Shoqata Together for Life, në bashkëpunim me Shoqatën e Pacientëve me Hepatite dhe të Transplantuarve të Shqipërisë përmes një letre zyrtare drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSDKSH, kanë kërkuar që të sëmurët me trajtime kronike që i marrin informacionet vetëm nga specialistët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) dhe tërheqin medikamentetet vetëm pranë QSUT-së, si: pacientët me Hemofili; pacientët me Hepatite; të Transplantuarit; personat me HIV-AIDS etj, të mos kenë kufizime në lëvizje, dhe të përjshtohen menjëherë nga vendimet e qeverisë për shtetrrethimin.
Letra e plotë:
COVID-19
KËRKESË
DREJTUAR: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë
NGA: Shoqata Together for Life
Shoqata e Pacienteve me Hepatit
Shoqata Together for Life, në bashkëpunim me Shoqatën e Pacientëve me Hepatite dhe të Transplantuarve të Shqipërisë, përcjell përmes kësaj kërkesë/thirrje të hapur, shqetësimin e personave me trajtime kronike që i marrin informacionet vetëm nga specialistët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) dhe tërheqin medikamentetet vetëm pranë QSUT-së, si: pacientët me Hemofili; pacientët me Hepatite; të Transplantuarit; personat me HIV-AIDS etj.
U bëjmë thirrje Institucioneve përgjegjëse, që ashtu sikurse janë shprehur përmes një Udhëzimi të Posaçëm mbi “Kufizimin e lëvizjes së pacientëve në sistemin shëndetësor publik parësor”, të shprehen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për këto kategori pacientësh, duke mundësuar që pacientëve kronik, (veçanërisht të rrezikuar nga COVID-19), të mos kenë asnjë kufizim në aksesin në medikamente dhe shërbimin shëndetësor.
*Sqarim: Shoqata Together for Life ka adresuar edhe më herët problematikën e 152 pacientëve hemofilikë që jetojnë jashtë Tiranës ose qyteteve pranë saj. Pacientët hemofilikë, që banojnë jashtë Tiranës dhe në qytetet në afërsi të saj, duhet t’u garantohet asistencë e specializuar mjekësore, në mënyrë permanente, sikurse t’iu sigurohet edhe trajtimi me medikamente koagulantë, pranë qendrës më të afërt shëndetësore, pranë vendbanimit të tyre. Këta pacientë janë ekspozuar para një trajtimi të pabarabartë, të padrejtë dhe disfavorizues, për shkak të vendbanimit të tyre.
Shpresojmë në një reagim të MENJËHERSHËM të institucioneve shëndetësore.
Respekti për të drejtat e pacientëve, respekt për jetën!/ HistoriaIme