Ky raport monitorimi synon të vlerësojë në mënyrë objektive nivelin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI+ 2021-2027 (PKV) gjatë periudhës Janar 2021 – Dhjetor 2025, duke mbuluar pesë vitet e para të zbatimit nga shtatë të planifikuara. Monitorimi është realizuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI mbi bazën e kërkesave zyrtare për informacion drejtuar institucioneve përgjegjëse, në përputhje me logjikën e ndërhyrjes të përcaktuar në Aneksin 4 të PKV-së, analizës doktrinare, si dhe të dhënave të mbledhura përmes pyetësorëve të zhvilluar gjatë pesë viteve të fundit me individë të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.
Gjetjet kryesore të këtij monitorimi tregojnë se zbatimi aktual i PKV-së mbetet i ulët, i pjesshëm dhe i pabarabartë ndërmjet sektorëve dhe niveleve qeverisëse të institucioneve përgjegjëse.
Megjithëse evidentohet një nivel i kufizuar progresi, veçanërisht në drejtim të trajnimit të stafit të institucioneve të drejtësisë, mbështetjes financiare për Qendrën Streha dhe aktivitetit të raportuar nga Avokati i Popullit, ky progres mbetet i paqëndrueshëm dhe në masë të konsiderueshme i mbështetur në kontributin e shogërisë civile dhe donatorëve ndërkombëtarë, më shumë sesa në angazhimin e drejtpërdrejtë institucional.
5 gjetjet kryesore:
- Mbi 83% e bashkive të kontaktuara mes kërkesave zyrtare për informim nuk kanë kthyer asnjë përgjigje brenda afatit ligjor, tregues alarmi mbi nivelin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në nivel vendor.
- Asnjë bashki, nga ato që kthyen përgjigje, nuk raporton një buxhet të dedikuar për zbatimin e PKV-së.
- Shumica e aktiviteteve të raportuara si të zbatuara nga institucionet publike janë organizuar ose financuar nga shoqëria civile dhe donatorët ndërkombëtarë, ku institucioni raportues ka pasur rol kryesisht mbështetës.
- Produktet kryesore të Aneksit 4, duke përfshirë protokollet mjekësore, modulet e formalizuara kurrikulare, pikat fokale LGBTI+ në strukturat vendore dhe mekanizmat e referimit, mbeten kryesisht të paprovuara si të zbatuara.
- Perspektiva e komunitetit LGBTI+, e parë si e lidhur me objektivat e PKV-së, tregon një përkeqësim të disa treguesve kryesorë: dëshira për emigrim u rrit nga 65% (2020-2024) në 82.2% (2024-2025); pasiguria në strehim u rrit nga 42% në 48.7%; diskriminimi në shëndetësi u rrit nga 22% në 26.9%.
Lexoni raportin e plotë në vijim:
