Më 16 prill 2025, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar dha një vendim të rëndësishëm, në çështjen For Women Scotland Ltd kundër Ministrave të Skocisë ([2025] UKSC 16), duke u fokusuar në një nga pyetjet më të debatueshme në ligjin për barazi: çfarë nënkupton fjala “seks” në Ligjin për Barazi (Equality Act 2010)?
Ky vendim u dha në kontekstin e një beteje ligjore të nisur nga For Women Scotland Ltd kundër një udhëzimi zyrtar të Ministrave të Skocisë, i cili lejonte përfshirjen e grave trans me Certifikatë të Njohjes së Gjinisë (GRC) në kuotat gjinore për bordet publike. Ankuesit pretenduan se termi “grua” duhet të nënkuptojë vetëm gratë biologjike dhe se ky përkufizim ishte jashtë kompetencave të parlamentit skocez.
Çfarë vendosi Gjykata?
Gjykata konfirmoi se një person që ka një GRC, pra një identitet gjinor të njohur ligjërisht, trajtohet nga ligji si burrë apo grua në përputhje me gjininë e fituar. Kjo do të thotë që në kontekstin e Ligjit për Barazi, një grua trans me GRC konsiderohet “grua” në mënyrë të barabartë me një grua biologjike, për të gjitha qëllimet, përveç rasteve kur një ligj specifik e detajon këtë qëllim në drejtime të caktuara (si p.sh. shtatzënia).
Ky përfundim i Gjykatës bazohet në nenin 9(1) të Ligjit për Njohjen e Gjinisë 2004, ku përcaktohet:
“Kur një certifikatë e plotë e njohjes së gjinisë i jepet një personi, gjinia e personit konsiderohet për të gjitha qëllimet gjinia e fituar (në mënyrë që, nëse gjinia e fituar është gjinia femërore, seksi biologjik i personit konsiderohet femër dhe anasjelltas).”
Gjykata theksoi rolin e saj të kufizuar në çështjen konkrete, duke deklaruar:
“Nuk është roli i gjykatës të gjykojë mbi argumentet në sferën publike mbi kuptimin e gjinisë apo seksit, dhe as të japë një përkufizim të fjalës ‘grua’ përtej asaj që përdoret në dispozitat e Ligjit për Barazi. Detyra jonë është të përcaktojmë nëse këto fjalë kanë një kuptim të qartë, koherent dhe të parashikueshëm në kuadër të këtij ligji, në përputhje me Ligjin për Njohjen e Gjinisë 2004.” (paragrafi 2 i vendimit).
Gjykata qartësoi se ky vendim nuk vlen për personat trans që nuk kanë një GRC, pra nuk janë të njohur ligjërisht, pasi për ta, seksi mbetet ai biologjik i konstatuar në lindje në kuptimin ligjor.
Seks biologjik apo gjini sociale? Pse ka rëndësi ky dallim?
Ky vendim na rikujton se “seks” dhe “gjini” nuk janë dy koncepte të njëjta. Edhe pse shpesh ngatërrohen në legjislacion, këto dy koncepte kanë kuptime të ndryshme:
• Seksi biologjik i referohet karakteristikave biologjike (mashkull/femër), zakonisht i konstatuar dhe regjistruar në lindje.
• Gjinia është një konstrukt social dhe identitar që lidhet me përjetimin e brendshëm, shprehjen e jashtme dhe kuptimin e roleve gjinore në shoqëri.
Shumë ligje, përfshirë kuadrin ligjor shqiptar, ngatërrojnë seksin me gjininë duke i barazuar këto dy koncepte dhe duke krijuar boshllëqe në mbrojtjen ligjore të personave trans, jo-binarë dhe interseks. Kjo ndikon jo vetëm në qasjen në të drejta, por edhe në mënyrën si funksionojnë institucionet publike.
Ky vendim, duke u përpjekur të pajtojë Ligjin për Barazi me Ligjin për Njohjen e Gjinisë, nxjerr në pah tensionet ligjore që lindin kur këto dy koncepte nuk janë të ndara dhe të kuptuara qartë.
Pse ky vendim është i rëndësishëm për advokimin feminist dhe queer?
Ky vendim është një thirrje për reformë. Ai tregon se në mungesë të një kuadri të qartë dhe bashkëkohor që njeh gjininë si koncept më vete, të ndryshme nga koncepti i seksit biologjik, vendimet gjyqësore do të detyrohen të ndërtojnë interpretime problematike me efekte shpesh regresive për personat që kërkojnë mbrojtje.
Për punën advokuese, ky është një moment kyç për të kërkuar që:
• Termi “gjini” të përdoret qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme në ligje dhe dokumente zyrtare, që dallon nga “seksi biologjik” dhe që mbart një peshë më të madhe pasi përfshin të gjitha* gratë.
• Mbrojtja ligjore të zgjerohet duke marrë parasysh rëndësinë aktuale të njohjes së identitetit gjinor të vetëdeklaruar për personat transgjinorë.
• Zbatimi i të drejtave të jetë koherent, i parashikueshëm dhe përfshirës, në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare dhe realitetet shoqërore.
Pse njohja ligjore e gjinisë është sot jetike për personat transgjinorë?
Ky vendim thekson më shumë se kurrë se njohja ligjore e gjinisë është themelore për të garantuar të drejtat dhe jetën me dinjitet të personave transgjinorë. Gjykata vendosi se vetëm personat që kanë një Certifikatë të Njohjes së Gjinisë (GRC) mund të trajtohen plotësisht si burra apo gra në kuptimin ligjor. Kjo do të thotë që e gjithë mbrojtja dhe përfshirja e tyre në fusha si përfaqësimi publik, mbrojtja e plotë nga diskriminimi apo aksesimi i shërbimeve, varet nga ekzistenca e një procesi ligjor që e njeh gjininë e tyre, pasi në këtë moment gjinia e njohur barazohet me seksin dhe gjeneron të drejta dhe detyrime.
Ky vendim tregon në fakt se:
• Proceset e njohjes ligjore të gjinisë nuk janë luks, por kusht për të pasur të drejta të barabarta dhe jetë me dinjitet.
• Në vendet ku mungon ligji për njohjen e gjinisë, si Shqipëria, personat trans mbeten juridikisht të padukshëm, të pambrojtur dhe të përjashtuar nga një pjesë e madhe e jetës publike dhe institucionale.
Prandaj, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është vetëm interpretim juridik, por një dëshmi e fuqishme se sa vendimtare është njohja ligjore e identitetit gjinor për jetën e përditshme, sigurinë dhe barazinë e personave trans. Ky vendim duhet të jetë një thirrje për çdo shtet që ende nuk e garanton këtë të drejtë themelore: pa njohje ligjore të gjinisë, nuk ka barazi reale.
Autore: Dea Nini.