Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë. Tirana Pride 2026 ngre zërin për fuqinë e komunitetit dhe familjeve tona

Facebook
Twitter
LinkedIn

Edicioni i sivjetshëm i Tirana Pride vjen me mesazhin “Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë.” dhe sloganin #BashkëPërFamilje, një thirrje për solidaritet, qëndresë dhe kujdes të ndërsjellë përballë valëve të urrejtjes, dezinformimit dhe përjashtimit që vazhdojnë të prekin komunitetin LGBTI+.

Në një kohë kur diskurset përçarëse dhe regresive po bëhen gjithnjë e më të dukshme, Tirana Pride 2026 zgjedh të vendosë në qendër fuqinë e bashkësisë dhe të familjes. Jo vetëm familjen biologjike, por edhe familjen që ndërtojmë mes nesh përmes dashurisë, mbështetjes dhe solidaritetit.

Këtë vit, Pride organizohet për të kujtuar se komuniteti LGBTI+ ka mbijetuar dhe ka përparuar falë lidhjeve të forta që ka krijuar ndër vite.

Për shumë persona LGBTI+, familja nuk përcaktohet nga mënyra se si krijohet apo nga emri që mban, por nga kujdesi, pranimi dhe mbështetja që ofron.

Mesazhi i këtij viti vjen si një përgjigje ndaj klimës së polarizimit dhe përjashtimit, duke theksuar se çdo valë urrejtjeje ka lënë pasoja, por gjithashtu ka forcuar komunitetin dhe ka nxitur më shumë solidaritet. Përmes Tirana Pride 2026, komuniteti dhe aleatët e tij mblidhen bashkë për të afirmuar se forca më e madhe që kemi është kujdesi për njëri-tjetrin dhe aftësia për të ndërtuar hapësira ku secili mund të jetë vetvetja.

Parada e Krenarisë do të zhvillohet më 23 maj, në orën 12:00, tek Reja në Tiranë, ku aktivistë, aleatë, familje dhe qytetarë do të marshojnë së bashku në mbështetje të barazisë, dinjitetit dhe të drejtave të personave LGBTI+ në Shqipëri. Parada do të shërbejë si një kujtesë se, pavarësisht sfidave, komuniteti vazhdon të qëndrojë i bashkuar dhe i vendosur për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse.

Bëhu pjesë e Tirana Pride 2026 dhe bashkoju marshimit për të treguar se, përballë çdo vale urrejtjeje, ne zgjedhim solidaritetin, kujdesin dhe familjen.

23 maj | Ora 12:00 | Reja, Tiranë

Sepse në fund, vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë.

Scroll to Top