Pyetje dhe Përgjigje për prindërit e personave LGBT+.
Shpresojmë që kjo broshurë t’ju ndihmojë të kuptoni orientimin seksual të femijës suaj dhe domëthënien që ka për ju në marrëdhëniet më fëmijën tuaj.
Fjalori i përdorur në broshurë:
Orientim Seksual: Tërheqje seksuale e natyrshme. Prirja ose aftësia për të zhvilluar marrëdhënie intime emocionale ose seksuale me njerëz që i përkasin kategorisë të së njëjtës gjini, gjinisë së kundërt apo më shumë se një gjinie. Përdorni këtë term në vend të preferencës seksuale ose terminologjive të tjera jo të përshtatshme.
Identitet Gjinor: Ështё mёnyra se si njё njeri vet-identifikohet me njё kategori gjinore, si pёr shembull tё jesh burrё ose grua, apo nё disa raste asnjё prej tyre, i cili mund tё jetё i dallueshёm nga seksi biologjik. Një person mund të ketë përputhshmëri me identitetin e tij gjinor (p.sh., gjinia fizike dhe identiteti gjinor i tij/saj janë në përputhje të plotë) ose transgjinor (lindur biologjikisht me një gjini, por emocionalisht ose shpirtërisht me tjetrën) ose asnjëra plotësisht.
Strejt (Straight): Heteroseksual; jo-gej. Term i huazuar nga anglishtja që preferohet nga disa njerëz, pasi nuk është formal dhe klinik, siç është termi heteroseksual.
Gej (Gay): Një mbiemër që ka zëvendësuar gjerësisht fjalën “homoseksual” kur i referohemi meshkujve që janë seksualisht dhe emocionalisht të tërhequr nga meshkuj të tjerë.
Lesbike: Term i preferuar, si në formën e emrit ashtu edhe mbiemrit, për femra që janë emocionalisht dhe seksualisht të tërhequra nga femra të tjera.
Biseksual: Individët që tërhiqen emocionalisht dhe seksualisht nga të dyja sekset. Nuk supozon ose hamendëson poligami. Disa njerëz identifikohen si “bi” në vend të biseksualë.
Transgjinor: Term që po preferohet shumë nga njerëz, pamja, karakteristikat ose sjelljet e të cilëve janë jo konformë roleve gjinore…individë që ndryshe do të vetëquheshin transeksualë. Transgjinorët mund të jenë heteroseksualë, gej, lesbike ose biseksualë. Disa njerëz vetëidentifikohen si trans më shumë se transgjinorë.
LGBT/LGBTI/LGBTIQ/LGBT+: Akronim për “lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe ‘të pavendosur-questioning’.
I/e mbyllur në sirtar (Closed): I referohet një personi që mban të fshehur orientimin e tij/saj seksual ose identitetin gjinor.
Dalja hapur (Coming out): Procesi i njohjes, ndërgjegjësimit dhe pranimit të orientimit jo-heteroseksual ose identitetit gjinor me veten dhe pastaj ndarja me të tjerët. Fillimisht, shumë të rinj LGBT, ngrenë barriera emocionale kundrejt të njohurve të tyre, miqve dhe familjarëve duke pretenduar (konkretisht ose nëpërmjet heshtjes) se janë heteroseksualë. Dalja hapur zakonisht ndodh me etapa, dhe është një proces jo linear.
Homofobia: Term që tregon frikën e paarsyeshme nga homoseksualiteti. Ky term i referohet zakonisht të qenit kundër ose mospëlqyes ndaj personave gej, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë ose sjelljes stereotipike gej/lesbike.
Transeksual: Një person që ka biologjikisht një seks (lindje) por emocionalisht dhe shpirtërisht një tjetër. Transeksualët Femër-Mashkull (FTM) (From Female to Male) janë njerëz që kanë lindur me trup femre, por identifikohen si meshkuj. Transeksualët Mashkull-Femër (MTF) (From Mail to Female) kanë lindur me trup mashkulli, por identifikohen si femra.
Queer: Është një fjalë që përdoret për të përshkruar identitetin e tyre gjinor i cili nuk është konformë standarteve sociale dhe normave tradicionale të gjinisë. Queer mund të vetëquhen personat gej, lesbike, biseksual, straight, etj.
Parada e Krenarisë shpesh edhe Parada Gej: Event në të cilin komuniteti LGBT dhe mbështetësit e tyre parakalojnë (shpesh duke ecur në këmbë) për të shprehur krenarinë e tyre të të qenit gej, lesbike, transgjinorë, biseksualë. Këto parakalime në vendet e zhvilluara kanë formën e një feste, por në mjaft raste ata janë thjesht parakalime simbolike për të kërkuar ato të drejta të cilat i mohohen komunitetit LGBT.
Kur mësoni se fëmija juaj është gej, lezbike ose biseksual.
Shumica e prindërve nuk janë të përgatitur të dëgjojnë fjalët “Mami, babi, jam gej”. Nëse ju mendoni si pjesa më e madhe e prindërve, reagimi i parë do të jetë: “Si do ta përballoj këtë fakt”?
Sipas statistikave, një në dhjetë persona në mbarë botën është homoseksual. Përafërsisht një në katër familje ka një pjestar të afërt të familjes i cili është gej, lezbike, ose biseksual dhe shumica e personave kanë të paktën një të afërm gej, lezbike ose biseksual në rrethin më të gjerë të familjes përfshirë edhe rrethin shoqëror.
Kjo do të thotë se ka shumë njerëz me të cilët mund të flisni. Nga përvoja jonë mund t’ju themi se kjo ju ndihmon shumë. Gjithashtu mund të lexoni libra, të vizitoni faqe në internet dhe mund të takoheni me njerëz të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre personale, që mund t’ju ndihmojnë për të ecur përpara.
Aleanca LGBT mund t’ju mbështesë dhe t’ju japë informacione dhe ndihmën specifike të cilën secili prind mund ta ndjejë të nevojshme.
Disa prindër arrijnë ta përballojnë qetësisht dhe shpejt lajmin, por shumë prej tyre përballen me një proces tronditës mohues, faji dhe ndjenjë humbjeje. Pra nëse këto janë ndjesitë me të cilat po përballeni, janë krejt të kuptueshme për sa i përket qëndrimit të shoqërisë ndaj gejve, lezbikeve dhe biseksualëve. Mos e fajësoni veten për mënyrën sesi ndiheni, por përderisa e doni femijën tuaj, i detyroheni atij/asaj, edhe vetes suaj, që ta pranoni, ta kuptoni dhe ta mbështesni.
Mund të ndiheni sikur e keni humbur fëmijën tuaj, por nuk është e vërtetë. Fëmija juaj është i njëjti person siç ishte edhe më parë. E vetmja gjë që mund të ketë ndryshuar në përshtypjet për fëmijën tuaj, mund të jetë imazhi që ju keni krijuar për atë. Ajo ndjenjë e humbjes mund të jetë e vështirë për tu perceptuar, por imazhin e krijuar ndër vite mund ta zëvendësoni me një njohje të re dhe më të qartë për fëmijën tuaj. Ka shumë rëndësi të arrini të mirëkuptoni fëmijën tuaj kur është ende në moshë delikate.
Të rinjtë gej, lezbike, biseksualë dhe transgjinor që mohohen nga prindërit e tyre, krahasuar me të rinjtë e tjerë jo homoseksualë, kanë një shkallë më të lartë vetëvrasjeje dhe abuzimi me drogën ose alkoolin.
Nëse vajza apo djali juaj ua ka shprehur hapur orientimin seksual me nismën e vet, do të thotë që tashmë jeni në dijeni të çështjes. Vendimi i fëmijës suaj për të qenë i hapur dhe i ndershëm me ju, për një çështje që shumë në shoqërinë tonë nuk marrin përsipër ta pranojnë, është tejet i guximshëm. Kjo tregon për një dashuri, besim dhe përkushtim po aq të madh të marrëdhënies së tij/saj me ju.
Tani ju përket juve që të krahasoni kurajon, përkushtimin dhe dashurinë e fëmijës suaj me tuajën.
A është fëmija im ndryshe?
Mendojmë se i njohim dhe i kuptojmë fëmijët tanë që nga dita kur lindin. Jemi të bindur se e dimë sesi janë formuar dhe se njohim këndvështrimet e tyre për çështje të ndryshme apo se ç’mendime kanë në kokë. Prandaj, kur fëmija na thotë “Jam gej, lezbike, biseksual, transgjinor” dhe ne as që ia kishim idenë (ose e kishim ditur gjatë gjithë kohës, por nuk kemi dashur ta pranojmë), reagimet janë shpesh shokuese dhe keq-orientuese.
Ju keni një ëndërr, një imazh të asaj çka do të bëhet fëmija juaj, asaj që duhet të jetë dhe asaj që mund të jetë. Kjo ëndërr lidhet me të shkuarën tuaj, me atë që ju dëshironit të bëheshit vetë teksa rriteshit, dhe ka të bëjë sidomos me kulturën përreth jush. Shoqëria shqiptare ende na përgatit, nxit dhe orienton me ëndërra për fëmijë heteroseksualë edhe pse faktet flasin për një numër të konsiderueshëm të përsonave homoseksualë.
