TIRANA PRIDE, 20 MAJ, ORA 17:00, REJA!
A guxoni të hapni zemrën dhe të ecni përpara? Ne, po!
Këtë muaj Maj, shënojmë fillimin e dekadës së dytë të luftës për njohje, të drejta dhe barazi për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri. Parada e Krenarisë, e cila nisi nga një grupim i vogël aktivistësh, të cilët mes frikës dhe tymit të shashkave në sheshin ‘Nënë Tereza’, gjetën guximin për të bërë hapat e parë drejt një shoqërie më të drejtë dhe solidare, është kthyer sot në një moment shprese dhe frymëzimi për të gjithë shoqërinë.
Parada e Krenarisë këtë vit do të mbahet nën tymin e një fenomeni edhe më shqetësues sesa shashkat dhe urrejtja e disa individëve. Këtë vit marshojmë në një bulevard që po zbrazet nga të rinjtë dhe të rejat dhe nga komuniteti LGBTI+, në një qytet ku institucionet kryesore ende heshtin dhe mohojnë njohjen e të drejtave të komuniteteve më në nevojë.
Mblidhemi në kryeqytet, por jo larg përditshmërisë dhe problemeve të periferisë, ku dhuna verbale, emocionale dhe shpeshherë fizike, mbyt shpresën e të rinjve dhe të rejave LGBTI+ për një të ardhme më të mirë, ku të mund të jetojnë veten e tyre të vërtetë.
Marshojmë në Tiranë, ku pavarësisht fasadava shumëngjyrëshe dhe imazhit të një sigurie të rremë, jeta jonë, e komunitetit tonë, duhet jetuar ende mes frikës dhe e mbyllur mes katër mureve. Marshojmë me besim të plotë se urrejtja që na sulmon dhe homofobia/transfobia që përpiqet të na frikësojë, nuk do të arrijë asnjëherë të mbysë shpresën dhe frymëzimin tonë. Do të jemi me qindra në paradë, por me mijëra në çdo qytet të Shqipërisë, sepse ne jemi miqtë e familjarët tuaj, profesionistët që kujdesen për ju, mësuesit që edukojnë fëmijët tuaj dhe policët ju mbrojnë ju dhe shoqërinë. Jemi gazetarët dhe folësit e të vërtetës, avokatët dhe punonjësit socialë, inxhinierët, akademikët, artistët e Tiranës dhe punëtorët e periferisë. Jemi këtu për të qëndruar, për të mbrojtur të drejtën tonë për njohje, familje dhe për të jetuar dashurinë tonë me gjithë ngjyrat e saj përtej katër mureve dhe kufinjve ku homofobia dhe transfobia përpiqen të na mbajnë të mbyllur.
Marshojmë në Tiranë mes mijëra fytyrash të qeshura, të cilat përtej çdo sfide ende janë shpresëplotë se dashuria e tyre do arrijë të mposhtë çdo konstrukt të moralit të rremë të shoqërisë sonë. Do jemi aty midis familjeve të reja queer, çifteve dhe fëmijëve që po rriten me dy nëna apo dy baballarë, mes vajzave dhe djemve transgjinorë që frymëzojnë në komunitetet e tyre. Do jemi mes qindra prindërve që mbështesin fëmijët e tyre, gjyshërve, motrave e vëllezërve që mezi presin të njohin ngjyrat tona të vërteta. Pas shumë vitesh në errësirë dhe pas një dekade aktivizëm, do vazhdojmë të ngrihemi mbi tymin dhe errësirën që përpiqet të mbysë shpresën tonë, për të drejtat tona dhe për të drejtat e atyre që shoqëria nuk i mbështeti për vite të tëra.
Ketë muaj Maj, vimë ashtu siç ne dimë më mirë, plot me ngjyra dhe me zemër të hapur për më shumë dashuri dhe solidaritet. Ne jemi gati, a guxoni edhe ju?
Hape zemrën për dashni!
Hape zemrën për dashni!