Që prej vitit 2014 kur u inaugurua, qendra Streha ka shërbyer si një mbështetje shumë e madhe për të rinjtë e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilat janë përballur me dhunë, diskriminim dhe janë përzënë nga shtëpitë e tyre vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor.
Shërbimi rezidencial, është vetëm njëri nga shërbimet e ofruara nga Streha, e cila në fokus të saj ka fuqizimin e të rinjve për të bërë të mundur përballjen e tyre me realitetin e vështirë ku i duhet të jetojnë dhe njëkohësisht të kontribuojë në ndryshimin e këtij realiteti.
Më shumë për Strehën, shërbimet e saj dhe impaktin që ajo ka pasur në shoqëri do të na flasë drejtori ekzekutiv i saj z.Elvis Popaj. Në përgatitje për Galanë e madhe të përvitshme, e cila organizohet për të siguruar donacione dhe fonde të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të Strehës, në intervistën e mëposhtme mund të mësoni më shumë mbi rolin e Strehës dhe arsyet pse një shërbim i tillë është jetik për të rinjtë LGBT+ në Shqipëri.
Cili ka qenë kontributi i Strehës ndër vite dhe arritjet më të mëdha të punës suaj?
Streha ka luajtur një rol të rëndësishëm përgjatë gjithë këtyre viteve në disa elementë. Pjesa më e rëndësishmë ka qenë ofrimi i mbrojtjes dhe strehimit për individët e komunitetit, në momentin kur ato dalin hapur në familjet e tyre. Streha i ka ndihmuar për kalimin e vështirësive që ato hasin në komunitetin e tyre të ngushtë.
Që në momentin e parë, Streha ka qenë një shërbim risi, për shkak se në asnjë nga shtetet e Ballkanit nuk kishte një shelter për individët e komunitetit LGBT+ dhe vazhdon të mbetet një shërbim i tillë. Përpos Shqipërisë dhe në Maqedoninë e Veriut tashmë ka një shërbim të ngjashëm, i cili është bërë i mundur falë ndihmës së ofruar prej nesh në ngritjen e kapaciteteve dhe ofrimin e përvojave dhe eksperiencave të ngritjes së Strehës në Shqipëri për aktivistët e vendit fqinj.
Streha ka mundësuar për të rinjtë e komuniteti LGBT mbështetje përmes ofrimit të shërbimit rezidencial, por ka dhënë dhe një kontribut në tërësi për mbrojtjen e shtresave në nevojë në vend, që mund të përjetojnë dhunë apo diskriminim.
Përgjatë gjithë këtyre viteve kemi arritur të ndihmojmë 74 persona duke u ofruar shërbim rezidencial dhe dhjetëra të tjerë përmes ofrimit të këshillimeve psikologjike dhe vënies në kontakt me organizata që aktivitetin e tyre e zhvillojnë kryesisht ne Tiranë. Në disa raste kemi ndihmuar dhe duke u ofruar sërish shërbimin rezidancial individëve, të cilët kanë hasur vështirësi në integrimin e tyre shoqëror pas daljes nga Streha.
Cila është vështirësia më e madhe që hasni gjatë punës suaj të përditshme?
E kam parë Strehën në dy pozicione, fillimisht si ofrues i shërbimit psikologjik e më pas si drejtues. Ajo çfarë më ka bërë përshtypje gjatë gjithë këtyre viteve, është se shpësh për shkak të diskriminimit shumë të madh që të rinjtë përjetojnë, një pjesë e tyre e shikojnë orientimin e tyre seksual apo tiparet e identitetit të tyre si diçka për të cilën duhet të ndihen të turpëruar. Ende nuk ka një normalizim mbi çështjet e identitetit gjinor dhe orientimit seksual dhe vështirësia jonë e parë në qasjen me komunitetin, është pikërisht ideja e gabuar që ato mund të kenë për veten apo ndjesitë e tyre.
Përmes shërbimeve tona dhe mbështetjes sonë, ne përpiqemi të krijojmë te të rinjtë LGBT+ perceptimin se çdo gjë është në rregull me ta, se orientimi i tyre seksual apo identiteti i tyre gjinor nuk është diçka për të cilën duhet të fajësojnë veten apo të ndihen të turpëruar. Ne synojmë të lehtësojmë procesin e pranimit të vetvetes dhe pranimit shoqëror për këto individ dhe qëndrojmë pranë tyre përgjtë gjithë vështirësive që mund të hasin gjatë këtij rrugëtimi.
Si e gjykoni qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj komuniteti LGBT+?
Problemet janë të shumta dhe situata është e vështirë. Problem parësor është dhuna me të cilën ato duhet të përballen, qoftë në ambjentin familjar dhe atë shoqëror. Përpos dhunës dhe vështirësive të sipërpërmendura, një tjetër problem me të cilin ne përballemi shpesh gjatë punës sonë dhe që pasqyron dhe realitetin ku komuniteti LGBT+ jeton, është diskriminimi dhe format në të cilat ai shfaqet.
Diskriminimi na paraqitet në dy forma. Kemi diskriminimi të hapur, i cili evidentohet më thjeshtë dhe e shofim në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, por dhe një lloj diskriminimi të “fshehtë”, i cili e vështirëson dhe më tëj punën tonë. Një shembull konkret është në momentin që të rinjtë vinë këtu dhe kërkojnë punë, ne sigurisht i ndihmojmë në procesin e kërkimit të punës, por për shumë prej tyre mund të përbëjë problem sjellja apo pamja. Nëse një individ ka tipare të dallueshme e identifikohet lehtësisht si pjesëtar i komunitetit LGBT përmes sjelljeve, zakonisht u refuzohet e drejta e punësimit dhe në këto raste është e vështirë për ne që të cilësohet si diskriminim, edhe pse është një praktikë që e hasim rëndomë.
Një tjetjër problem është refuzimi i shërbimeve dhe informacioni i pakët që specialistët e shërbimeve publike kanë për komuniteti LGBT+.
Individët LGBT+ janë të rrethuar nga një realitet i vështirë. Fyhen, dhunohen dhe janë të rrethuar nga një realitet, i cili krijon te ta perceptimin e gabuar sikur ka diçka që nuk shkon me veten e tyre. Ky realitet më pas shkakton dhe shumë probleme të tjera që prekin direkt mirëqenien e këtyre individëve në shoqëri.
A ka pasur Streha mbështetje nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse për mirëqenien sociale?
Përgjithësisht kemi pasur një marrëdhënie pozitive me institucionet, por nuk kemi parë ende një angazhim konkret përsa i përket mbështetjes së Strehës në ofrimin e shërbimeve për komunitetin. Një vështirësi e madhe e jona është qëndrueshmëria financiare dhe në shërbime të tilla që ndihmojnë individë të margjinalizuar dhe në nevojë, mbështetja nga autoritetet është jetike për ne.
Ne ende ofrojmë disa shërbime që konsiderohen bazike e që duhet të mbulohen nga autoritetet. Në rastin e shërbimeve të ngjashme, që ofrojnë strehim dhe mbështetje për të tjerë grupe të margjinalizuar si gratë e dhunuara apo viktimat e trafikut, ka një mbështetje më të madhe nga autoritetet, e cila ende mungon për Strehën.
Ky është viti i dytë i aplikimit për mbështetje financiare dhe jemi pozitivë se do të arrijmë të marrim një mbështetje të tillë, pasi financimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm mbetet një nga sfidat tona kryesore.
Përsa i përket rasteve që rikthehen në Strehë sërish, cilat janë arsyet që pengojnë integrimin e tyre shoqëror?
Rastet që rikthehen janë komplekse. Asistenca jonë është afatgjatë dhe paraqitet në dy forma, në ndihmën dhe shërbimet që u sigurojmë gjatë qëndrimit në Strehë dhe më pas asistenca e ofruar gjatë rikthimit të tyre në shoqëri. Në momente të caktuara mund të kenë nevoja që nuk i adresojnë dot. Në shumicën e rasteve diskriminimi dhe dhuna vazhdon. Problemet e mbartura dhe traumat e shkaktuara në të kaluarën, mund të vështirësojnë integrimin shoqëror për shumicën e rasteve të cilët rikthehen në përfitues të shërbimeve tona.
Po përsa i përket shtrirjes së shërbimeve tuaja dhe jashtë Tiranës, si paraqitet situata në qytete më të vogla apo zona rurale?
Në fakt kjo është një tjetë sfidë e madhe me të cilën ne përballemi në ofrimin e shërbimeve. Në gjykimin tonë, ka ende shumë persona jashtë kryeqytetit që ne nuk i arrijmë dot për shkak të disa faktorëve. Kryesisht jemi fokusuar në përpunimin e një strategjie për të shkuar te më shumë individë që mund të kenë nevojë për shërbimet tona, por situata paraqitet vërtet e vështirë për shkak të presionit shoqëror që ekziston në qytetet më të vogla të Shqipërisë. Për ne është e vështirë që dhe të mund t’i takojmë këto persona në vende publike në qytetin ku jetojnë, pasi shumë prej tyre nuk duan të ekspozojnë veten dhe kanë frikë se mos njihen nga të tjerët.
Cilat janë projektet e Strehës për të ardhmen?
Qëllimi ynë kryesor është të arrimë sa më shumë njerëz dhe të ofrojmë sa më shumë shërbime. Ka shumë individë që kanë nevojë vetëm për ofrimin e asistencës psikologjike apo këshillim për punësim, jo domosdoshmërisht ofrim të shërbimit rezidencial, por për arsyet që i përmendëm, e kemi të vështirë të mund të arrijmë këto individë.
Momentalisht po punojmë për hartimin e strategjive konkrete për një qasje më të mirë ndaj komunitetit. Në planet tona afatshkurtra kemi si qëllim dhe zgjerimin e shërbimeve dhe kapaciteteve, duke filluar që nga shtimi i ambjenteve rezidenciale, te shtimi i stafit, ngritja e kapaciteteve dhe zgjerimi i shërbimeve. Njëkohësisht, në një nga projektet tona të ardhshme planifikojmë trajnimin e specialistëve të ofrimit të shërbimit në 4 rrethe të vendit. Kemi filluar gjithashtu të shtojmë komponentin ligjor në shërbimet tona dhe duam ta përmirësojmë më tej këtë shërbim.
Objektivi ynë themelor ështe rritja e prezencës sonë përtej Tiranës, duke ndihmuar më shumë individë të komunitetit LGBTI+ në problemet që ato hasin për shkak të dhunës dhe diskriminimit shoqëror.