Në bashkëpunim me organizatën europiane ILGA Europe, Aleanca ka përgatitur një dokument përmbledhës në anglisht, i cili trajton në detaje rritjen shqetësuese të retorikës anti-LGBTI+ dhe veprimeve kundër komunitetit në Shqipëri. Dokumenti hedh dritë mbi një fushatë dezinformimi të nisur nga Koalicioni Pro-Familje dhe Pro-Jetë, i cili në mënyrë të pavërtetë lidhi projektligjin e ri mbi riprodhimin e asistuar mjekësor (RMA) dhe surrogacinë me përpjekjet e supozuara të grupeve LGBTI+ për të “infiltruar” familjet shqiptare. Në fakt, projektligji diskriminon qartë çiftet e të njëjtit seks, duke kufizuar aksesin në këto teknika riprodhuese vetëm për çiftet heteroseksuale dhe gratë e vetme.
Dokumenti vë në dukje gjithashtu shpërthimin e gjuhës së urrejtjes pas ceremonisë simbolike martesore të mbajtur nga dy gra lezbike gjatë Muajit të Krenarisë në maj 2024, një ngjarje që ndezi valë të reja dezinformimi dhe fushata shpifëse të udhëhequra nga organizata fetare dhe Koalicioni Pro-Familje dhe Pro-Jetë. Dokumenti përshkruan pasojat e thella sociale për individët LGBTI në Shqipëri, përfshirë rritjen e dhunës, stigmës dhe diskriminimit që kanë shkaktuar izolim social dhe sfida serioze të shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni.
Përveç kësaj, fletëpalosja, të cilën mund ta shfletoni në fund të këtij artikulli në gjuhën angleze, thekson sesi kjo klimë urrejtjeje dhe dezinformimi po pengon reformat e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTI+. Në këtë atmosferë armiqësore, vullneti politik për ndryshime progresive është tkurrur, ndërsa ligjvënësit hezitojnë të promovojnë politika për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, duke iu trembur reagimit të ashpër nga grupet konservatore dhe publiku i keqinformuar.
Aleanca LGBTI bën thirrje për mbështetje të menjëhershme nga partnerët ndërkombëtarë për të ndaluar këtë retorikë urrejtjeje dhe për të promovuar barazinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë. Ju ftojmë të konsultoni dokumentin e plotë për të marrë një pasqyrë më të detajuar mbi situatën aktuale dhe hapat urgjentë që duhen ndërmarrë për të mbështetur komunitetin LGBTI+ në Shqipëri.