Kryeministri Berisha pret ne zyre drejtuesit e LGBT (EKSKLUZIVE)

Facebook
Twitter
LinkedIn

Kryeministri i vendit z. Sali Berisha priti sot në zyrën e tij dy aktivistët për të drejtat e LGBT në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderin, duke u bërë kështu i pari kryeministër i vendit që takon ne zyren e tij  përfaqësuesit e komunitetit LGBT.

Zoti Berisha shprehu mbështetjen e tij për të drejtat e komunitetit LGBT dhe përgëzoi dy drejtuesit e lëvizjes sidomos për faktin që i kanë dhënë zë kauzës që mbështesin. “Ju kam ndjekur me vëmendje dhe keni bërë shumë mirë që keni dalë publikisht për të mbrojtur kauzën tuaj, sepse është e rëndësishme të besosh tek kauza që përfaqëson”.

“T’ju them të drejtën”, vijoi më tej kryeministri, “nuk më vinte mirë kur flitej për këtë çështje dhe nuk kishte asnjë përfaqësues të komunitetit që të dilte publikisht për të mbrojtur kauzën”.

 

Zoti Berisha ishte i besimit se format dhe mënyrat e reagimit të lëvizjes LGBT gjatë viteve të fundit kanë qenë plotësisht të drejta. Ai dënoi si të pavend polemikat e krijuara nga zëvendës ministri Ekrem Spahiu duke thënë se, “askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në orientimin intim të individëve” dhe shtoi se “ato deklarata janë të papranueshme jo nga një zëvendës ministër, por nga askush”.

Në këtë kontekst ai nënvizoi se asnjë politikan nuk duhet të ketë frikë apo komplekse për t’u shprehur për çështje që i takojnë komunitetit LGBT që janë të drejta të njeriut. Kjo, sipas kryeministrit, duhet të jetë një përgjegjësi e politikanëve.

Karaj dhe Pinderi e pyetën kryeministrin për perspektivën e miratimit ose jo të ndryshimeve të Kodit Penal ku parashikohet edhe që fyerja me dashje e njerëzve edhe për shkak të orientimit të tyre seksual përmes teknologjisë së informacionit, të dënohet si vepër penale. Berisha i siguroi aktivistët se po e ndjek ecurinë e amendimeve dhe se i mbështet ato plotësisht.

Dy drejtuesit e LGBT i shprehën më tej shqetësimin kryeministrit në lidhje me nevojën e zbatimit më të plotë të ligjit për mbrojtje nga diskriminimi. Ata i kërkuan z. Berisha që shoqëria civile të ketë më shumë hapësirë në diskutimin dhe propozimin e stafit dhe drejtuesve të institucionit të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Kryeministri u shpreh se “na duhet të shikojmë nga e ardhmja” dhe se “ligji në fjalë është një ligj shumë i mirë dhe jam plotësisht dakort se ai duhet zbatuar deri në fund”.

Pinderi dhe Karaj i kujtuan kryeministrit se katër vjet më parë të dy ata nuk njiheshin dhe deklarata e vetë z. Berisha i afroi në atë mënyrë që lëvizja të fuqizohej. Dhe në këtë kontekst e pyetën kryeministrin nëse ai i qëndron akoma idesë për legalizimin e martesave mes së njëjtës gjini, apo të paktën njohjes së bashkejetesës mes një çifti gejsh apo lezbikesh. Kryeministri tha se kishte parë në televizor një çift gejsh, sigurisht të mbuluar dhe shtoi se ai nuk shikon asnjë arsye pse të pengohet e drejta e tyre për të jetuar me njëri tjetrin.

“Mos harroni”, shtoi në këtë moment, “se puna për të thyer akullin e shoqërisë është një punë që do kërkojë kohën e vet dhe që nuk arrihet menjëherë, por ju jeni në rrugën e duhur”.

Më tej, kryeministri u sugjeroi aktivistëve që të shmangin përplasjet apo konfrontimet që nuk sjellin asgjë. Të dy drejtuesit e lëvizjes LGBT i shpjeguan atij se nisma që Aleanca Kunder Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT kanë ndërmarrë synon që të krijojë rrugë komunikimi me aktorët kryesorë të politikës, pasi vetëm përmes saj mund të zgjidhen problemet e komunitetit. “Ka ardhur momenti që lëvizja jonë të ketë një fizionomi më politike dhe më të pjekur jo thjesht për të ngritur çështjet, por sidomos për t’i zgjidhur ato”, thanë Karaj dhe Pinderi.

Në fund të takimit, kryeministri i siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë të drejtat e këtij komunitetit për t’u organizuar dhe për të tubuar, duke iu referuar, në fakt, paradës që lëvizja LGBT ka planifikuar për në muajin shtator.

Scroll to Top