Fëmijët gjithnjë na çudisin. Ata nuk martohen me kë mund t’iu përzgjedhim ne; nuk punojnë në punën që mund t’iu kemi zgjedhur ne; nuk jetojnë aty ku do të donim ne që ata të jetonin. Megjithatë, në shoqërinë tonë jemi të përgatitur më mirë që të përballemi me situata të tilla sesa me orientimin seksual “jo tradicional” të fëmijës sonë. Kujtojani vetes që fëmija juaj nuk ka ndryshuar.
Pse duhej që ai ose ajo të na tregonte?
Disa prindër mendojnë se do të ishin më të lumtur po të mos mësonin të vërtetën për seksualitetin e fëmijës së tyre. Ndërsa shikojnë pas në kohën para se të informoheshin për orientimin seksual të fëmijëve ata kujtojnë se ishte një kohë pa probleme, duke e anashkaluar shpesh distancën që ndjenin nga fëmija i tyre gjatë asaj kohe.
Ndonjëherë përpiqemi të mohojmë atë çka po ndodh në realitet – duke mos pranuar çka dëgjojmë (“Është vetëm një fazë; do të të kalojë”); duke paralajmëruar (“Nëse do të zgjedhësh atë mënyrë jetese, nuk dua të dëgjoj më rreth saj”), ose duke mos e regjistruar ndikimin e asaj që na kanë thënë (“Diskutojmë më mirë në një moment tjetër?”). Të gjitha këto janë reagime të kuptueshme.
Megjithatë nëse nuk do ta dinit të vërtetën për seksualitetin e fëmijës suaj, nuk do ta njihnit kurrë atë. Një pjesë e madhe e jetës së tij ose saj do të mbahej e fshehur ndaj jush, dhe ju nuk do të kishit mundësinë të njihni një pjesë të rëndësishme të tij, sepse homoseksualiteti dhe biseksualiteti nuk janë thjeshtë një fazë kalimtare.
Ndërsa njerëzit mund të eksperimentojnë për ca kohë me seksualitetin e tyre, dikush që ka arritur t’ia shprehë prindit të vet që është homoseksual, në fakt nuk po kalon thjeshtë një fazë. Fëmija juaj është menduar gjatë dhe me mundim ka arritur të kuptojë dhe të njohë orientimin e vet seksual. Prandaj nëse po mendoni, “A është e sigurt?” përgjigja do të jetë pothuajse gjithnjë “po”. T’i thuash prindit që je homoseksual përfshin mposhtjen e shumë stereotipeve dhe ndërmarrjen e një rreziku të madh për këdo që hedh këtë hap lehtësisht ose para kohe.
Fakti që djali apo vajza juaj ju tregoi, është shenjë e nevojës së tij apo saj për mbështetje dhe mirëkuptim. Kjo gjë tregon një dëshirë të fortë për një marrëdhënie të hapur dhe të ndershme me ju, një marrëdhënie në të cilën mund ta doni fëmijën tuaj për çka ai ose ajo është, dhe jo për atë çka ju do të donit që ai apo ajo të ishte.
Përse fëmija ynë nuk na tregoi më përpara?
Një vështirësi për të kuptuar mund të jetë perceptimi për orientimin e vet për të cilin fëmija juaj mund të ketë menduar për muaj ose vite, dhe po ju tregon vetëm tani. Është e lehtë të keqinterpretohet si mungesë besimi ose dashurie. Mund të jetë e dhimbshme të kuptosh që nuk e njihni fëmijën aq mirë sa kishit menduar dhe se keni qenë jashtë nga një pjesë e rëndësishme e jetës së tij ose saj. Deri diku kjo ndodh në të gjitha marrëdhëniet prindër-fëmijë, edhe në raste kur fëmija është heteroseksual. Ndodh një ndarje e natyrshme ndërmjet prindit dhe fëmijës gjatë moshës së adoleshencës.
Personat homoseksualë mund të mbajnë distancë nga prindërit e tyre për sa më gjatë të jetë e mundur, pasi iu është dashur shumë kohë për të kuptuar sesi ndjeheshin me veten. Me fjalë të tjera, të rinjtë gej, lezbike dhe biseksuale shpesh e kuptojnë që në moshë të re që ndihen “ndryshe”, por mund t’iu duhen vite para se t’iu japin një emër këtyre ndjenjave.
