Në vitin 2024, Aleanca LGBTI realizoi një pyetësor kombëtar me 195 persona që identifikohen si LGBTI+ në 12 qytete të Shqipërisë, me synimin për të vlerësuar situatën e tyre të përgjithshme, nevojat më urgjente dhe qasjen e tyre në të drejtat e garantuara me ligj dhe në shërbime.
Ky raport synon të dokumentojë realitetet dhe sfidat aktuale që përjetojnë personat LGBTI+ në Shqipëri, duke u bazuar në të dhëna të drejtpërdrejta për vitin 2024 si dhe të analizojë pabarazitë strukturore dhe sociale me të cilat përballen individët LGBTI+ në fusha kyçe të jetës së përditshme.

Njohja ligjore
Njohja ligjore e të drejtave dhe personave LGBTI+ në Shqipëri mbetet e kufizuar, çka pasqyrohet qartë edhe në gjetjet e pyetësorit për vitin 2024-2025. Shqipëria vijon të mos njohë ligjërisht bashkimet e të njëjtit seks, qoftë bashkëjetesën, qoftë martesën, si dhe nuk mundëson njohjen ligjore të gjinisë për personat transgjinorë.
Aksesi në shërbime
Përsa i përket aksesit në shërbime, shumica e personave që raportuan diskriminim në aksesin në shëndetësi (59%), u shprehën se diskriminimi apo trajtimi i pafavorshëm erdhi direkt nga mjekët e familjes dhe stafi spitalor ndërsa pjesa tjetër (41%) raportuan se sjellja diskriminuese erdhi nga infermierët dhe/ose pacientët e tjerë.
Një gjetje veçanërisht shqetësuese është shmangia e kujdesit të nevojshëm mjekësor për shkak të frikës nga stigmatizimi dhe diskriminimi.
Për personat transgjinorë dhe jo-binarë, qasja në kujdes të specializuar mjekësor mbetet tepër e kufizuar.
Rezultatet e anketës vijojnë të identifikojnë ambientet arsimore në Shqipëri si sfiduese dhe jo mikpritëse për të rinjtë LGBTI+. Një shumicë dërrmuese prej 73% e të anketuarve e përshkruan ambientin shkollor në Shqipëri si “të pasigurt” për grupet e margjinalizuara.
Besimi te institucionet
Shifrat e ulëta mbi raportimin e incidenteve të dhunës dhe urrejtjes për shkak të statusit LGBTI+ në anketën tonë, përputhen me të dhënat zyrtare që tregojnë se shumë pak raste krimesh urrejtjeje apo diskriminimi që u përkasin personave LGBTI+ arrijnë të adresohen përmes Policisë së Shtetit, institucioneve të pavarura dhe sistemit të drejtësisë.
Nëse flasim për institucionet kryesore shtetërore që janë të ngarkuara me mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut për personat LGBTI+, të anketuarit treguan nivel të ulët ndërgjegjësimi mbi rolin e këtyre institucioneve dhe besimi në veprimtarinë e tyre.

Gjetjet e pyetësorit tregojnë një mosbesim të thellë ndaj sistemit të rendit dhe sigurisë, ku 88% e të anketuarve u shprehën se nuk i besojnë institucioneve të rendit në Shqipëri.
Në Raportin e Progresit për Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, u theksua se diskriminimi “mbetet shumë i përhapur, sidomos në aksesin në kujdes shëndetësor, arsim, drejtësi, punësim dhe strehim”, dhe se deri në vitin 2023, 51% e individëve LGBTI+ shqiptarë ndiheshin të diskriminuar në të paktën një fushë të jetës . Ky kontekst tregon se pavarësisht ekzistencës së garancive ligjore që përligjin mbrojtjen dhe aplikohen mbi individët LGBTI+, zbatimi i tyre në praktikë mbetet i ulët.
Largimi nga Vendi dhe Synimi për të Migruar
Një nga gjetjet më shqetësuese të këtij pyetësori është niveli i dëshirës së individëve LGBTI+ në Shqipëri për të lënë vendin, gjatë vitit të fundit. Kur u pyetën: “A e ke menduar ndonjëherë seriozisht largimin nga vendi gjatë vitit të fundit?”, 88.2% e të anketuarve u përgjigjën “Po”.
Konkretisht, 172 nga 195 pjesëmarrës në pyetësor e kanë konsideruar emigrimin si një opsion real gjatë vitit të fundit.
Ndër ata që kanë menduar seriozisht largimin (88% e të gjithë të anketuarve), arsyet më të përmendura ishin:
● Mungesa e lirisë dhe demokracia e dobësuar në Shqipëri (74%)
● Situata ekonomike (52%)
● Mungesa e njohjes ligjore të të drejtave LGBTI+ (47%)
● Mundësitë e pakta për punësim (43%)
● Arsye shkollimi (28%)
● Të tjera (21%) që përfshijnë arsye personale, bashkime familjare, nevoja
mjekësore (sidomos për personat transgjinorë), etj
Në këto kushte, Shqipëria rrezikon të humbasë një pjesë thelbësore të qytetarëve LGBTI+, të cilët nëse do të ishin trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë nga shteti shqiptar do të mund të ndërtonin jetët e tyre në Shqipëri dhe të kontribuonin në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Mesazhi është i qartë: “Shqipëria po i humbet të rinjtë LGBTI+ sepse nuk ndihen të mbrojtur, të sigurt, të barabartë dhe të përfaqësuar denjësisht.
Të dhënat e pyetësorit të vitit 2024 mbi situtatën e personave LGBTI+ në Shqipëri në fushat më thelbësore të jetës, ofrojnë një panoramë më të qartë të një komuniteti që vijon të përballet me probleme të thella sistemike, si dhuna, diskriminimi, mungesa e njohjes ligjore dhe mungesa e mbështetjes institucionale.
Në vijim, ju ftojmë të lexoni studimin e plotë: