Pandemia, një izolim i dytë për komunitetin LGBTI+

Facebook
Twitter
LinkedIn

Në fillimet e karantinimit, përpjekja ime për të ruajtur qetësinë, për të mbushur ditët me gjithçka mundja për të mos u ndjerë e kufizuar, funksionoi. Kur kjo zgjati, gjithçka nisi të bëhej mbytëse. Njerëzit ishin po të njëjtit dhe ata po bëheshin të tepërt”.

Kështu rrëfehet Inesi*, një vajzë lesbike, teksa kujton si gradualisht pandemia erdhi duke e rënduar atë emocionalisht çdo ditë, privuar nga liria për të lëvizur dhe për të gëzuar momente ku ajo mund të jetë vetvetja.

Dita-ditës kufizimi u kthye në një ndjesi mbytëse, sikur duhet të isha e burgosur, përpos frikërave të shumta që kisha në jetën time si një individ që duhet të fshihesha… tani më duhej edhe të mbyllesha brenda”.

Inesi nuk është e vetme në përjetimet e saj. Studimi i kryer nga Aleanca LGBT gjatë muajit qershor nxjerr në pah se nga 228 të anketur, 40% e tyre kanë raportuar shenja të ankthit dhe depresionit.

Të dhënat e mbledhura pak muaj pasi masat e kufizimit të lëvizjes u liruan, kanë indentifikuar nevojat kryesore të të anketuarve, pjesë e komunitetit LGBT, që lidhen me: këshillimin psikologjik, konkretisht 25.9% e të anketuarve; ndërkohë 15.8% prej tyre kanë nevojë për ndërmjetësim në punësim;  14.9% për paketa ushqimore; 10.1% për kurse profesionale; 6.1% për ndihmë mjekësore; 4.4% prej tyre për ndihmë ligjore.

Dalja me orar të kufizuar e ka bërë Inesin të ndjehet më e ekspozuar ndaj njerëzve të panjohur me të cilët kishte kontakte të pakta, ndërkohë që i ishte dashur të shkëpuste kontaktet fizike me rrethin shoqëror, si shtyllë kryesore mbështetëse për të.

Të isha ndryshe në pamje në një ambient ku kisha dhe shoqërinë time të së njëjtës frymë ishe ne rregull…por pastaj pamja ime pak me shije të çuditshme dhe një hije djali, tërhiqte shikimet e të paktët njerëzve që hasja në orarin e ‘lirisë me kusht’. Kisha nevojë për personat e duhur përreth, personat e të njejtës frymë që të ndjehesha në rrethin tim”, shprehet ajo për Citizens Channel.

Prej moshës së adoleshencës, Inesi e ka kuptuar se në fakt tërhiqej ndaj gjinisë së njejtë dhe iu desh shumë kohë që ta pranojë veten. Vite më vonë, tek të 30-tat ajo ka krijuar marrëdhëniet e para romantike dhe seksuale me vajza, duke kujtuar se vetëm atëherë ajo është ndjerë tërësisht vetja. Inesi nuk ka bërë “coming out” (dalja hapur rreth orientimit seksual), ndërkohë që ajo shprehet hapur vetëm me rrethin e saj të ngushtë të miqësisë.

Psikologia pranë Aleancës Kundër Diskriminimit të LGBT, Anxhela Ibrahimllari tregon se shpesh rrethi shoqëror është burimi kryesor mbështetës ndaj komunitetit LGBTI+ (Lesbike, Homoseksualë, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseks).

Privimi ndaj kontakteve të afërta dhe reduktimi i jetës sociale që erdhi si pasojë e masave kundër COVID-19 e rëndoi dhe më tej gjendjen emocionale të anëtarëve të këtij komuniteti.

Të paktën për personat që jetojnë në Tiranë, një gjë shumë e rëndësishme është rrethi shoqëror mbështetës. Për shkak të izolimit fizik janë detyruar jo vetëm të shkëpusin këto marrëdhënie, por personat që janë rikthyer në familje kanë shkëputur dhe kontaktet përmes rrjeteve sociale dhe kjo i ka bërë akoma dhe më të izoluar”, pohon Ibrahimllari për Citizens Channel.

Ajo shton se izolimi, në këtë kontekst, ka qenë fizik dhe emocional.

Për personat e komunitetit nuk ka qenë vetëm izolimi fizik ose ndërprerja e rutinës por ka qenë edhe izolim emocional sepse realisht kanë përjetuar ndjesinë e të qënit të vetmuar. Nuk është hera e parë që komuniteti ndjehet kështu. Një person i komunitetit mund të jetë i rrethuar nga shumë njerëz, qoftë në punë, qoftë në shoqëri por ndjehet i vetmuar sepse askush nuk e kupton”.

Marrëdhëniet romantike, nën hijen e familjarëve

Meli*, studente në Universitetin e Tiranës, tregon se nuk u ka treguar prindërve dhe të afërmve për orientimin e saj seksual. Prej pak muajsh është në lidhje me një vajzë.

Nuk dua të bëj ‘coming out’. Prindërit e mi kanë jetuar jashtë por sado që të jetojnë jashtë, të vret ajo, kur ta shohësh mamanë tënde të thojë ‘po pse?’. Është ajo pse-ja që do të të thyejë zemrën, se vazhdon dot bisedën dhe të vjen t’i thuash se bëra një batutë, një shaka për të parë reagimin tënd”, artikulon Meli për Citizens Channel.

E varur ekonomikisht nga familja, ajo i druhet faktit se do duhet të përballojë vetë jetesën në rast se pranon që nuk është heteroseksuale.

Gjatë fazës së adoleshencës, Meli pohon se ka tentuar të krijojë lidhje romantike me djemtë, për ta bindur veten se ajo nuk ishte lesbike. Tentativat për të shtypur orientimin e saj seksual e kanë çuar në një ngurtësim emocional dhe vështirësi në shfaqjen e emocioneve për vite me radhë.

Në vit të parë të shkollës së mesme kisha një lidhje me një djalë, ka qenë shok i shokëve të mi siç thashë, që i kam që nga fëmijëria. Shkëputa lidhjen në dy muajt e parë se nuk mundesha. Doja ta doja por nuk mundesha. Nuk shkonte më tutje. Isha bosh”.

Përjetimet e saj ajo i kanalizon përmes poezisë. Në dhjetorin e vitit 2019, ajo ka shkruar poezinë “T’i marr erë pafundësisë”, të cilën e ka ndarë me Citizens Channel.

Po notoja në detin e ëndrrave të mia!
Hyra shumë thellë, aq thellë sa që errësira e tij më pushtoi shpirtin ëmbëlsisht!
Hyra aq thellë sa që nuk arrija të shihja egon time të frikshme, inatin e pafundëm, mërzitjet e kota, kokëfortësinë time prej një de’mi.
Hyra aq thellë sa që dendësia e ujit po më krijonte një presion në lëkurën time të ashpër.
Hyra shumë thellë për të harruar gjithçka që më mundonte, për t’u larguar nga jeta monotone, për të qënë vetja, për të shijuar momentet më të parëndësishme, për mos t’i thënë fund, fundit të mjerë!
Hyra aq thellë sa që era e pafundësisë më kishte mbushur mushkëritë!
Hyra aq thellë në detin e ëndrrave të mia sa që arrija të ndjeja lagështinë në duart e mia, arrija të ndjeja erën e gjakut që më kishte pushtuar tërësisht lëkurën time të ashpër dhe të zbehtë!
Isha duke notuar në një det ëndrrash e kur hapë sytë e mi të lagur kuptova që isha duke notuar në një oqean makthesh, i cili po më merrte shpirtin vjedhurazi në qetësinë e vdekjes së ëmbël!

Unë shpesh shikoj makthe dhe ato ditë isha vërtetë e ngarkuar si nga ana fizike edhe nga ana emocionale. Por atë mëngjes kur u zgjova, isha vërtetë e shkatërruar nga brenda, kisha gjak nga hundët dhe po qaja në gjumë. Më pas më erdhi frymëzimi për këtë shkrim”, rrëfen Meli.

Pas izolimit, ajo u kthye tek të afërmit e origjinës,të cilët jetojnë në jug të Shqipërisë.

Kthimi në shtëpinë e origjinës, burim ankthi dhe depresioni

Nga 228 të anketuar, 143 pohuan se janë detyruar të kthehen në familjen e origjinës, duke rritur kështu frikën nga ekspozimi lidhur me orientimin seksual/identitetin gjinor. Kthimi në vendlindje është shoqëruar dhe më zgjime të traumave të hershme, shtjellon psikologia Anxhela Ibrahimllari.