Duke qenë se fëmijët tuaj jetojnë në një shoqëri që paragjykon ose ka fobi nga homoseksualiteti, atyre iu duhet kohë që të arrijnë të ndërgjegjësohen për seksualitetin e tyre. Personat gej ndonjëherë kanë edhe një urrejtje të brendshme ose pasiguri për identitetin e tyre seksual. Dikujt mund t’i duhet kohë për ta menduar dhe për të vendosur që t’iu tregojnë prindërve.
Pra nëse si prind mund të jeni i shqetësuar që nuk keni mundur të ndihmoni fëmijën tuaj gjatë asaj periudhe, ose edhe nëse besoni se dalja hapur do të kishte qenë e ndryshme nëse do të ishit përfshirë më herët, duhet të kuptoni se fëmija juaj mbase nuk mund t’iu tregonte më herët.
Më e rëndësishmja, duke vepruar në këtë mënyrë, pra duke ju treguar, fëmija bën një ftesë për një marrëdhënie më të hapur dhe më të ndershme.
Pse fëmija im është LGBT?
Prindërit shpesh e bëjnë këtë pyetje për një sërë arsyesh: ata mund të jenë të mërzitur për humbjen e imazhit të krijuar për fëmijën e tyre; ata ndjehen sikur kanë vepruar gabim diku; mendojnë se dikush “e bëri” fëmijën e tyre homoseksual; ose mendojnë që ka një arsye biologjike të homoseksualitetit.
Disa prindër tronditen dhe e mohojnë faktin që fëmija i tyre është homoseksual. Mund të mendoni se fëmijën tuaj e kanë bërë homoseksual të tjerë. Koncepti se homoseksualët rekrutojnë është terësisht i gabuar. Askush nuk e bëri fëmijën tuaj homoseksual. Ai ose ajo duhet ta ketë ditur se ishte i tillë për një kohë të gjatë. Asnjë person apo grup njerëzish nuk “e konvertoi” fëmijën tuaj.
Prindër të tjerë besojnë se prindërimi i tyre është shkak për identitetin seksual të fëmijës. Për vite, psikologjia dhe psikiatria kanë besuar se një nga arsyet e homoseksualitetit shkaktohet nga tipet e personaliteteve të prindërve, femra dominuese dhe mashkulli i dobët, ose nga mungesa e modeleve të roleve të së njëjtës gjini. Këto teori nuk pranohen më as nga psikiatria dhe as nga psikologjia dhe një pjesë e punës së organizatave LGBT fokusohet në shuarjen e këtyre miteve dhe koncepteve të gabuara nga kultura jonë popullore.
Homoseksualët janë në çdo tip familjeje. Disa kanë mama dominuese, të tjerë kanë baballarë dominues. Personat gej, lezbiket dhe biseksualët janë thjeshtë fëmijë dhe ata mund të jenë më të vegjlit nga fëmijët, më të mëdhenjtë apo edhe fëmijët e ndërmjetëm. Familjet nga rrjedhin ata mund të kenë edhe anëtarë të tjerë homoseksualë që në përgjithësi janë të fshehur ose rrjedhin nga familje heteroseksuale që nuk kanë pasur të paktën haptazi homoseksualë në gjirin e tyre. Shumë prej tyre rrjedhin nga familje që shoqëria i quan “familje model”.
Shumë prindër pyesin nëse homoseksualiteti ka një bazë biologjike.
Ndërsa ka disa studime për homoseksualitetin dhe gjenetikën, nuk ka ende studime përfundimtare që të japin informacion për “arsyet” e homoseksualitetit.
Në mungesë të këtij informacioni, ne do t’ju nxisnim që të pyesni veten përse është e rëndësishme të dini pse ndodh kështu. Mos vallë dashuria dhe mbështetja për fëmijën tuaj bazohet në mundësinë për të përcaktuar një shkak? A i pyesim personat heteroseksualë pse janë të tillë? Mos harroni se personat gej, lezbike, biseksualë dhe transgjinor ekzistojnë në çdo hap të jetës, në çdo fe, kombësi dhe raca të ndryshme. Prandaj të gjithë personat homoseksualë, ashtu si edhe ata heteroseksualë, janë shumë të ndryshëm dhe kanë zbuluar vetë personalisht identitetin e tyre seksual. Edhe pse mund të jeni kuriozë nuk është aq e rëndësishme të dini pse fëmija juaj është gej vetëm për ta mbështëtur dhe dashur në mënyrë të pakushtëzuar.
Pse e kam të vështirë të përshtatem unë me seksualitetin e tij/saj?
Frika që ju mund të ndjeni është produkt i kulturës sonë. Homofobia është shumë e përhapur në shoqërinë ku jetojmë. Prandaj dhe nuk është e lehtë të çrrënjoset lehtësisht nga ndërgjegja jonë.
