Përpjekjet dhe ndikimi në rritje i lëvizjeve anti-gjini në shoqëritë tona, përfaqësojnë në fakt një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të barazisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Këto lëvizje, shpesh të mbështetura nga fraksionet politike dhe fetare konservatore, synojnë të kthejnë pas dekada të përparimit dhe arritjeve kyce në të drejtat me bazë gjinore dhe seksuale të njeriut, duke targetuar cështje thelbësore si barazia në martesë, të drejtat e personave transgjinorë, aksesin në abort, autonominë trupore dhe zgjedhjen e lirë të cdo gruaje.
Sikurse theksojnë Judith Butler, Sandra Fredman dhe Martha Nussbaum, implikimet e këtyre lëvizjeve shtrihen në fakt shumë përtej komuniteteve dhe cështjeve që shënjestrojnë në mënyrë eksplicite, duke kërcënuar e lëkundur rëndë vetë strukturat shoqërore të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.Judith Butler, në librin e saj “Kush ka frikë nga gjinia?”, ekspozon bazat autoritare dhe fashiste të lëvizjeve anti-gjini.
Autorja trajton se si këto lëvizje përdorin nxitjen e frikës dhe dizinformimin për të shkaktuar panik shoqëror, duke e portretizuar diversitetin gjinor, seksual dhe cështjet feministe si kërcënime ekzistenciale të rendit shoqëror. Butler nënvizon se fushatat anti-gjini synojnë të përdorin një “ideal perfekt heteronormativ dhe patriarkal” si vlera të vërteta të një rendi shoqëror pa të meta, cka të kujton ideologjitë fashiste që kremtojnë hierarkitë e ngurta dhe shtypin “të ndryshmen”.
Në një masë të madhe përfaqësuesit e lëvizjeve anti-gjini në botë refuzojnë publikisht referencat shkencore dhe mbështetjen e deklaratave të tyre në prova të besueshme, nën justifikimin se “kjo cështje është vetë ekzistenca, natyralja, fjala e Zotit dhe natyrës e për pasojë nuk ka nevojë për asnjë argument të mëtejshëm”.
Aktivistët e lëvizjeve anti-gjini refuzojnë tërësisht diskursin intelektual e në vend të tij e mbështesin narrativën e tyre në manipulimin emocional dhe thirrjet ndaj traditës. Butler e kritikon në detaje këtë zbrazëti intelektuale që përfaqëson lëvizjet anti-gjini, duke theksuar se refuzimi i tyre për t’u përfshirë në kompleksitetin e konceptit dhe cështjeve të gjinisë “zbulon në fakt një përbuzje dhe nëncmim që këto lëvizje mbartin në thelb mbi vetë idenë e edukimit dhe kërkimit shkencor”, cka i bën denjësisht të krahasueshme me regjimet autoritare anti-intelektuale që lulëzojnë nga injoranca shoqërore dhe ngjallja e frikës mbi skenaret katastrofike se “përndryshe shoqëria njerëzore do të mbarojë së ekzistuari”.
Qëllimet konkrete të lëvizjeve anti-gjini përfaqësojnë agjendën e tyre regresive. Së pari, këto lëvizje synojnë të kthejnë pas arritjet në të drejtat, barazinë dhe autonominë e grave, duke u fokusuar në kufizimin e të drejtave riprodhuese.
Ky qëllim është i shprehur mes kërkesave për të shpallur të kundërligjshëm ose për të kufizuar aksesin e gruas në planifikim familjar, abort dhe kontracepsion, çka e zhvesh efektivisht gruan nga zgjedhja dhe autonomia mbi trupin e saj.
Së dyti, lëvizjet anti-gjini targetojnë të drejtat e personave transgjinore, duke kundërshtuar ligjet mbi njohjen e gjinisë, aksesin në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të identitetit gjinor.
Si pasojë e retorikave të krijuara nga lëvizjet anti-gjini, individët transgjinorë, të cilët historikisht janë përballur me dhunë dhe margjinalizim joproporcional, portretizohen në shoqëri si risk për fëmijët, edukimin dhe vetë ekzistencën.
Së treti, lëvizjet anti-gjini shënjestrojnë barazinë martesore, duke i portretizuar bashkimet e personave të të njëjtit seks si një kërcënim për “familjen tradicionale”, shoqërinë, fëmijët dhe vetë jetën.
Kjo retorikë jo vetëm që dehumanizon individët LGBTIQ+ dhe minon parimet e të drejtave të njeriut të ravijëzuara gjerësisht në ligjin dhe jurisprudencën ndërkombëtare, por nxit frikë dhe urrejtje në shoqëri ndaj individëve LGBTIQ+. Së katërti, lëvizjet anti-gjini lobojnë për ndalimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual, duke privuar të rinjtë nga njohuritë e nevojshme për të marrë vendime të informuara mbi trupin, marrëdhëniet dhe identitetin e tyre.
