë të përballen me diskriminim në arsim, shëndetësi dhe punësim, ndërsa barrierat sociale dhe stigma i i pengojnë ata të raportojnë krime dhe të kërkojnë drejtësi. Ndërsa qeveria është e angazhuar për të drejtat e njeriut, kërkohet më shumë veprim në përmirësimin e zbatimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit në nivel lokal.
Sipas gjetjeve paraprake, eksperti i Kombeve të Bashkuara vlereson se qeveria shqiptare ka ngritur një strukturë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT, por mbetet ende shumë për t’u bërë në zbatimin real të këtyre politikave. Gjatë një vizite 10-ditore në Shqipëri, Reid përgëzoi përpjekjet e qeverisë për të harmonizuar ligjet me standardet ndërkombëtare, por vuri në dukje se personat LGBT përballen ende me diskriminim në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe punësimit. Pengesat burojnë nga stigma shoqërore dhe mungesa e ndërgjegjësimit, gjë që i pengon personat LGBT të raportojnë dhunën me motive paragjykimi dhe të kërkojnë drejtësi për shkeljet e të drejtave të tyre.
Sipas Reid është e nevojshme të forcohen masat për rritjen e ndërgjegjësimit në nivel lokal, të përmirësohet mbledhja e të dhënave dhe të rritet financimi për trajnime dhe burime të nevojshme për të luftuar diskriminimin. Ai theksoi se pavarësisht arritjeve legjislative, pabarazitë midis statistikave zyrtare dhe perceptimeve publike mbi diskriminimin ndaj LGBT janë shqetësuese.
Raporti i tij do të paraqitet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në qershor 2025, duke përfshirë rekomandime për adresimin e këtyre mangësive dhe përmirësimin e përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare.
Për më shumë, lexoni deklaratën e plotë të Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR):