Kompania turke e veshjeve LC Waikiki, e cila ka dhe një rrjet të gjerë dyqanesh në Shqipëri dhe Kosovë, u tha punonjësve të saj “të mos përdorin ylberin në një mënyrë që mund të perceptohet si simbol për komunitetin LGBT+ dhe njëkohësisht të zvogëlojnë numrin e ngjyrave të përdorura në produkte dhe të dallojnë nuancat e ngjyrave”.
“Në qershor dhe korrik, simbolet e ylberit, njëbrirëshave, ylber + njëbrirësh nuk duhet të përdoren në atë mënyrë që të krijojë perceptimin e të qenit pjesë e komunitetit LGBT”, tha kompania e tekstilit LCW në një e-mail të dërguar për punonjësit e saj.
Sipas artikullit të publikuar në SolGazete, kompania kërkoi nga punonjësit në Turqi që temat që mund të krijojnë një perceptim pro komunitetit LGBT+ duhet të shmangen.
Për më tepër, drejtuesit e kompanisë kërkonin me anë të këtij e-maili nga punonjësit se “numri i ngjyrave të ylberit duhet të zvogëlohet dhe hijet e ngjyrave të përdorura në dizajnet me përmbajtjen e ylberit duhet të diferencohen nga origjinali i tyre”.
Këtij e-maili, i ishte bashkëngjitur një dosje me titull “Simbolet LGBT”, që përmbante simbole të lëvizjes LGBTI+, për të bërë të njohur punonjësit e kompanisë me këto simbole dhe për dekurajuar përdorimin e tyre.
Organizatat e të drejtave të njeriut dhe ato të komunitetit LGBTI+, kanë nisur thirrjet për bojkot ndaj kompanisë së rrobave dhe kërkojnë bërjen publik të qëndrimit të tyre zyrtar mbi politikat anti-LGBTI+.