Streha Gala 2019

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më datë 14 Maj Streha organizoi mbrëmjen gala të rradhës me qëllim mbledhjen e fondeve dhe dhurimeve për institucionin e vetëm mbështetës për të rinjtë LGBT+ në Shqipëri, i cili mbron dhe ndihmon këto të rinj me vështirësitë e jetes së tyre të përditshme në Shqipëri.

Që prej vitit 2014 kur u inaugurua, qendra Streha ka shërbyer si një mbështetje shumë e madhe për të rinjtë e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilat janë përballur me dhunë, diskriminim dhe janë përzënë nga shtëpitë e tyre vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor.

Shërbimi rezidencial, është vetëm njëri nga shërbimet e ofruara nga Streha, e cila në fokus të saj ka fuqizimin e të rinjve për të bërë të mundur përballjen e tyre me realitetin e vështirë ku i duhet të jetojnë dhe njëkohësisht të kontribuojë në ndryshimin e këtij realiteti.

 

Mbrëmja Gala u organizua në ambjentet e Hotel Plaza në Tiranë dhe mblodhi rreth 200 përkrahës së kauzës, pjesëtarë të komunitetit dhe individë e përfaqësues së institucioneve që ndihmojnë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave LGBT+ në vend.

Programi artistik përfshinte performance të ndryshme nga artistë dhe grupe muzikore që i kanë qëndruar pranë kauzës gjatë gjithë këtyre viteve. Bojken Lako, Semi Jaupaj, Bulzat, Genc Salihu dhe DJ Oda ishin disa nga artistët e ftuar në mbrëmje. Edhe këtë vit nuk munguan çmimet e mirënjohjes për aleatët e vitit, ato individë që kanë ndihmuar drejtpërdrejtë në respektimin e të drejtave LGBT+. Ndër aleatët e vitit mund të përmendim ABI Bank dhe Vodafone, të cilat ishin dhe sponsorizues kryesor të galasë së këtij viti, Ema Andrea, e cila prezantoi dhe programin artistik, gazetaret Alice Taylor dhe Zhaklin Lekatari, regjisori Arben Kumbaro, Luke Dowing, patron i Strehës, Oda Haliti dhe Genc Salihu.

Programi artistik u shoqërua dhe me një ankand të heshtur ku të ftuarit mund të kontribuonin. Fondet e mbledhura nga aktivitetet e mbrëmjes së djeshme ndihmojnë individë të komunitetit të cilët momentalisht trajtohen me shërbime nga Streha, por njëkohësisht ndihmojnë dhe Strehën në aktivitetet e saj dhe projektet që ka ndërmarrë për të fuqizuar komunitetin e për të ndryshuar realitetin e LGBT+ në Shqipëri. /k.j

Scroll to Top