Deklaratë mbi gjuhën diskriminuese të përdorur në emisionin ‘Off Record’

Facebook
Twitter
LinkedIn

Ajo që ndodhi në emisionin “Off Record” në A2 CNN më 28 tetor ishte e turpshme. Nuk ishte një debat mbi ligjin për barazinë gjinore por ishte një akt i pastër dhune ndaj Mirela Arqimandritit një gruaje që i ka kushtuar 30 vite të jetës së saj mbrojtjes së të drejtave të grave. Ishte një përpjekje e turpshme për ta poshtëruar dhe heshtur publikisht.

Gjuha mizogjene, seksiste dhe homofobike e përdorur nga disa prej të ftuarve në studio ndaj Mirelës dhe Altin Hazizaj e ktheu një diskutim publik në një spektakël përbuzjeje, akuzash dhe urrejtjeje.Në mënyrë të përsëritur, pastori Akil Pano iu drejtua aktivistes Mirela Arqimandriti me fjalët: “Zonja Arqimandriti, ia kam thënë edhe në emisionin tjetër, nëse do silleni në studio si burrë, do t’ju trajtoj si burrë.”

Ky është thelbi i një mentaliteti që nuk e pranon dot një grua që flet dhe mbron atë që beson dhe për të cilën punon me argumentame.

Ky nuk është “debat”, është shprehje e një patriarkalizmi të pastër që kërkon t’i vendosë grave kufij në mënyrën si flasin, si qëndrojnë dhe si guxojnë të shfaqin opinionet e tyre.

Robert Aliaj, gjatë gjithë emisionit, përdori një gjuhë që do të duhej të ishte e papranueshme në çdo studio serioze televizive. Ai e quajti Mirelën “histerike” dhe “figurë neveritëse”, duke thënë:“Ka mundësi ta mbylli gojën ajo që është aty që kakaris gjithë kohës? Ç’i merrni këto njerëz histerikë nëpër panele?”“Ajo zonja që është aty ta qepi gojën pak.”“Bëhu icik me këmbë në tokë se ti flet shumë, por ai që flet shumë nuk di çfarë thotë… je një figurë shumë e shëmtuar, neveri fare, je neveri.”Ky nuk është opinion. Është dhunë verbale. Është përçmim publik i një gruaje që guxon të flasë. Dhe është pjesë e një modeli që shfaqet sa herë një grua refuzon ti nënshtrohet heshtjes që shoqëria i ka mësuar si “mirësjellje”.Në një moment tjetër, Robert Aliaj nxit edhe më shumë urrejtje duke deklaruar:“Komuniteti LGBTQ+ bla bla… janë një kategori pedofil-homoseksualësh… janë njerëz pervers… perversiteti juaj është e njëjta kategori me pedofilinë, njerëz manjakë.”

Këto janë deklarata që shkojnë përtej paragjykimit janë shpifje dhe dehumanizim. Të barazosh njerëz që kërkojnë barazi dhe dinjitet me “pedofilë” dhe “manjakë” është një gjuhë që nuk i përket asnjë shoqërie që pretendon të jetë demokratike.Po aq e rrezikshme ishte dhe gjuha e deputetit Zija Ismaili, i cili, në emër të profesionit të tij si mjek, përdori pseudoshkencë dhe shprehje diskriminuese për të sulmuar komunitetet LGBTI+:“Sot në shkencën e mjekësisë njihen 72 sindroma dhe ne kemi 72 gjini… orientimet seksuale që mund të kenë sindromat…”“Interseks është sindromë, është fatkeqësi njerëzore, është sëmundje… është vrastare për shoqërinë shqiptare nëse kalon ky ligj… është kancer me metastaza kriminale stadi 4.”

Një gjuhë e tillë është shkelje e çdo etike profesionale dhe njerëzore. Quajta “sëmundje” e njerëzve që lindin me karakteristika interseks nuk është “opinion shkencor”, është diskriminim. Dhe të quash një ligj që synon barazinë “kancer për shoqërinë” tregon qartë frikën dhe urrejtjen që këta burra ndjejnë ndaj çdo hapi përpara drejt barazisë drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Këta burra nuk janë kundër ligjit për barazinë gjinore sepse kanë rezerva juridike apo teknike janë kundër sepse ligji sfidon botëkuptimin e tyre patriarkal, ku gratë duhet të heshtin dhe personat LGBTI+ duhet të fshihen. Ata godasin nenet që mbrojnë nga stereotipet gjinore si edhe diskriminimi, sepse barazia u prish rendin e pushtetit që janë mësuar të kenë.Ajo që ndodhi në A2 CNN nuk është thjesht një “incident televiziv”. Është pasqyrë e saktë e mënyrës si funksionon ende shoqëria jonë: një vend ku gratë fyhen publikisht, ku urrejtja ndaj komunitetit LGBTI+ normalizohet, dhe ku platformat mediatike i japin zë atyre që përhapin dhunë dhe dezinformim në vend që ta ndalojnë atë.

Ky lloj diskursi nuk është liri fjale është dhunë e maskuar si debat. Dhe çdo herë që heshtim përballë saj, e legjitimojmë.Unë qëndroj sot krah Mirela Arqimandritit, me gjithë forcën time dhe solidaritetin tim. Sepse ajo që i ndodhi asaj, i ka ndodhur e i ndodh çdo gruaje që guxon të flasë. Dhe sepse e di mirë që pas çdo fjale të tillë mizogjene, ka një vajzë diku që fillon të mendojë se duhet të heshtë. Ne nuk do të heshtim.

Barazia gjinore nuk është kërcënim është e vetmja shpresë për të siguruar barazinë mes burrave dhe grave, për të ulur nivelin e dhunës dhe për të krijuar një shoqëri të shëndetshme.

Scroll to Top