Për sa kohë që homofobia ekziston, çdo person gej dhe familjar i personave gej, lezbike ose biseksual do të ketë frikë dhe shqetësime shumë reale dhe të logjikshme. Ata prindër të cilët besojnë se janë “liberalë” dhe besojnë që e kanë hedhur pas paragjykimin seksual (madje dhe ato që kanë miq gej), ndonjëherë ndjehen në faj dhe aspak rehat.
Ndonjëherë ata janë shumë të tronditur për të pranuar që nuk ndjehen rehat kur vetë fëmija i tyre është gej dhe pse nuk kanë problem të pranojnë të qenit gej tek persona të tjerë. Këta prindër jo vetëm duhet të luftojnë me frikërat e tyre të thella ndaj homoseksualitetit, por gjithashtu duhet të mbajnë dhe barrën shtesë të mendimit se nuk duhet të ndjehen në mënyrën që ndjehen.
Do t’ju ndihmonte të përqendroheshit tek ajo çka fëmija juaj ka nevojë më shumë në këtë moment. Përpiquni të mos fokusoheni tek ndjenja e fajit, pasi është e pavlefshme dhe nuk arrini asgjë as për veten dhe as për fëmijën tuaj.
A duhet të këshillohem me një psikolog ose psikiatër?
Të këshilloheni me një terapist me shpresën se do të ndryshoni orientimin seksual të fëmijës tuaj është e kotë. Homoseksualiteti nuk është një sëmundje e cila duhet “kuruar”, por një ekzistencë normale.
Por ka situata kur mund të jetë e dobishme të konsultoheni me persona të cilët kanë përvojë në çështjet familjare dhe orientimin seksual. Ju mund të keni nevojë të flisni me dikë për atë që ndjeni dhe si t’i përballoni këto ndjenja. Ju mund të mendoni që ju dhe fëmija juaj keni nevojë për ndihmë që të komunikoni qartë gjatë kësaj periudhe, ose në rastin kur kuptoni që fëmija juaj nuk është i lumtur dhe ka nevojë për ndihmë me vetëpranimin.
Theksojmë edhe një herë, që personat gej shpeshherë kanë probleme të pranojnë veten dhe identitetin e tyre seksual. Në kushte të tilla vetë refuzimi mund të jetë një gjëndje e rrezikshme emocionale.
Në të gjitha këto raste ju keni disa mundësi dhe burime. Personat e organizatave të të drejtave të LGBT-ve, qoftë individualisht qoftë në grupe mbështetëse, mund t’ju ndihmojnë duke ju siguruar informacion, hapësira dhe burime ndihmuese dhe mbështëse të cilat mund t’ju nevojiten për të ndërtuar një marrëdhënie më të fortë me fëmijën tuaj homoseksual ose me prirje transgjinore.
Një terapist gjithashtu mund t’ju sigurojë konfidencialitetin dhe ruajtjen e anonimatit për të cilin ju mund të keni nevojë si fillim. Ka burime të ndryshme për marrjen e informacionit dhe këshillave. Ne ju inkurajojmë të eksploroni këto opsione (shfrytëzoni këto mundësi) dhe të përdorni ato që janë më të përshtatshme për ju dhe familjen tuaj.
Po sikur t’i drejtohemi një kure për të shëruar homoseksualitetin?
Duke qenë se homoseksualiteti nuk është një zgjedhje, ju nuk mund të ndryshoni orientimin seksual të fëmijës suaj nëse ajo/ai është gej, lesbike, biseksual,transgjinor përmes terapisë shëruese. Në fakt, këto praktika janë hedhur poshtë nga çdo shoqatë mjekësore dhe profesionale dhe është vërtetuar që kanë shkaktuar dëme serioze dhe madje kanë çuar deri në vetëvrasje.
Më poshtë janë disa të dhëna që duhet të dini:
– Në 17 maj 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë e hoqi homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve. Çdo vit, kjo ditë festohet si Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.
– Në vitin 1998, Shoqata Amerikane e Psikologëve u shpreh që ishte kundër terapisë shëruese duke thënë që “literatura psikiatrike tregon qartë se tentativat e kurimit për të ndryshuar orientimin seksual kanë rezultuar të paefektshme. Gjithsesi potenciali i dëmit ndaj individit është shumë i lartë dhe përfshin depresion, ankth, dhe sjellje vetëshkatërruese ose vetëvrasje”.
Shoqata Mjeksore Amerikane pohoi në botimin e saj numër H-160.991 që ajo “kundërshtonte përdorimin e terapisë konvertuese, terapi kjo e cila bazohet në presupozimin që homoseksualiteti është një çrregullim mendor ose bazohet në presupozimin apriori që pacienti duhet të ndryshojë orientimin e tij/saj seksual”. Përvojat e shumë familjeve në vende të ndryshme kanë treguar që terapia shëruese ka rezultuar shumë e dëmshme për fëmijët e tyre.
Është e rëndësishme që ne ta informojmë dhe ta edukojmë shoqërinë me fakte shkencore dhe opinionet e profesionistëve që kanë një reputacion dhe jo me besime ideologjike, fetare ose pseudo-shkencore që na serviren nga persona homofobë.
Gjithashtu duhet të keni parasysh se prej vitit 2020, Shqipëria ka ndaluar me ligj terapitë e konvertimit.
A do të izolohet fëmija im? A do të ketë vështirësi për të gjetur një punë dhe a rrezikon të sulmohet fizikisht?
Të gjitha këto gjëra janë të mundura. Varet nga qyteti ku djali ose vajza juaj jeton dhe lloji i punës që ai/ajo ka, por gjithsesi qëndrimet ndaj homoseksualëve kanë filluar të ndryshojnë dhe po ndryshojnë relativisht shpejt. Fatkeqësisht ndryshimi shoqëror është shpesh i ngadaltë – vetëm mendoni se sa kohë i është dashur grave për të fituar të drejtën e votës. Zhvillimi shpesh shoqërohet me reagime të ashpra. Për sa kohë sa më shumë individë dhe organizata të bëhen avokatë të të drejtave të gejve, deri sa homofobia të çrrënjoset nga shoqëria jonë, fëmija juaj do të përballet me sfida aspak të lehta.
Homoseksualiteti është dekriminalizuar në Shqipëri në vitin 1996. Në shkurt të vitit 2010, u miratua ligji anti-diskriminim, i cili ofron dhe garanton mbrojtje nga diskriminimi për personat LGBT nё punёsim, nё akses ndaj tё mirave dhe shёrbimeve, edukim dhe nё fusha tё tjera tё jetёs. Ekzistojnë një sërë institucionesh që mund t’ju ndihmojnë në rastet e diskriminimit: “Zyra e Komisioneres Kundër Diskriminimit, Avokati i popullit dhe organizatat LGBT”.
Si të pajtoj fenë me faktin që fëmija im është gej?
Është e vërtetë që disa fe vazhdojnë ta dënojnë homoseksualitetin. Por, nëpër botë edhe brenda këtyre feve ka drejtues të respektueshëm fetarë të cilët besojnë që pozicioni dënues i fesë së tyre është i padrejtë.
Disa nga fetë më kryesore të reformuara në vende të ndryshme të botës kanë marrë qëndrime zyrtare në mbështetje të të drejtave të gejve. Ju do të dëgjoni njerëz të citojnë Kuranin ose Biblën në mbrojtje të paragjykimeve të tyre ndaj homoseksualitetit, por duhet të dini që shumë studiues të feve e vënë në diskutim çdo interpretim anti gej të teksteve fetare. Në fakt çdo akademik i specializuar që ka studiuar librat e shenjtë mund t’iu tregoj që kur u shkruajtën librat origjinal në gjuhën hebrehe, armaike dhe greke në asnjërën prej këtyre gjuhëve nuk ekzistonte fjala homoseksual.
Po për sa i përket HIV/SIDA?
Çdo prind duhet të shqetësohet për rrezikun e SIDA-s, qoftë për fëmijën e tij gej apo heteroseksual. Ju duhet të siguroheni që fëmija juaj të dijë se si transmetohet SIDA dhe se si të mbrojë veten.
Duke qenë se pjesa më e madhe e adoleshentëve bëhen aktivë seksualisht në një moshë shumë të re, asnjë prind nuk mund të injorojë rrezikun ose të mendojë që fëmija i tij është i sigurt.
Nëse fëmija juaj është bartës i virusit HIV pozitiv ose ka SIDA, ai/ajo tashmë ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tuaj. Ju duhet të dini që nuk jeni vetëm. Ka organizata të shumta që mund t’ju mbështesin me ndihmë mjekësore, psikologjike dhe fizike.
Aleanca LGBT mund t’ju orientojë drejt burimeve specifike për nevojat tuaja. Mjafton që ju të na kontaktoni. Në këtë pikë, marrëdhënia juaj me fëmijën mund të bëhet akoma më e ngushtë, por familja juaj duhet të mësojë të përshtatet ndaj rrethanave fizike dhe emocionale të shëndetit të fëmijës tuaj.
