Me mijëra protestojnë në Poloni pas arrestit të aktivistëve

Facebook
Twitter
LinkedIn

VARSHAVË – Mijëra njerëz protestuan në Poloni të shtunën duke valvitur flamujt e ylberit një ditë pasi një aktivist për të drejtat e komunitetit LGBT u mor për dy muaj paraburgim.

Rreth 50 demonstrues u arrestuan gjithashtu të premten, pasi aktivistja e cila identifikohet si Margot, u dënua në Varshavën Qëndrore pas një urdhëri kontroversial të gjykatës.

Protesta më e madhe e solidaritetit të shtunën ndodhi jashtë Pallatit të Kulturës në Varshavë, ku një fotograf i AFP fotografoi mijëra njerëz, ku disa prej tyre mbanin cadra me flamuj LGBT.

“Ne po takohemi që të protestojmë së bashku kundër dhunës dhe homofobisë sistemike,” thanë në një deklaratë organizatorët.

“Empati, solidaritet, veprim!” lexonte në njërën prej pankartave, ndërsa disa protestues brohorisnin parulla kundër policisë dhe të tjerë bërtisnin “nuk do të jesh kurrë vetëm!” – duke iu drejtuar aktivistëve të arrestuar.

Në Lublin, një qytet në juglindje të Varshavës që e ka deklaruar veten një “zonë pa LGBT”, një grup i vogël aktivistësh ,kryesisht të rinj, marshuan në qendër dhe u mblodhën para zyrës së prokurorit vendor.

“Gej kam lindur, krenar kam zgjedhur të jem” dhe “solidariteti është arma jonë”, lexonin disa nga pankartat në tubim. Aktivistët gjithashtu bartnin çanta dhe tullumbace me flamuj ylberi.

“Jemi të lodhur nga kjo qeveri,” tha Julia, 17 vjeç, e cila nuk pranoi të jepte emrin e saj të plotë nga frika e hakmarrjes.

Homofobia është akoma e përhapur në këtë vend të devotshëm katolik. Partia qeverisëse e krahut të djathtë Ligj dhe Drejtësi, ka përdorur vazhdimisht retorikë anti-gej, përfshirë këtu edhe zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar.

Presidenti Andrzej Duda ka bërë fushatë kundër asaj që ai e quan “ideologji LGBT”, duke e krahasuar atë me komunizmin.

Në ceremoninë e betimit të presidentit në parlament këtë të enjte, deputetët e majtë veshën ngjyrat e flamurit ylber.

Flamuri është bërë një emblemë e ndjenjës antiqeveritare në Poloni, veçanërisht në muajt e fundit.

Këtë javë, policia polake akuzoi tre persona për përdhosjen e statujave dhe lëndimin e ndjenjave fetare pasi aktivistët mbuluan me flamujt LGBT disa monumente në Varshavë, përfshirë këtu edhe statujën e Jezu Krishtit.

Aktivisti që u arrestua të premten, referuar zyrtarisht në gjykatë si Michal Sz, i përket një fushate të quajtur “Stop Nonsense”(Ndaloni Marrëzitë), që mori përgjegjësinë për protestën e flamurit në monument.

Por ky arrestim ishte i lidhur me një rast të veçantë nga qershori, për dëmtimin e një furgoni të Fondacionit Pro-Right to Life që ishte i mbuluar me parulla homofobike.

Pasi Margot u ndalua në zyrat e Fushatës Kundër Homofobisë, një fotograf i AFP pa dhjetëra protestues të bllokonin makinën e policisë që po e transportonte atë.

Kishte përleshje me dhjetëra oficerë policie, të cilët në fund pastruan rrugën dhe makina u largua.

Policia e Varshavës tha në Twitter se 48 persona u arrestuan për “ofendime drejtuar policisë si dhe dëmtimin e një makine policie”.

Margot në komente për agjencinë e lajmeve PAP para arrestimit të saj, e quajti këtë lloj paraburgimi, i cili normalisht përdoret për të parandaluar kryerjen e një krimi tjetër, një masë “shtypëse”.

Arrestimi i saj shkaktoi zemërim tek politikanët e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut.

Komisionerja e të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatovic bëri thirrje për lirimin e Margot.

Mijatovic ka cekur se aktivistja është arrestuar “sepse ka bllokuar një furgon anti-LGBT për vendosjen e flamujve të ylberit në monumentet e Varshavës”, duke shtuar se një urdhër për ndalimin dy mujor të Margot përcjell një “sinjal shumë të frikshëm” për lirinë e fjalës dhe të drejtat LGBT në Poloni.

Hanna-Gill Piatek, një ligjvënëse e majtë, ishte në skenën e arrestimit të Margot.

“Uroj që kriminelë të rrezikshëm të ndiqen penalisht po me kaq zell sa aktivistët,” tha ajo.

Scroll to Top