Ditën e sotme, në kushte të reja pandemie, nisi të mbahet online trajnimi i trajnerëve në Akademinë e Sigurisë mbi çështjet LGBTI+ dhe se si strukturat e Policisë së Shtetit mund të adresojnë më mirë rastet e dhunës apo diskriminimit ndaj personave LGBTI+ në Shqipëri.
Në bashkëpunim me Komitetin Holandez së Helsinkit dhe Policisë Holandeze, organizatat Aleanca LGBT dhe Pro-LGBT po ndihmojnë në zbatimin e projektit “Zvogëlimi i diskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI) në Shqipëri” .
Pas sesioneve të suksesshme të trajnimit me studentë të Akademisë së Sigurisë dhe oficerë të Policisë të zhvilluara vitin e shkuar, ky sesion online i trajnimeve po fokusohet te ngritja e kapaciteteve e trajnuesve në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit, të cilët më pas mund të ndajnë njohuritë dhe eksperiencën e tyre me kolegë në të ardhmen.
Përgjatë dy viteve të fundit të bashkëpunimit, janë bërë hapa të rëndësishëm në integrimin e tematikave LGBTI në punën e përditshme të Policisë së Shtetit, si dhe oficerë të policisë dhe përfaqësues të strukturave drejtuese janë njohur më në detaje me problematikat dhe nevojat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.
Besimi te institucionet mbetet i ulët, por fal këtyre trajnimeve po përpiqemi të ngremë ura të reja bashkëpunimi me qëllim ofrimin sa më të mirë të shërbimeve dhe ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë ndaj viktimave të dhunës apo diskriminimit, pjesëtarë të komunitetit LGBTI+.
Projekti është i decentralizuar duke mos u përqëndruar vetëm në Tiranë, por edhe në Lezhë, Vlorë dhe Kukës duke ndihmuar strukturat policore për t’ju përgjigjur më efektivisht krimeve me bazë urrejtjen dhe diskriminimin.
Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit mbetet një fokus i rëndësishëm i organizatave LGBTI+ në vend, duke u përpjekur të shtojmë rastet e raportimeve në strukturat e policisë dhe hetimin e rasteve të dhunës, të cilët do të kontribuojnë në të ardhmen në një mjedis më të sigurtë për personat LGBTI+ në vend dhe do të lehtësojë më tej procesin e pranimit shoqëror.
Trajnimi do të ndahet në dy sesione, me dy grupe të ndryshme trajnerësh, me qëllim rritjen e kapaciteteve të oficerëve të Policisë jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe.