Në kuadër të procesit të Rishikimit Periodik të Përgjithshëm (UPR), Shqipëria ka pranuar një sërë rekomandimesh të rëndësishme për të drejtat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.
Ndër rekomandimet e pranuara nga institucionet shqiptare përfshihen angazhimi për të njohur ligjërisht martesat dhe bashkëjetesat mes personave të së njëjtës gjini, forcimi i mekanizmave të llogaridhënies për Planin Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI (2021–2027), ndalimi i operacioneve të detyruara për fëmijët interseks, si dhe forcimi i masave kundër gjuhës dhe krimeve të urrejtjes.
Këto rekomandime janë adresuar nga vende si Kanadaja, Danimarka, Irlanda, Malta, Islanda, Meksika, Kolumbia, Spanja, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, duke treguar një mbështetje të gjerë ndërkombëtare për të drejtat e personave LGBTI në Shqipëri.
Pranimi i tyre shënon një hap pozitiv, por që duhet të shoqërohet me masa konkrete për zbatimin e tyre dhe angazhim nga të gjithë institucionet shqiptare përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe përfaqësimit të komunitetit LGBTI+.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, është zhgënjyese që Shqipëria nuk ka pranuar rekomandimin për njohjen ligjore të gjinisë mbi bazën e vetëidentifikimit, të propozuar nga Islanda. Kjo do të thotë se personat trans dhe jo-binarë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha për të pasur dokumente që pasqyrojnë identitetin e tyre të vërtetë. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një refuzim për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Megjithatë, Aleanca LGBTI, në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë, do të vazhdojë punën për të mbajtur institucionet shqiptare përgjegjëse për premtimet e bëra. Së bashku, ne do të vazhdojmë të kërkojmë ndryshime të prekshme që garantojnë barazi të plotë dhe dinjitet për të gjithë personat LGBTI në Shqipëri, përfshirë dhe personat transgjinorë dhe jo-binarë.
Lufta për të drejta të barabarta për komunitetin LGBTI+ vazhdon me forcë, këmbëngulje dhe solidaritet!
Rekomandimet e procesit UPR në Anglisht: