Parada e Krenarisë 2023 - Hape Zemrën #përDashni

TIRANA PRIDE, 20 MAJ, ORA 17:00, REJA!
A guxoni të hapni zemrën dhe të ecni përpara? Ne, po!
Këtë muaj Maj, shënojmë fillimin e dekadës së dytë të luftës për njohje, të drejta dhe barazi për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri. Parada e Krenarisë, e cila nisi nga një grupim i vogël aktivistësh, të cilët mes frikës dhe tymit të shashkave në sheshin ‘Nënë Tereza’, gjetën guximin për të bërë hapat e parë drejt një shoqërie më të drejtë dhe solidare, është kthyer sot në një moment shprese dhe frymëzimi për të gjithë shoqërinë.
 
Parada e Krenarisë këtë vit do të mbahet nën tymin e një fenomeni edhe më shqetësues sesa shashkat dhe urrejtja e disa individëve. Këtë vit marshojmë në një bulevard që po zbrazet nga të rinjtë dhe të rejat dhe nga komuniteti LGBTI+, në një qytet ku institucionet kryesore ende heshtin dhe mohojnë njohjen e të drejtave të komuniteteve më në nevojë.
 
Mblidhemi në kryeqytet, por jo larg përditshmërisë dhe problemeve të periferisë, ku dhuna verbale, emocionale dhe shpeshherë fizike, mbyt shpresën e të rinjve dhe të rejave LGBTI+ për një të ardhme më të mirë, ku të mund të jetojnë veten e tyre të vërtetë.
Marshojmë në Tiranë, ku pavarësisht fasadava shumëngjyrëshe dhe imazhit të një sigurie të rremë, jeta jonë, e komunitetit tonë, duhet jetuar ende mes frikës dhe e mbyllur mes katër mureve. Marshojmë me besim të plotë se urrejtja që na sulmon dhe homofobia/transfobia që përpiqet të na frikësojë, nuk do të arrijë asnjëherë të mbysë shpresën dhe frymëzimin tonë. Do të jemi me qindra në paradë, por me mijëra në çdo qytet të Shqipërisë, sepse ne jemi miqtë e familjarët tuaj, profesionistët që kujdesen për ju, mësuesit që edukojnë fëmijët tuaj dhe policët ju mbrojnë ju dhe shoqërinë. Jemi gazetarët dhe folësit e të vërtetës, avokatët dhe punonjësit socialë, inxhinierët, akademikët, artistët e Tiranës dhe punëtorët e periferisë. Jemi këtu për të qëndruar, për të mbrojtur të drejtën tonë për njohje, familje dhe për të jetuar dashurinë tonë me gjithë ngjyrat e saj përtej katër mureve dhe kufinjve ku homofobia dhe transfobia përpiqen të na mbajnë të mbyllur.
 
Marshojmë në Tiranë mes mijëra fytyrash të qeshura, të cilat përtej çdo sfide ende janë shpresëplotë se dashuria e tyre do arrijë të mposhtë çdo konstrukt të moralit të rremë të shoqërisë sonë. Do jemi aty midis familjeve të reja queer, çifteve dhe fëmijëve që po rriten me dy nëna apo dy baballarë, mes vajzave dhe djemve transgjinorë që frymëzojnë në komunitetet e tyre. Do jemi mes qindra prindërve që mbështesin fëmijët e tyre, gjyshërve, motrave e vëllezërve që mezi presin të njohin ngjyrat tona të vërteta. Pas shumë vitesh në errësirë dhe pas një dekade aktivizëm, do vazhdojmë të ngrihemi mbi tymin dhe errësirën që përpiqet të mbysë shpresën tonë, për të drejtat tona dhe për të drejtat e atyre që shoqëria nuk i mbështeti për vite të tëra.
 
Ketë muaj Maj, vimë ashtu siç ne dimë më mirë, plot me ngjyra dhe me zemër të hapur për më shumë dashuri dhe solidaritet. Ne jemi gati, a guxoni edhe ju?
Hape zemrën për dashni!
 hape zemren
 
Mendo Politikisht 2021

Mendo Politikisht 2021

Mendo Politikisht është një nismë e ndërmarrë nga organizatat Aleanca LGBT dhe Pro-LGBT, që synon të inkurajojë komunitetin LGBTI të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, duke i pajisur ata me informacion të detajuar mbi qëndrimet që partitë politike kanë mbi çështjet e këtij komuniteti.

Në raportimin e këtij viti zgjedhor, Mendo Politikisht është fokusuar jo vetëm te programet politike të partive dhe koalicioneve që garojnë më 25 Prill, por edhe te listat e kandidatëve të këtyre partive, të cilat me ndryshimet e rradhës së sistemit zgjedhor, janë bërë pjesë e garës elektorale, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të votojnë specifikisht edhe për kandidatin apo kandidaten e tyre të parapëlqyer.

Mendo Politikisht është tashmë një program i konsoliduar i lëvizjes LGBTI në Shqipëri, nisur që në 2013, i cili paraqet problematikat e angazhimit politik të tyre, mos-përfaqësimin dhe mungesën e vëmendjes që klasa jonë politike ka ndaj këtij komuniteti.

Ndryshe nga monitorimet e mëparshme, thuajse asnjë prej partive nuk përmendin të drejtat e njeriut, sado përciptazi, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk përfshin specifikisht çështjet LGBT dhe as çështje që prekin komunitete të tjera vulnerabël.

Fushata është shoqëruar paraprakisht dhe me fushatën e saj në rrjete sociale, të cilën mund ta ndiqni në llogarinë tonë në Facebook apo Instagram.

Në vijim, raporti i plotë i Mendo Politikisht, për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021:
Mendo Politikisht 2021

Raport Vjetor 2020 - Gjendja e komunitetit LGBTI+ gjatë vitit 2020

Raport Vjetor 2020 - Gjendja e komunitetit LGBTI+ gjatë vitit 2020

Ky raport përmbledhës synon të sjellë një panoramë të gjetjeve të analizuara nga të dhënat e pyetësorit online “Diskriminimi dhe dhuna me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor”, zhvilluar nga Aleanca kundër diskriminimit LGBT. Sondazhi u plotësua nga 295 individë të vetëidentifikuar si LGBTI+, një kampion që e bën këtë raport mjaft relevant në përcjelljen e zërit dhe problematikave
aktuale të vetë komunitetit.

Pyetësori u publikua në rrjetet sociale gjatë muajit Tetor 2020 dhe përgjigjet u regjistruan deri në fundin e Dhjetorit 2020. Sondazhi kishte për qëllim të maste nivelin e diskriminimit dhe dhunës që përjetojnë personat e komunitetit LGBTI, duke shqyrtuar situatat e
përditshme të komunitetit në raportet familjare, të punësimit, ato me institucionet shtetërore, ofruesit e shërbimeve, mekanizmat e referimit të rasteve dhe njohuritë mbi korpusin juridik për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi me bazë orientimin seksual dhe
identitetin gjinor.

 

Në vijim, ju ftojmë të lexoni të plota gjetjet e raportit për vitin 2020:

Raporti mbi dhunën dhe diskriminimin me bazë orientimin seksual dhe identitietin gjinor - 2020

 

Formular: Diskriminimi dhe dhuna me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor

Cuna dhe goca, ju lutem jepni dy minuta kohe plotesimit te ketij formulari, ne lidhje me diskriminimin dhe dhunen me baze orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Kliko këtu për të plotësuar formularin

Zvogëlimi Dhunës LBT

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT në kuadër të projektit me UN Trust fund ka parashikuar një projekt 2 vjecar të fokusuar te dhuna kundër vajzave LBT.
Projekti në vitin e parë fokusohet në një kërkim I cili do të fokusohet në dy fusha të shërbimeve: Shëndetsor dhe të Edukimit.
Kërkimi do shtrihet në Shkodër, Peshkopi, Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Vlorë, në mënyrë që të ketë shtrirje sa me të gjërë.
Qëllimi: Qëllimi i projektit është të zvogëlojë dhunën dhe diskriminimin ngaofruesit e shërbimeve kundrejt grave LBT. Kjo do të sjellë gëzim më të madh të të drejtave të tyre dhe zvogëlim të diskriminimit karshi grave LBT, si dhe akses më të mirë në edukim dhe shëndetësi.
Objektivat:
1. Institucionet kryesore të shëndetësisë dhe edukimit do të përmirësojnë ofrimin e shërbimit dhe të aksesit në mënyrë që të përmbushin nevojat e grave LBT.

2. Organizatat e grave dhe grupet e grave LBT do të forcojnë kapacitetet e tyre për të ndërvepruar me institucionet shtetërore në mënyrë që të advokojnë për të pasur një qasje më të mirë në rastet e dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe ndaj grave LBT në veçanti.

Partnerët dhe miqtë tanë

Këtu do të shkruajmë diçka mbi organizatat e tjera lgbt që bashkëpunojnë me aleancën lgbt...

X