Korniza e “barazisë transformuese”, një teori e përpunuar nga Sandra Fredman zbulon përse këto objektiva të lëvizjeve anti-gjini dëmtojnë shoqërinë njerëzore në tërësi dhe jo vetëm grupet e margjinalizuara që targetojnë drejtpërdrejt. Fredman argumenton se barazia e vërtetë thelbësore, bazë dhe ideal i cdo demokracie, nënkupton në fakt eleminimin e barrierave strukturore që përjetësojnë pabarazitë dhe stigmën.
Lëvizjet anti-gjini, nga ana tjetër, kërkojnë t`i përforcojnë këto barriera, duke rrënjosur normat patriarkale që kufizojnë mundësitë, zgjedhjet dhe liritë për të gjitha gjinitë. Marrë si shembull, përpjekjet për të kufizuar të drejtat e abortit nuk dëmtojnë vetëm gratë individualisht.
Ato përjetësojnë pabarazitë sistematike ndaj gruas në shëndetësi, arsim dhe punësim. Në mënyrë të ngjashme, mohimi i njohjes dhe mbrojtjes së plotë të individëve dhe identiteteve LGBTIQ+ dërgon një mesazh më të gjerë shoqëror se disa identitete dhe disa jetë njerëzish janë më pak të vlefshme se disa të tjera, duke minuar parimet bazë të drejtësisë dhe demokracisë.
“Qasja e aftësive” e Martha Nussbaum thekson kostot shoqërore të politikave anti-gjini. Nussbaum identifikon integritetin trupor, të drejtën për shëndet, arsim dhe lirinë e zgjedhjes së ndërgjegjshme dhe to shprehjes si të drejta thelbësore njerëzore që e bëjnë jetën të jetueshme. Duke shënjestruar këto të drejta, lëvizjet anti-gjini minojnë në fakt aftësinë dhe mundësinë e individëve për të jetuar me dinjitet. Politikat që kufizojnë abortin, edukimin gjithëpërfshirës, autonominë e gruas mbi trupin e saj, kujdesin që afirmon gjininë dhe jetën familjare mbi baza të orientimit seksual të një personi nuk përfaqësojnë thjesht disa kufizime të individualizuara.
Këto politika përfaqësojnë regres dhe mohime sistematike të të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë njerëzve, duke e kthyer globin pas drejt një shoqërie patriarkale, në të cilën mund të jetojnë të lirë dhe me dinjitet vetëm burrat e bardhë, cisgjinorë, heteroseksualë dhe të pasur që u binden normave autoritare. Nussbaum na kujton se sulme të tilla ndaj demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut dobësojnë themelet morale dhe demokratike të shoqërisë, duke na dëmtuar të gjithëve mes nxitjes së injorancës, përjashtimit, frikës dhe pabarazisë.
Butler, Fredman dhe Nussbaum në tërësinë e punës së tyre dëshmojnë se përse beteja kundër lëvizjeve anti-gjini nuk është vetëm një përgjegjësi e feministeve dhe komuniteteve LGBTIQ+. Këto lëvizje përfaqësojnë një sulm serioz ndaj parimeve demokratike, kohezionit social dhe të drejtës themelore për barazi të vërtetë dhe për të gjithë.
Taktikat autoritare të nxitjes së frikës shoqërore, skenarët katastrofikë mbi ndalimin e ekzistencës njerëzore, mospranimi i fakteve shkencore, refuzimi i dijes dhe i provave, promovimi i përjashtimit dhe forcës, rrezikojnë rëndë themelet mbi të cilat qëndron shoqëria. Kritika e Butler ndaj nëntoneve fashiste të kësaj ideologjie, theksi i Fredman mbi kërcënimin e barazisë sistematike dhe fokusi i Nussbaum drejt bllokimit të zhvillimit universal njerëzor përfaqësojnë drejtimet dhe vizionin e gjerë të kësaj beteje.
Sot, rezistenca ndaj lëvizjeve anti-gjini është më tepër se sa mbrojtja e të drejtave të komuniteteve specifike. Kjo rezistencë duhet të përqëndrohet në ruajtjen e vlerave të përbashkëta të drejtësisë, dinjitetit dhe lirisë. Lëvizjet anti-gjini lulëzojnë mes frikës dhe injorancës e suksesi i tyre kërcënon të zhbëjë dekada përparimi për të gjithë.
Nisur nga kjo premisë, rezistenca ndaj këtyre përpjekjeve duhet të jetë rezistencë e të gjithë atyre që besojnë në drejtësi, dëshirojnë të jetojnë jetën e tyre e të rrisin fëmijët e tyre në dinjitet, me parimet e tolerancës, larg dhunës e autoritarizmit, duke siguruar që askush të mos mbetet pas në luftën për një botë më të drejtë dhe më të barabartë. / Dea Nini