Parada e tetë e krenarisë, guxim për të vazhduar përpara

Facebook
Twitter
LinkedIn

Dita e sotme e gjeti Tiranën të mbuluar me ngjyrat e flamurit të diversitetit. Në Parkun Rinia përgatitjet filluan që në orët e para të mëngjesit për Paradën e tetë të Krenarisë, e cila bëri bashkë aktivistë nga i gjithë rajoni, pjesëtarë të komunitetit LGBT+ në Shqipëri dhe përkrahës së tyre, qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm, të cilët marshuan për një të ardhme më të mirë e për një shoqëri më të drejtë.

Parku Rinia sot u kthye në Parkun e Krenarisë, nga aty nisi marshimi në orën 12:00 përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës. Me pankarta në duar, plot thirrje dhe ngjyra aktivistët dhe pjesëtarët e komunitetit ngritën zërin bashkë për një shoqëri më pranuese, ku të qënit LGBTI+ nuk konsiderohet as krim e as turp, ku adoleshentët nuk përzihen nga familjet e tyre, ku fëmijët nuk dhunohen dhe bullizohen në shkollë, ku askush nuk rrezikon vendin e punës apo të ardhmen e tij/saj për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Në Paradë pati dhe përkrahës të shumtë nga institucionet dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë. Falë përkrahjes së delegacionit të Bashkimit Evropian dhe punës së palodhur të organizatave për mbrojtjen e të drejtave LGBT+, ky vit pa një numër të shtuar të përkrahësve dhe të individëve të komunitetit të cilët nuk patën frikë të dalin hapur për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Fushata e solidaritetit me video sensibilizuese bëri bashkë zëra të shoqërisë civile, aktivistë, profesionistë, gazetarë, juristë e figura publike, të cilët me mesazhet e tyre përgjatë javëve të shkuara u përpoqën të fuqizojnë atë pjesë të komunitetit të cilët ende kanë frikë të pranojnë seksualitetin e tyre apo identitetin gjinor.

Sot në Tirana Pride, nën moton #MarshojmëEdhePërTy marshuam për të gjithë ata që nuk munden të jenë në Tiranë, ata që janë larguar nga Shqipëria apo që ende kanë frikë të bëhen pjesë e kësaj kauze të drejtë, e cila manifest të saj ka dashurinë dhe pranimin.

Sot marshuam për 421 raste të dhunës të raportuara, për ata individë të diskriminuar në shkollë dhe në ambjentet e punës, për të rinjtë dhe të rejat që kanë braktisur Shqipërinë për shkak të identitetit të tyre apo orientimit seksual dhe për qindra të tjerë që tallen e përbuzen nga shoqëria në shkollë. Sot marshuam për personat LGBTI+ të cilët janë detyruar tu nënshtrohen normave të shoqërisë, për ato individë që sot jetojnë një jetë të dyfishtë. Sot marshuam për të individët e guximshëm që i “zbrazën dollapet e tyre” dhe jetojnë identitetin e tyre të vërtetë në një shoqëri si e jona. Marshuam për prindërit dhe familjarët, për tu treguar se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë i mbështet ata në rrugën e gjatë të pranimit të fëmijëve të tyre. Marshuam për mijëra individë që në shërbimin SOS LGBT marrin asistencën e nevojshme dhe të munguar nga institucionet.

Sot marshuam për veten, për të ardhmen tonë dhe të brezave që do vinë, për dashurinë. Dashuria triumfoi sërish!

 

New layer…
New layer..
Scroll to Top