Një projekt për policinë shqiptare dhe shërbimin që ofrojnë ndaj komunitetit LGBTI+ është prezantur këtë javë. Projekti mbi “Zvogelimin e diskriminimit si dhe për mbrojtjen e të drejtave të personave lezbike, gay, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI) në Shqipëri” do të vihet në zbatim së bashku me partnerë të jashtëm si Policia Kombëtare Holandeze si dhe COC Holandë.
Projekti është i decentralizuar duke mos u përqëndruar vetëm në Tiranë, por edhe Lezhë, Vlorë dhe Kukës duke ndihmuar strukturat policore për tiu përgjigjur më efektivisht krimeve me bazë urrejtjen dhe diskriminimin.
Në tryezën e diskutimit të ditës së martë, morën pjesë aktorë dhe partnerë lokal dhe ndërkombëtarë të interesuar për projektin duke përfshirë këtu: përfaqësuesit vendorë të policisë, prokurorisë, zyrtarët bashkiakë për barazi gjinore, institucionet e të drejtave të njeriut dhe OJQ-të.
Në fjalën e saj znj. Vasilika Hysi, deputete pranë Kuvendit të Shqipërisë si dhe Kryetare e Komisionit të Çështjeve Ligjore, shprrhu gatishmërinë e institucioneve për një zbatueshmëri më adekuat të projektit të mësipërm.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë shpreh gatishmërinë për të gjitha kërkesat që mund të ketë Policia e Shtetit, qoftë në aspektin e buxhetit për trajnimet informuese që do të zhvillohen në Akademinë e Policisë por edhe për të forcuar kontrollin parlamentar lidhur me zbatimin e të drejtave të njeriut”.
Ndërkohë një raport interesant u prezantua gjatë tryezës nga drejtuesja e organizatës “Pro-LGBT”, znj. Sidita Zaja. Kjo e fundit tregoi për numrin e raportimeve nga komuniteti LGBTI+ të rasteve të diskriminimit. Këto të dhëna janë raportuar dhe dokumentuar pranë Aleanca LGBT+.
“Pavarësisht se kemi punuar shumë vitet e fundit dhe jemi në dijeni të manualeve të policisë, vetëm pranë qendrës së Aleancës janë raportuar 421 raste të diskriminimit vetëm për 2018. Kjo tregon se pavarësisht makanizmave ligjorë dhe intitucioneve, komuniteti ende ka mungesë besimi tek institucionet për ti raportuar këto raste”.
Zaja vijon raportimin duke treguar se në dy rastet e raportuara nga komuniteti, policia nuk i ka pajisur as me kopje të procesverbalit të denoncimit, një e drejtë që çdo person duhet ta gëzojë në rast denoncimi.
Raporti dhe të dhëna të tjera më të thelluara do të bëhen publike së shpejti pas lançimit të tij. Këto të dhëna përfshijnë dhunën psikologjike, fizike që nënkupton fyerje, ofendime, thashetheme, poshtërime si dhe forma të tjera. Në total vetëm tre raste janë referuar në polici dhe dy tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Ky projekt inkuadrohet në përputhje të plotë me ‘Planin Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë 2016-2020’, plan i cili u miratua nga Qeveria Shqiptare në vitin 2016.