Mendo Politikisht është një nismë e ndërmarrë nga organizatat Aleanca LGBT dhe Pro-LGBT, që synon të inkurajojë komunitetin LGBTI të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, duke i pajisur ata me informacion të detajuar mbi qëndrimet që partitë politike kanë mbi çështjet e këtij komuniteti.
Në raportimin e këtij viti zgjedhor, Mendo Politikisht është fokusuar jo vetëm te programet politike të partive dhe koalicioneve që garojnë më 25 Prill, por edhe te listat e kandidatëve të këtyre partive, të cilat me ndryshimet e rradhës së sistemit zgjedhor, janë bërë pjesë e garës elektorale, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të votojnë specifikisht edhe për kandidatin apo kandidaten e tyre të parapëlqyer.
Mendo Politikisht është tashmë një program i konsoliduar i lëvizjes LGBTI në Shqipëri, nisur që në 2013, i cili paraqet problematikat e angazhimit politik të tyre, mos-përfaqësimin dhe mungesën e vëmendjes që klasa jonë politike ka ndaj këtij komuniteti.
Ndryshe nga monitorimet e mëparshme, thuajse asnjë prej partive nuk përmendin të drejtat e njeriut, sado përciptazi, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk përfshin specifikisht çështjet LGBT dhe as çështje që prekin komunitete të tjera vulnerabël.
Fushata është shoqëruar paraprakisht dhe me fushatën e saj në rrjete sociale, të cilën mund ta ndiqni në llogarinë tonë në Facebook apo Instagram.
Në vijim, raporti i plotë i Mendo Politikisht, për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021:
Mendo Politikisht 2021