Ne e kemi pranuar situatën, por pse fëmija jonë duhet ta tregojë orientimin e tij seksual hapur?
Personat LGBT hpesh akuzohen për “reklamim” të seksualitetit të tyre kur “dalin hapur”, kur i shfaqin në publik ndjenjat me partnerin/en e tyre, kur veshin simbole të komunitetit ose marrin pjesë në aktivitete të komunitetit LGBT.
Në një botë ku pretendohet që të gjithë personat janë heteroseksualë, “dalja hapur” është e vetmja mënyrë me të cilën persona gej, lezbike biseksualë dhe transgjinorë mund ta bëjnë të ditur orientimin e tyre seksual. “Dalja hapur” shpesh konsiderohet si një mënyrë pozitive për të shmangur padukshmërinë shoqërore, i cili mund të çojë në vetë-urrejtje të brendshme, mungesë të vetëvlerësimit si dhe vetë izolim. Ju mund të ndjeheni në siklet nga shfaqja hapur e ndjenjave të fëmijës tuaj me partnerin e tij/saj, por sillni në mendje që të gjithë çiftet, qofshin ato homoseksuale ose heteroseksuale, shpesh shfaqin ndjenjat e tyre në publik, pasi ata ndjejnë dashuri dhe vlerësim për partnerin e tyre.
Por mendoni: A jeni po aq të merakosur për shfaqen publike të ndjenjave tek heteroseksualët?
Në të dyja këto raste “të reklamuarit” e një sjelljeje të tillë s’është gjë tjetër veçse një sjellje e natyrshme në publik. Në raste të tjera mund të jetë një vendim politik për të pohuar seksualitetin e tyre duke veshur një bluzë ose duke marrë pjesë në një aktivitet publik. Në kultura të cilat homoseksualiteti injorohet ose tallet, të theksuarit e seksualitetit të dikujt hapur mund të jetë një veprim i rëndësishëm për vetëpranimin. Nëse ju shqetësoheni për reagimet e mundshme negative ndaj çdo sjelljeje që identifikon fëmijën tuaj si gej, mos harroni që disa gej, lesbike dhe biseksualë sigurisht që do të censuronin sjelljen e tyre vetëm sepse kanë këtë frikë. I përket fëmijës tuaj të marrë këto vendime për veten.
A do të ketë fëmija im një familje të vetën?
Në shumë vende të botës çiftet e të njëjtit seks krijojnë dhe ndërtojnë familje të shëndetshme dhe jetëgjata. Shumë çifte të të njëjtit seks bëjnë ceremoni martesore për të festuar bashkimin me njëri-tjetrin dhe për të ndarë marrëdhënien e tyre me familjen dhe miqtë. Martesa për çiftet e të njëjtit seks është miratuar ligjërisht në shtete të ndryshme si Danimarka, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Suedia, Spanja, Kanadaja, Argjentina, Afrika e Jugut, etj. Shumë çifte të të njëjtit seks po rrisin fëmijë me njëri-tjetrin. Disa çifte dhe individë kanë përdorur farëzimin artificial për të lindur fëmijë. Persona të tjerë gej, lesbike dhe biseksualë rrisin vetëm ose me partnerët e tyre, fëmijët që kanë lindur nga lidhjet e mëparshme heteroseksuale që mund të kenë pasur. Duke qenë se qëndrimi i shoqërisë ndaj familjeve homoseksuale vazhdon të ndryshojë, birësimi i fëmijëve nga çiftet gej po përhapet gjithmonë e më shumë.
Si t’ia tregoj pjesëtarëve të tjerë të familjes ose miqve?
Procesi i daljes hapur është i vështirë për personat LGBT , por gjithashtu procesi i daljes hapur është po aq i vështirë edhe për prindërit. Disa persona në momentin që marrin vesh që fëmijët e tyre janë Gej, Lesbike, Biseksual ose Transgjinor bëjnë çmos që ta fshehin këtë fakt. Duke qenë se ato luftojnë për të pranuar orientimin seksual të fëmijëve të tyre, ata shumë shpesh shqetësohen nëse persona të tjerë e marrin vesh. Ekziston frika e të përgjigjurit të pyetjeve si: ”A ka ai/ajo një të dashur?” dhe “Kur do të martohet ai/ajo?”
Shumë nga ne me kalimin e kohës zbulojnë që frikët tona kanë qenë shumë larg realitetit. Disa nga ne e mbajnë të fshehur për vite derisa marrim guximin t’ia thonë prindërve, fëmijëve, ose familjarëve të tjerë dhe përgjigja që marrim nga një pjesë e tyre shumë shpesh është “E dinim prej kohësh”.