Rizgjimi i ngjarjeve traumatike me rikthimin e pandemisë ka ndodhur për faktin se një pjesë e tyre janë rikthyer në shtëpi. U janë rikthyer kujtimet dhe ngjarjet të së kaluarës, se çfarë ndodhte në familje në një moment të caktuar, u janë rikthyer kujtimet kur ka qenë në shkollë, kur kalonte te ajo lagjja dhe çfarë u ka ndodhur. Pra, pjesa e bullizmit, e dhunimit”.

Studimi nënvizon se gjatë izolimit është rritur nevoja për të marrë këshillim psikologjik, por për anëtarët e komunitetit LGBTI të cilët u strehuan tek familja, aksesimi i këtij shërbimi u reduktua në komunikime me çat, pasi kishin frikë se dikush do mund t’i dëgjonte.

Unë kam vënë re që personat e komunitetit, sidomos atë të rikthyer te familja, nuk kishin mundësi të flisnin në videocall për të bërë seancën sepse nuk kishin një ambient ku të mund të ndjeheshin të sigurtë. Sigurisht, mund të kishin një hapësirë të tyren që ishte një dhomë në vete por përsëri frika se prindi apo një familjar do e dëgjonte se çfarë po thoshte ishte shumë e madhe”.

Depresioni dhe ankthi kanë qenë dy simptomat të hasura më së shpeshti gjatë periudhës së karantinimit, thuhet në studimin e kryer nga Aleanca LGBT. 72% kanë raportuar se kanë përjetuar frustrim, irritim, nervozizëm. 32% kanë ndjerë frikë, humbje të interesit, motivimit, kujtime të padëshiruara, mendime rreth vdekjes dhe pashpresshmëri për të ardhmen.

Humbja e punës gjatë pandemisë, faktor shtesë stresant te komuniteti LGBTI+

Pas izolimit total të vendit, në fillim të muajit mars, Alba* humbi përkohësisht vendin e punës. Duke marrë parasysh se ajo tashmë mbulon plotësisht shpenzimet e veta, largimi nga puna shkaktoi dëm të madh psikologjik tek ajo.

Në fillim fare mendova se do të zgjaste një javë. Unë lëviz dhe nuk e konceptoja dot që do rrija mbyllur gjithë ditën në shtëpi dhe kam ndjenjur dy muaj të tërë pa dalë nga shtëpia. Rashë në depresion. Fillova të merrja ilaçe. Vuaja nga pagjumësia, kisha ankth”, kujton ajo teksa kthehet pas në kohë.

Ajo çfarë e ka rënduar edhe më tej gjendjen e saj emocionale, ishte anulimi i planit për ta takuar të dashurën e saj, e cila në atë kohë jetonte në Gjermani.

Ne kishim bërë plan që të takoheshim në Beograd. Ditën që ne kemi prerë biletën ka qenë 17 maji. Kam qarë aq shumë atë ditë sepse mendova se do të isha me atë. Na u prish çdo ëndërr që kishim krijuar në kokë, do shkonim aty, do shkonim këtu, asnjë gjë nuk u realizua. Kishim dy muaj që do shkonim, madje flisnim pothuajse çdo ditë për atë gjë”, thekon Alba.

Të dhënat e mbledhura nga Aleanca LGBT tregojnë se 46.5% e të anketuarve janë të papunë, ndërkohë vetëm katër prej tyre pohojnë se kanë përfituar nga paketat ekonomike të miratuara nga Qeveria Shqiptare.

Nga studimi vihet re që kategoritë që rrezikohen më shumë nga pasojat e pandemisë janë komuniteti i grave transgjinore 5,5 % dhe  vajzave dhe grave lesbike 22.3%.  Këto kategori po përballen me shumë vështirësi në punësim, ndërsa rreziku i papunësisë dhe varfërisë rritet akoma më shumë për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit të tyre gjinor”, thuhet në raportin i cili do të publikohet së shpejti.

*Emrat janë ndryshur për të ruajtur konfidencialitetin

Artikull është shkruar nga Entenela Ndrevataj dhe burimi gjendet në linkun: https://citizens-channel.com/2020/09/27/pandemia-nje-izolim-i-dyte-per-komunitetin-lgbti/

Scroll to Top