Këshilla që ne i japim prindërve është e njëjta me këshillën që i japim dhe personave gej, biseksualë, lesbike dhe trangjinor. Drejtohuni tek personat dhe shoqatat kompetente që do t’ju informojnë dhe qëndrojnë afër gjatë kësaj faze. Në këto organizata, ju mund të ndani problemet tuaja me persona që kanë kaluar të njëjtën përvojë me ju.
Ju mund të merrni disa komente negative nga të afërmit tuaj, miqtë ose kolegët, por do të zbuloni me kalimin e kohës që këto momente janë më pak të frikshme nga ç’e mendonit. Kujtohuni që fëmija juaj ka kaluar të njëjtën fazë. Ai ose ajo mund t’ju ndihmojë. Dhe kujtohuni gjithashtu që vendimi për t’i thënë dikujt rreth orientimit seksual të fëmijëve tuaj duhet të merret nga ju dhe fëmija juaj.
Cfarë do të thonë fqinjët?
Ky mund të jetë një shqetësim shumë i madh, sidomos në familjet që e konsiderojnë veten pjesë të një komuniteti ose në zonat ku ndikimi i fesë ose traditave është shumë i fortë.
Personat gej, biseksualë, lesbike dhe transgjinor vijnë nga familje nga të gjitha anët e botës, nga çdo kulturë, fe, grup etnik dhe profesion. Pjesa më e madhe e prindërve mendojnë që janë të vetmit prindër që kanë një fëmijë gej, por të jeni të sigurtë që nuk është kështu. Kjo gjë ndodh deri në momentin që ato njohin dhe prindër të tjerë që po kalojnë të njëjtën situatë.
Si mund ta mbështes unë fëmijën tim?
Si prind ju duhet të kujdeseni për veten dhe fëmijën tuaj. Organizatat për të drejtat e LGBT-ve mund t’ju ndihmojnë në mënyrë të tillë që ju ta kaloni këtë proces.
Leximi i këtij informacioni është hapi i parë që ju mund të bëni për të ndihmuar fëmijën tuaj, pasi ju do tregoni që jeni i hapur ndaj informacionit të ri dhe fatmirësisht, tashmë ju jeni të informuar më shumë.
Mbështetja ndaj fëmijës tuaj tashmë duhet të vijë natyrshëm dhe duhet të jetë pjesë e mbështetjes së përgjithshme si prind. Çdo fëmijë ka nevojë për gjëra të ndryshme. Është në dorën tuaj të mësoni si të komunikoni me atë rreth nevojave të tij/saj dhe rreth çështjeve që i përkasin seksualitetit. Disa prindër zbulojnë që janë më të aftë të kuptojnë dhe mbështesin fëmijët e tyre duke njohur ngjashmëritë dhe ndryshimet në përvojat e tyre jetësore. Në disa raste mund të ndihmojë të flisni rreth mënyrave se si jeni përballur ju me situata të ndryshme, por duhet të dini që diskriminimi mbi bazën e orientimit seksual është i dëmshëm në një mënyrë të veçantë. Mund ta ndihmoni fëmijën tuaj duke edukuar veten sa më shumë të jetë e mundur me informacion rreth homoseksualitetit dhe ta ndihmoni gjatë procesit të të dalurit hapur në shoqëri. Është fshehja e homoseksualitetit ajo që e lejon paragjykimin dhe diskriminimin të mbijetojë.
A do të mësoj ndonjëherë të jetoj me këtë fakt?
Një psikiatër iu përgjigj kësaj pyetje në këtë mënyrë: “Në momentin që prindërit përshtaten me realitetin e orientimit seksual të fëmijëve, ata ndjehen sikur një botë e re është hapur para tyre.”
Si fillim ata zbulojnë atë pjesë të fëmijës së tyre që s’e kanë njohur më parë. Tashmë ata janë të përfshirë në jetën e fëmijës. Zakonisht, ata afrohen më shumë. Prindërit fillojnë të takojnë komunitetin gej dhe kuptojnë që ai përbëhet nga njerëz si çdo komunitet tjetër. Një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje është të lësh disa prindër të flasin vetë:
“Është shumë e rëndësishme të flasësh rreth saj, të dish që nuk je vetëm, që ka dhe persona të tjerë që kanë kaluar këtë përvojë dhe po përballen me të në një mënyrë pozitive. Përfitimi është që ju do të ndërtoni një marrëdhënie të mirë me fëmijën tuaj. Prindërit duan të prindërojnë. Ata nuk duan të izolohen nga fëmijët e tyre”.